VEPRIMET DESTRUKTIVE TË BEOGRADIT NË BOSNJË DHE HERCEGOVINË RREZIKOJNË PAQEN NË RAJON

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Situata në Bosnjë dhe Hercegovinë është e tensionuar. Pas kësaj krize të radhës në BH, si gjithmonë, qëndron Serbia. Që nga themelimi i saj, Republika Serbe ndjek politikë qendërikëse. Veprimet e Millorad Dodikut, i cili është në listën e zezë të ShBA-së, janë në kundërshti të plotë me Marrëveshjen e Dejtonit. Me synimin e këtij entiteti fantomik për ta krijuar ushtrinë e vet, ky entitet aspiron shkëputjen nga shteti i Bosnjës dhe Hercegovinës dhe bashkëngjitjen Serbisë. Këto veprime të Serbisë, jo vetëm që e destabilizojnë BH-në, por shpijnë edhe në shpërbërjen e saj. Këto veprimeve hegjemoniste dhe ekspansioniste të Serbisë do të nxisin edhe reagimin e Zagrebit. Ndryshimi i kufijve në BH nuk do të kishte kaluar pa një konflikt të përgjakshëm, si ai i viteve 1991-1995.

Rrjedhimisht, kriza e krijuar në BH, mund të ketë reperkusione për mbarë rajonin. Pas kësaj, kërkesat e veta kolonialiste Serbia do t’i intensifikonte edhe ndaj Kosovës.

Bosnja dhe Hercegovina përbëhet prej dy entiteteve: Federatës Myslimano-Kroate dhe Republikës Serbe. BH-ja përbëhet pre tre popujve konstitutivë: boshnjakëve (myslimanëve), serbëve dhe kroatëve. Krizën permanente në BH e shkakton Republika Serbe, e cila kurrë nuk iu është bindur organeve të pushtetit qendror.

Nga kjo flakë e konfliktit nuk do të kursehej as Maqedonia e Veriut, një e treta e popullsisë të së cilës janë shqiptarë etnikë. Kësisoj, i tërë rajoni do të rikthehej në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, periudhë kjo e përshkuar nga gjakderdhja dhe gjenocidi serb në Kroaci, në BH dhe në Kosovë.

Krijimi i bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë do të thotë krijim të entitetit serb në të. Me fjalë të tjera, në Kosovë do të kishim një dodik republikë e cila sapo të krijohej, do të vepronte për t’u shkëputur nga Kosova dhe për t’iu bashkëngjitur Serbisë. Këtë e tregon qartë kriza permanente në BH e cila tani duket sikur ka arritur kulmin.

Me politikën e vet klerofashiste, Beogradi synon krijimin e Serbisë së Madhe. Duke qenë satelite politike historike e Rusisë, Serbia dëshiron ta sjellë Rusinë në rajon, pikërisht në një kohë kur Shqipëria dhe Kosova aspirojnë integrimin në strukturat euroatlantike.

Nëpërmjet Serbisë si dhe forcave të tjera proruse në rajon synon, Rusia synon të krijojë në Ballkan sferën e saj të ndikimit dhe zonën e vet të interesit.

Para pretendimeve ruse për t’u penetruar në gadishull Fuqitë e Mëdha perëndimore nuk duhet të rinë duarkryq. Fuqitë perëndimore duhet t’i ndërpresin investimet ekonomike në Serbi. Ajo duhet të vihet nën sanksione ekonomike të botës perëndimore. OKB-ja duhet të miratojë rezolutë me të cilën Serbisë duhet t’i vihet embargo për shitjen e armëve. Me fjalë të tjera, asnjë shtet, përfshi Rusinë dhe Kinën, të mos ketë të drejtë t’i shesë armë Serbisë. Militarizimi i Serbisë mund të nxit armatosjen e mbarë rajonit të varfër.

Me politikën e saj anakronike, retrograde, hegjemoniste, ekspansioniste dhe kolonialiste, Serbia është penguesja kryesore e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike.

Kundër kësaj murtaje të zezë të Ballkanit – Serbisë së Madhe, duhet të reagojnë sa më parë Uashingtoni, Londra dhe Berlini. Destabilizimi i rajonit, në kohë të pandemisë Covid-19 dhe të krizës energjetike, rrezikon paqen dhe qëndrueshmërinë edhe në kontinentin e vjetër.

Është momenti i fundit që Fuqitë e Mëdha të Perëndimit të pushojnë ta konsiderojnë Serbinë si të përkëdhelurën e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube