UPTIMI PENALO-JURIDIK I “NDËRMARRJES SË PËRBASHKËT KRIMINALE”

0

Nga Adil FETAHU

Pas arrestimeve dhe dorëzimit në Gjykatën Speciale (të Kosovës,sic!) në Hagë, të kreut të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, dhe ca ditë më heret Salih Mustafa, dhe më 26 nëntor 2020 pas konfirmimit të aktakuzës kundër tyre nga gjykatësi i procedurës paraprake (Nicolas Guillou) u pa se katër të akuzuarit, perveçse për vepra  penale individuale,  akuzohën  edhe për ndërmarrje të përbashkët kriminale. Kjo sintagmë  është një konstruksion i ri në doktrinën juridike, që u përdor nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, në gjykimin e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit të kreut ushtarak,  policor e paraushtarak të Serbisë, të Bosnje-Hercegovinës dhe të Kroacisë. Po, ç’kuptim penalo-juridik ka sintagma “ndërmarrje e përbashkët kriminale”?

Ndërmarrja e përbashkët kriminale nënkupton forma të bashkëkryerjes sistematike dhe gjërësisht të përhapura të veprave penale (krimit), me këto elemente: 1) që në kryrjen e krimit të kenë marrë pjesë më shumë ekzekutues; 2) që ata individë në grup kanë synim dhe qëllim të përbashkët; 3) që synimi ose qëllimi i përbashkët paraqet vepër penale (krim) të paraparë sipas ligjit, 4) që kryesit e veçantë (individualisht) të veprave penale kanë qëllim të përbashkët; 4) që i akuzuari konkret ndaj të cilit zhvillohet gjykimi, ka marrë pjesë në atë ndërmarrje të përbashkët dhe ka “kontribuar” dukshëm në kryerjën e krimit; 5) që personat të cilët kanë marrë pjesë në ndërmarrjen e përbashkët kriminale duhet të identifikohen me ndonjë strukturë, emër, kategori apo grup të cilit i përkasin (ushtarak, policor, paraushtarak, administrativ) apo çfarëdo grupi tjetër të identifikueshëm. 

Për t’u gjykuar një akuzuar për ndërmarrje të përbashkët kriminale, të gjitha elementet e përmendura duhet të vërtetohën në mënyrë të sigurtë, me prova të padyshimta. KJo nënkupton kategori të veprave penale të kryera në mënyrë sistematike, në kuadër të një sitemi të organizuar  dhe gjërësisht të përhapur të kryerjes së veprave penale nga individët të cilët konsiderohen pjesëtarë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale, për një synim a qëllim të përbashkët.

“Kontributi” i secilit pjesëtar të ndërmarjes së përbahkët kriminale duhet matet me veprimin e secilit që ka marrë pjesë në zbatimin e planit a qëllimit të përbashkët. Ai “kontribut” duhet të jet i domosdoshëm apo i rëndësishëm për arritjen e qëllimit. Ai  “kontribut”  vetvetiu mund të mos  paraqet vepër penale (krim), dmth. nuk është i inkiriminuar sipas ligjit. Për shembëll, një grup  prej  3- 4 vetash janë marrë vesh për ta plaçkitë bankën. Në përbërje të grupit ka edhe persona të armatosur, por përjashta i pret vozitësi i veturës për qëllim të ikjes pas plaçkitjes. Vozitësi duke pritur pranë timonit, vet nuk ka bërë vepër penale, por kontributi i tij në arritjën e qëllimit të plaçkitjes së bankës është i rëndësishëm, bile i domosdoshëm, prandaj edhe ai do të gjykohet për veprën që kanë kryer pjesëtarët e tjerë të grupit, për aq sa i ka kontribuar krimit. Nëse plaçkitësit kanë vrarë rojën apo nëpunësin e bankës, edhe vozitësi do të përgjiget si bashkëpjesëmarrës në vrasjen, ndonëse ky as e ka parë  as ka ditur gjë për victimën.  Por, është dashur ta dijë se në raste të tilla ka rrezik vrasje të njerëzve.

Në rastin e të akuzuarëve të kreut të UÇK-së për ndërmarrje të përbashkët kriminale, kryesi i veprës duhet të ketë qenë i njohur dhe të jetë pajtuar me qëllimin dhe sistemin e caktuar të malteretimit, torturës,  vrasjes, burgosjes së paligjshme, dhe me vetëdije ka marrë pjesë apo i ka kontribuar realizimit të qëllimit të përbashkët. Kjo shprehje e ky koncept  penalo-juridik shfrytëzohet për të përfshirë forma të ndryshme të bashkëveprimit dhe bashkëpjesëmarrjes në nxitjen, ndihmën dhe kryerjen e veprave penale, pa marrë parasysh raportin  e drejtpërdrejt subjektiv  të individit ndaj krimit të kryer. Sipas këtij parimi, përgjegjësia penale e individëve në veprat penale kolektive mund t’i ngarkohet individit në bazë të parimit të përgjegjësisë objektive. Ithtarët e këtij parimi konsiderojnë se ky është një satisfaksion moral në fushën e të drejtës ndërkombëtare, që kushdo që ka marrë pjesë, në çfarëdo forme, në kryerjen e veprës penale, të mos mbetet  pa u ndëshkuar. Këtë konstruksion penalo-juridik e përdori prokurori i Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, Xhefri Najs, në aktakuzën kundër Sllobodan Millosheviqit dhe grupit nga kreu politik, ushtarak, policor dhe paraushtarak të Serbisë, për krimet e kryera kundër popullit shqiptar në Kosovë. Në bazë të këtij koncepti janë gjykuar të akuzuarit nga grupi Millosheviq, por edhe shumë të akuzuar tjerë për krimet e kryera në Bosnje-Hercegovinë dhe në Kroaci.

Në ndërmarrjen e përbashkët kriminale ndonjëherë, apo edhe shpeshherë, mund të vjen deri te tejkalimi i qëllimit të caktuar. Sikur në rastin e përmendur më sipër të plaçkitjes së bankës: plaçkitësit nuk kanë  pasur për qëllim të vrasin rojën apo nëpunësin e bankës, por situata është krijuar ashtu dhe plaçkitësit e kanë tejkaluar qëllimin. Secili pjesëtar i grupit do të përgjigjet edhe për vrasjen, nëse gjykata vërteton se ka qenë i vetëdijshëm për rrezikun e kryerjes së krimit të vrasjes.

Kodi Penal i Kosovës

Këtë koncept të përgjegjësisë objektive e parashohin shumica e ligjeve penale të shteteve të ndryshme. Edhe Kodi Penal i Kosovës, e parasheh këtë koncept, vetëmse me terma tjera (bashkëpunimi në kryerjen e veprës penale) dhe në formë më të drejpërdrejt të përgjegjësisë individuale ndaj veprës së kryer. Me qenë se Kodi Penal i Kosovës është miratuar në vitin 2012, konceptin e bashkëkryerjes së veprave penale e ka përpunuar më hollësisht, duke pasur parasysh  konceptin e “Ndërmarrjes së përbashkët kriminale”të aplikuar në proceset gjyqësore të Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Neni 35 i Kodit Penal të Kosovës është krejtësisht në atë frymë. Por të shohim edhe dispozitat tjera që i referohen dhe sanksionojnë bashkëpunimin në kryerjen e veprave penale.

Neni 31 (Bashkëkryerja): Nëse dy apo më shumë persona sëbashku kryejnë veprën penale duke marrë pjesë në kryerjen e veprës penale ose thelbësisht duke i kontribuar kryerjes së saj në ndonjë mënyrë tjetër, secili prej tyre është përgjegjës dhe dënohet me dënimin e paraparë për vepër penale.

Neni 32 (Shtytja): 1) Kushdo që me dashje e shtytë personin tjetër të kryejë vepër penale dënohet sikurse ta kishte kryer vet atë vepër penale nëse vepra penale është kryer. 2) Kushdo që me dashje shtytë personin tjetër të kryejë vepër penale dënohet sikur ta kishte kryer vet atë vepër penale nëse vepra penale është tentuar por nuk është kryer. 3) Kushdo që me dashje shtytë personin tjetër të kryejë vepër penale të dënueshme me së paku pesë vjet burgim dhe vepra penale as që është tentuar, shtytësi dënohet për tentativë.

Neni 33 (Ndihma): 1) Kushdo që me dashje ndihmon personin tjetër për kryerjen e veprës penale dënohet me denim më të butë (!). 2) Ndihma për të kryer një vepër penale përfshinë, por nuk kufizohet në dhënien e ndihmës ose udhëzimeve se si të kryhet vepra penale; vënien në dispozicion të mjeteve për kryerjen e veprës penale; krijimin e kushteve ose mënjanimin pengesave për kryerjen e veprës penale; ose  premtimi paraprak se do të fshehë provat e kryerjes së veprës penale, kryesin apo identitetin e kryesit, mjetet e përdorura për kryerjen e veprës penale ose përfitimet që rrjedhin nga kryerja e veprës penale.

Neni 34 (Bashkimi kriminal):  1) Kushdo që shprehimisht apo në mënyrë të heshtur merret vesh me një apo me më shumë pesona për të kryer ose për të nxitur kryerjen e një vepre penale të dënueshme me së paku pesë vjet burgim dhe ndërmerr veprime përatitore për realizimin e marrëveshjes së tillë, dënohet me dënimin e paraparpë për atë vepër penale. 2) Gjykata mund ta zbusë dënimin ose ta lirojë nga dënimi personin i cili është penalisht përgjegjës sipas paragrafit 1 të këtij neni, nëse personi i tillë:

           2:1. vullnetarisht heq dorë nga marrëveshja,

           2.2. vullnetarisht ndërmerr veprime për parandalimin e ekzistencës së vazhdueshme të bashkimit kriminal ose të kryerjes së veprës penale në pajtim me qëllimet e saj, ose

           2.3: vullnetarisht ia zbulon policisë njohuritë e marrëveshjes në kohën kur vepra penale e planifikuar akoma mund të parandalohet.

Neni 35 (Marrëshja për të kryer vepër penale): 1) Kushdo që merret vesh me një apo me më shumë persona për të kryer vepër penale dhe një apo më shumë nga ata persona ndërmerr çfarëdo veprimi të rëndësishëm për kryerjën e veprës penale dënohet me dënimin e paraparë për atë vepër penale. 2) Për  qëllim të këtij neni, shprehja:”veprim i rëndësishëm drejt kryerjes së veprës penale” nuk duhet të jetë veprim penal por duhet të jetë hap i rëndësishëm përgatitor drejt kryerjes së veprës penale të cilën pesonat janë pajtuar që ta kryejnë.

Neni 36 (Kufijtë e përgjegjësisë penale dhe ndëshkimit për bashkëpunim): 1) Bashkëkryesi është penalisht përgjegjës brenda kufijve të dashjes apo të pakujdesisë së vet. 2) personi i cili shtytë ose ndimon në kryerjen e veprës penale është penalisht përgjegjës brenda kufijve të dashjës së tij. 3) Rrethanat personale, përfshirë marrëdhëniet dhe cilësitë të cilat mund të rezultojnë në përjashtimin nga përgjegjësia penale, lirimin nga dënimi, ekzistimin e formave  të rënda  apo të lehta të veprës penale ose që ndikojnë në përcaktimin e dënimit, mund të merren parasysh vetëm ndaj personit për të cilin vlejnë. Nëse rrethanat personale të cilat ndërlidhen me kryesin kanë ndikim në zbutjen ose ashpërsimin e dënimit dhe këto rrethana përbëjnë elemente të veprës penale, bashkëkryesi, shtytësi ose ndihmësi  është përgjegjës për dënimin e paraparë për vepër penale  kur ai ka ditur për këtë rrethanë, edhe nëse nuk ka pasur lidhshmëri me të.

Ligji për dhomat e specializuara dheZrën eprokurorit të specializuar  (gusht 2015), ndër të tjera, ka përcaktuar (neni 3) se: Dhomat e specializara janë pjesë përbërëse e çdo niveli të sistemit të gjykatave në Kosovës… dhe se ato gjykojnë dhe funksionojnë në përputhje me Kushtetutën e Republikës ë Kosovës, me këtë Ligj si lex specialis, me dispozitat e tjera të ligjeve të Kosovës të përfshira shprehimisht në këtë ligj dhe të zbatuara na ky ligj, të drejtën zakonore ndërkombëtare së cilës i është dhënë përparësi kundrejt ligjeve vendore me nenin 19 (2) të Kushtetutës, të drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut që përcakton standardet e drejtësisë penale, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat dhe LiritëTthemelore të Njeriut dhe Marrëveshjën Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike, të cilave iu është dhënë përparësi kundrejt ligjeve vendore me nenin 22 të Kushtetutës…. Në nenin 12 të Ligjit në fjalë, është përcaktuar se Dhomat e Specializuara zbatojnë të drejtën zakonore ndërkombëtare dhe ligjin penal materal të zbatueshëm në Kosovë përderisa ai është në përputhje me të drejtën zakonore ndërkombëtare, që ka qenë e zbatueshme në kohën kur janë kryer krimet, në pajtim me nenin 7(2) të Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut dhe nenin 15 (2) të Marrëveshjës Ndërkomëtare për të Drejtat Civile dhe Politike, të përfshira dhe të mbrojtura me nenin 19(2), 22(2), 22(3) dhe 33(1) të Kushtetutës. Në vazhdim Ligji për Gjykatën Speciale , në gjashtë faqe teksti të dendur i radhitë llojet e krimeve kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare (neni 13); krimet e luftës sipas të drejtës ndërkombëtare (neni 14); krimet e tjera sipas të drejtës së Kosovës neni 15). Në nenin 16, sipas të cilit përcaktohet përgjegjësia penale individuale, për krimet nga e drejta ndërkombëtare nga nenet 13 e 14), thuhet:

personi i cili ka planifikuar, nxitur, urdhëruar, kryer ose në ndonjë mënyrë tjetër ka ndhimuar dhe ka dhënë mbështetje për planifikimin, përgatitjen ose ekzekutimin e këtij krimi, mbanë përgjegjësi individuale për krimin.

Pozita zyrtare e të akuzuarit, qoftë si kryetar i shtetit, kryeministër apo zyrtar i qeverisë, nuk e liron këtë person nga përgjegjësia penale, as nuk  ia zbutë dënimin.

Fakti që ndonjë prej veprimeve ose mosveprimeve është kryer nga një vartës nuk e liron eprorin e tij nga përgjegjësia penale, në rast se ai e ka ditur apo ka pasur arsye ta dijë se vartësi kishte ndërmend t’i kryente ato veprime ose i kishte kryer dhe eprori nuk ndërmori masa të nevojshme dhe të arsyeshme për t’i parandaluar ato veprime, ose për t’i dënuar kryerësit e tyre.

Fakti që i akuzuar ka vepruar në zbatim të urdhërit të qevrisë ose të eprorit, nuk e liron atë nga përgjegjësia penale, por mund të merret parasysh në zbutjen e dënimit në rast se Dhomat e Specializuara përcaktojnë se këtë e kërkon drejtësia.

* * *

Ndërmarrja e përbashkët kriminale, si koncept i ripenalo-juridik,  jotradicional dhe fleksibil, është aplikuar nga Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë. Teoricenë dhe ekspertë të së drejtës penale thonë se Tribunali nuk ka pasur bazën e vlefshme ligjore për ta aplikuar këtë koncept, sepse në Statutin e Tribunalit nuk përmendet në mënyrë eks;licite ky koncept. Kritikët e këtij koncepti thonë se, gjykata duke mos mund të argumentojë elementet subjektive të përgjegjësisë, i ngarkon me përgjegjësi  objektive kolektive, gjë që është në kundërshtim me parimin e prezumimit të pafajsisë, që është themel i të drejtës penale.

Ky institut juridik është zbatuar pastaj edhe në dy gjykata tjera ndërkombëtae: në  Gjkatën Ndërkombëtare në Ruanda dhe në Gjykatën Speciale për Siera Leone..

Kritikët e këtij koncepti thonë se kjo “përgjegjësi kolektive” paraqet sfidë ndaj parimit tradicioal të të drejtës penale që ka të bëjë me përgjegjësinë individuale. Zbatimi i gjërë i konceptit të ndërmarrjes së përbashkët kriminale,  jep shijen e ndikimit të politikës në punën e gjykatave.

Vlenë të përmendim këtu se Gjykata Supreme e Britanisë së Madhe me një vendim të vetin (2016) e ka hequr konceptin e ndërmarrjes së përbashkët kriminale nga zbatimi në praktikën gjyqësore të atij shteti, me  arsyetim se është zbatuar gabimisht kur është fjala mbi përgjegjësinë për vepra penale kolektive, në atë masë sa që tentohet në kitere objektive. Vendimin e vet gjykata e aryseton me faktin, se duhet të merret në konsiderim elementi subjektiv i qëllimit të bashkëpesëmarrësit, sikurse për kryesin e drejtpërdrejtë të veprës penale.

Gjykata Speciale e Kosovës (sic!) në Hagë, në aktakuzat e ngritura deri më tash, e ka përfshirë dhe elaboruar në shumë pika konceptin e ndërmarrjes së përbashkët kriminale, duke u thirrur kryekput në praktikën gjyqësore të Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Se sa do të zbatojë drejtësinë në gjykimin e të akuzuarëve të kreut të UÇK-së, do të mbetet të shihet.

Heqja nga praktika gjyqësore e konceptit të ndërmarrjes së përbashkët kriminale, në sistemin gjyqësor të shtetit me sistemin më të zhvilluar në botë, siç është sistemi i Britanisë së Madhe, është një argument shtesë për mbrojtjen e të akuzuarëve në Gjykatën Speciale të Kosovës (sic!), që ta kontestojnë akuzën për ndërmarrje të përbashkët kriminale.

Të shpresojmë se drejtësia do të bazohet vetëm në të vërtetën dhe e vërteta  në drejtësi, e nuk do të ndikohet nga qëllime, presione apo imponime politike nga jashtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok