Vdekja e Mateos dhe përgjegjësia shoqërore

0

Nga Ibrahim Kabili

E diel 16.11.2021. Një ngjarje e rëndë ndodh në Fier. Ngjarje makabër ku vritet një fëmijë 8 vjeçar, Mateo. Vritet dhe groposet në oborrin e shtëpisë. Ngjarje shokuese! E përsëri agresori është një monstër. Një mostër 38 vjeçar Klodian Çalamani, fqinj me familjen e viktimës. Rasti i tij është përsëritës. Për dhunimin e minorenes në vitin 2006, ai dënohet minimalisht! Përse kështu? A do ti jepte vallë këtë dënim, gjygjtarja në fjalë, mostrës nëqoftëse e dhunuara do ishte vajza e saj? Për çudi krimineli lirohet edhe para kohe! Përse tolerohen kriminelët? Ai mbeti kriminel dhe si i tillë kreu përsëri krimin tjetër. Kjo ngjarje është e paralajmëruar. Viktima tani është Mateo, nesër mund të jetë një tjetër Mateo… Paradokse shqiptare, depresion shoqëror, tronditje sociale, tronditje e familjes. Nga ana tjetër indiferentizëm i frikshëm i institucioneve. Shoqëria dhe shteti kërkohen të sfidohen nga kriminelët dhe psikopatët. Kjo është e  pamundur! Populli është i shokuar nga ngjarja dhe kërkon dënimin me vdekje.  Përball turmës vijnë reagimet e pushtetarëve të cilët na “mësojnë” se dënimin me vdekje nuk na e pranon Europa! Shumë gjëra nuk na i lejon Europa dhe mirë bën. Çfarë do bëhet me viktimat e pritshme si fëmija 8 vjeçar? Kur do vihet në vend drejtësia? Pse nuk funksionon ajo? Pse nuk dënohet gjygjtarja? Evropa na i ndalon këto? Natyrisht jo! Po çfarë është kjo drejtësi që jep dënime minimale për kriminelët? A është nënë kjo gjygjtare? Kjo është drejtësi e korruptuar. Pasojat bien mbi popullin, bien mbi qytetarin, bien mbi vegjëlinë, bien mbi hallexhiun, bien mbi të gjithë ne. Deri kur kështu? Kjo betejë është e gjatë e vështirë dhe besoj do fitohet nga shoqëria jonë. Që fitorja të jetë e qytetarëve ne si shoqëri duhet ta shohim problemin në një spektër më të gjerë, ta trajtojmë në gjenezë, si problem social. Duhen të analizojmë shkaqet dhe pastaj vijnë pasojat. Socializimi kryesor, arritjet apo disfatat, sjellja e mirë apo e keqe, ngjarjet pozitive apo kriminale, shembulli pozitiv apo negativ, nisin nga familja,  formësohen edhe më shumë nga organet socializuese dhe institucionet. Familja është celula bazë e shoqërisë. Kontakti i parë i fëmijës është ajo, janë prindërit, të afërmit pastaj të tjerët. Po si paraqitet familja shqiptare sot? Përgjigja e pyetjes është e vështirë. E vështirë pasi shoqëria jonë në këto vite tranzicioni po kalon trauma të mëdha. Familja përgjithësisht është në kontakt apo ka prezent; papunësinë, varfërinë, emigracionin, drogën, alkoolin,  prostitucionin, trafikun e qenieve njerëzore etj. Ka prezent monstrat që vrasin, presin, përdhunojnë, drogojnë, vjedhin, shesin etj. Ka prezent mediat që godasin pa mëshirë mbi familjen, të rinjtë , shoqërinë. Natyrisht jo të gjitha mediat, por një pjesë të saj! Ka kohë që ka filluar “rrezatimi përshkues” i tyre tek të rinjtë. Ne si familje qëndrojmë indiferentë dhe pasojat janë negative . Natyrisht në një shoqëri të hapur si ne, këto fenomene janë të paevitueshme. Qëllimi jonë është dhe duhet të jetë minimizimi i tyre. E për këtë familja mban peshën kryesore. Po kush është familja e Klodianit? Sipas fqinjëve ajo është familje me probleme. Kjo nuk ka rëndësi kur Mateo nuk jeton më! Çfarë mund të presësh nga monstra kur edukate e tij është ajo e hajdutit, vjedhësit, përdhunuesit, kriminelit… Familja nuk është vetëm babai i cili tani është i ndjerë, është dhe nëna e cila tani e ka braktisur, është edhe motra… E çfarë edukate ka dhënë kjo nënë?  Po motra “karrem” si bashkëpunëtore në krimin e tentativës për përdhunim! Nga kjo familje nuk mund të presësh asgjë. Po pjestarët e tjerë të familjes së zgjeruar pse nuk u bënë të gjallë për Klodianin para krimit të fundit? Xhaxhai i Klodianit tani pas tragjedisë me Mateon, thotë të varet nipi i tij. Ku qe ai më parë? Përse nuk e ngriti zërin?  Po përse nuk e vuri veten në rolin e babait të vajzës së dhunuar? Po banorët e lagjes, fshatit, qytetit, opinioni shoqëror, përse kaq indiferentë në ngjarje të tilla? Përse nuk e vejmë veten në rolin e viktimës! Po të bëjmë të kundërtën si shoqëri ndoshta këto probleme nuk do kishin këto dimensione. Duke e trajtuar rastin në fjalë si dukuri shoqërore mund të them se çalon puna edukative. A e luan siç duhet familja rolin e saj? Unë mendoj dhe them me bindje jo. Familja sot nuk është në pozicionin e saj më të mirë. Natyrisht familja ka aleatët e saj, ka edhe shkollën. Duhet një bashkëpunim më i madh dhe i  qëndrueshëm mësues-prindër-nxënës. Kjo është themra e akilit për rezultate në arsimim dhe edukimin e fëmijëve. E këtyre fëmijëve

që do marrin në dorë “frenat” apo përpara “stafetën e vendit “. Po si mund të bëhet kjo  nëqoftëse braktisim librin, luajmë në lojrat e fatit, merremi gjithë ditën me telenovelat turke dhe jo vetëm, duke lënë orët mësimore dhe duke frekuentuar lokalet, duke konsumuar duhan, alkool apo drogë nga të rinjtë. Kështu? Jo!  Po pse tregohemi liberal e të pa përgjegjshëm me fëmijët kur ato; braktisin shkollën, largohen pa arsye nga orët e mësimit, nuk respektojnë mësuesit, të moshuarit, kur përdorin fjalor rruge, etj.? Përse bëjmë fajtor tjetrin kur problemi qëndron te fëmija jonë? Natyrisht në shumë raste problemi janë vetë prindërit! Atëherë çfarë mund të presim nga fëmijët? Përsetë janë të shumta. Familja dhe shoqëria është e tronditur dhe ka përball sfida të mëdha.

Çalon dukshëm ana edukative e saj. Po si ta luaj ajo si duhet funksionin edukativ kur vetë ajo është përballë sfidave të mëdha? E si mund ta luaj funksionin socializues për fëmijët familja me një antar, familja e divorcuar, familja pa prindër, familja me probleme shkollimi,etj. Kur nuk arrihet socializimi me faktorët e mësipërm, ndërhyn shteti me ligjet e tij. Merren masa dhe neutralizohen keqbërësit. Në rastin e kësaj monstre drejtësia nuk e ka bërë siç duhet punën e saj. Çfarë presim atëherë? Indinjatë, madje popullore. Pamje tronditëse në gjykatë! Të afërmit kërkojnë të hyjnë me forcë aty ku gjykohet monstra. Opinioni kërkon varje në litar për Klodianin për të vënë në vend drejtësinë për Të, për Mateon e masakruar, për Mateon që nuk jeton më. Vallë a dëgjojnë, shohin dhe reagojnë institucionet? Mendoj kësaj radhe, se po.  Në të kundërt radhën nesër do ta ketë një tjetër “Mateo” . Shpresoj se institucionet do ti kryejnë detyrat e tyre dhe do t’i parandalojmë ngjarje të tilla, kaq makabre. Kjo është detyra e tyre. Që kjo të ndodhë duhet që krahas familjes, shkollës, shoqërisë të shkundet e gjithë politika. Të marrin të gjitha përgjegjësitë dhe të dalin me detyra organet gjygjësore. Natyrisht  monsta të tilla meritojnë dënim kapital. Në pamundësi për të zbatuar dënimin me vdekje, mendoj se në planin afatgjatë, duhet:

1-Politikanët e të gjitha grupimeve të moderojnë gjuhën, të bashkëpunojnë në luftën kundër krimit dhe të përcjellin vlera te të tjerët…

2-Të zbatohet me korrektësi kodi penal dhe të jepet dënimi maksimal që parashikon ligji për elementët kriminal.

3- Shpresojmë se organet e reja të drejtësisë, të dala pas reformës në drejtësi, do marrin situatën nën kontroll dhe do dënojnë sipas ligjit gjygjtarët abuzues.

4- Të hapen spitale për trajtimin e pacientëve që kanë probleme të shëndetit mendor dhe të izolohen plotësisht ato.

5- Duhet të forcohet familja, të punojë më shumë për edukimin e antarëve të saj, të punojë më shumë për luftimin e veseve të këqia që po e gërryejnë shoqërinë shqiptare.

6-Të forcohet më shumë puna edukative në shkolla, nëpërmjet një bashkëpunimi më efikas të mësuesit, prindërve, qeverisë së nxënësve, psikologut të shkollës etj.

7- Të dënohet korrupsioni në drejtësi dhe ti jepet fund abuzimit me ligjin.

Tiranë më 18.11.2021

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok