West Side Family

0

WEST SIDE FAMILY Do krijojmë parti politike

Kanë kuptuar se ta ndryshosh botën me muzikë është më e vështirë sesa me politikë. Pasi kanë përshkuar rrugën e parë, çunat e rap-it shqiptar të “anës perëndimore” do t’i hyjnë politikës. Nuk është një varg për t’u repuar në hitin e tyre të ardhshëm apo provokim spontan hip-hopistash. Rebelim po. Edhe zhgënjim. Për ta thënë muzika nuk u duket më mjet i mjaftueshëm, por ndoshta edhe ngase nuk merret aq seriozisht nga të tjerët. Dhe “Westside Family” kësaj radhe e kanë më seriozisht se kurrë. Qëllimin e tyre e zbulojnë për revistën “MAPO” krejt spontanisht ndërsa çdo temë bisede me ta përfundon tek politika. Nëse nuk do të jetë një parti politike, një organizatë që bën politika doemos. “Mund edhe të bashkohemi me ndonjë grupim politik ekzistent ose fundja të krijojmë një organizatë tonën”, – pohon Landi i cili duket edhe më “i revoltuari” i grupit.
Nuk e mohojnë që politika mund të jetë terren i vështirë për një grup hip-hopi dhe RNB-je dhe shtojnë se do të maten mirë përpara se të angazhohen. Kanë filluar të jenë korrektë politikisht që tani kur gjithçka është praktikisht në fazën e idesë. Por nuk ka kaluar ende aq kohë sa të na ketë dalë nga kujtesa bashkëpunimi gati elektoral me kryetarin e bashkisë së Tiranës, Edi Ramën. Por së fundmi i kemi parë edhe “djathtas”, madje kundër Ramës në një nga koncertet mbështetëse të ish-kandidatit të Partisë Demokratike për bashkinë, Sokol Olldashit. Megjithëse publikisht të njohura, këto angazhime nuk janë sipas tyre sinjifikative për ata vetë. Ende rezervohen të shprehin kahjen e tyre, majtas apo djathtas. Ndoshta janë ende duke e vendosur! Gjithësesi duken më të qartë kur vjen fjala për gjërat që nuk i duan. “Jemi të revoltuar me sistemin në përgjithsi”, – shprehet Landi duke bërë një lapsus politik ndoshta, por në të vërtetë e ka fjalën për mënyrën se si funksionojnë gjërat në Shqipëri. “Ka 17 vjet që nuk është bërë asgjë për t’u shënuar. Madje as rrugët nuk janë shtruar akoma. 17 vjet janë një periudhë shumë e gjatë, duhet të kishin ndryshuar krejtësisht gjërat. Por jemi sërish aty ku u nisëm dhe kjo pikërisht për faj të politikës së keqe”. Me këtë konstatim të Landit bashkohen edhe djemtë e tjerë.
Nuk kanë munguar “protestat” politike të tyre të shprehura edhe në këngët me tekstet e njohura të Dr. Florit dhe dy prej tyre mbajnë madje titujt “Mjaft” apo
“Deluzion”. Por angazhime publike politike pak kanë pasur. Janë bërë nëpërmjet muzikës pjesë të fushatave elektorale, por janë ndalur aty. Vetëm kohët e fundit kanë vendosur të bëhen aktivë edhe si individë, jo thjeshtë si këngëtarë. Djemtë e WSF tregojnë se së fundmi nuk kanë hezituar të dalin edhe në protesta. “Njëra nga protestat ku nuk hezituam të bëheshim pjesë është ajo kundër shembjes së ndërtimeve të viteve të fundit në Jalë. Ishte një vendim absurd që ra si fatkeqësi për pronarët e atyre ndërtimeve të cilët çdo kursim të tyre në emigrim e investonin në ato ndërtime që ishin gjithçka për to, shtëpi dhe punë, vetë e ardhmja e tyre. Dhe nuk mund të thuash që kanë ndonjë ndryshim nga ndërtimet pa leje në Tiranë”, – argumentojnë djemtë e grupit përfshirjen e tyre në këtë protestë. Por ka edhe një arsye tjetër. Sepse Jala dhe Himara janë vendet e tyre të preferuara për të bërë pushime. Jala duket se ka qenë në fakt parajsa e fshehtë e Landit dhe Florit të cilët ndihen të trishtuar që nuk do të kenë më ku të qëndrojnë në Jalën e tyre të preferuar, ndërsa Miri parapëlqen më tepër Himarën.
Të zhgënjyer në këtë masë, e kanë konsideruar si version edhe largimin nga Shqipëria dhe mundësia për këtë u është dhënë shumë herë. Por duket se djemtë rebelë kanë zgjedhur në fund të përpiqen për t’i ndryshuar gjërat. Ndoshta një nga betejat e tyre të para, e cila është sipas tyre edhe politike, do të ishte zbatimi i ligjit për të drejtën e autorit edhe në fushën e muzikës. “Do të ishte mirë që artistët të bëheshin bashkë për të mbrojtur të drejtën e autorit, megjithatë duhet të marrin mbështetje edhe nga Ministria e Kulturës, nëpërmjet politikash efikase”, – thonë djemtë e revoltuar të rap-it zhgënjimet “artistike” të të cilëve do të bëhen ndoshta pjesë e një platforme politike në të ardhmen. Deri atëherë do t’u duhet të profilizohen ndryshe dhe të nisin të bëjnë ca para…

“Nuk ndihemi VIP-a. S’kena para!”
Angazhimi politik nuk është e vetmja “e fshehtë” që West Side Family zbuloi kësaj radhe për MAPO. Duket se një të vërtetë tjetër e kanë thënë nëpërmjet këngës “S’kena para”. Megjithëse personazhet e saj në këngë janë romët e Shkupit duke iu referuar romëve në përgjithësi, duket se edhe xhepat e hip-hopistave të suksesshëm dhe me disa albume në treg, janë bosh. Nuk hezitojnë ta pohojnë vetë këtë si një ndër zhgënjimet e shumta të deritanishme. Nuk u ngjajnë aspak atyre çunave “trendy” në jetën e përditshme çunat e WSF në fakt. Tani që dehja nga suksesi u ka dalë, djemtë që u bashkuan për të kënduar në grup kur ende ishin shkollë klase tek “Petro Nini”, janë kthyer më këmbë në tokë. Madje zbulojnë se nuk ndihen aspak VIP-a në Shqipëri.
  “Tek ne VIP-a janë vetëm politikanët. Ata kanë mundësinë të bëjnë një jetë ekskluzive, të veçuar. Ne jemi gjithë ditën me njerëzit e thjeshtë dhe përveç komplimentave dhe urimeve që marrim, asgjë tjetër nuk na kujton që qenkemi VIP-a”, – shprehet Landi. Madje ai rrëfen se për të jetuar i duhet të punojë shumë dhe të shikojë mundësinë e dypunësimit, pasi një nuk do të mjaftonte për të bërë një jetë normale. Aktualisht supervizor i dyqaneve të një kompanie telefonike private, Landi thotë se muzika dhe kënga nuk janë profesion për të, ashtu siç nuk janë as për djemtë e tjerë të grupit. Miri është duke përfunduar Inxhinjerinë e Ndërtimit, ndërsa Flori pasi është diplomuar në Universitetin Bujqësor, tanimë punon komentator i ndeshjeve të NBA-së në Telesport. Baba i një vajze të vogël pesë muajshe, të cilën e quajnë Kaltrina, Dr. Flori duket se është edhe më i vështiri i grupit për t’u kontaktuar. Në faktën jo vetëm për MAPO. Por edhe mes tyre duket se djemtë nuk kalojnë aq kohë sa dikur. Për shkak të punëve dhe përgjegjësive të reja, sigurisht.
  U fol për një ndarje të grupit pak kohë më parë, por ata e përgënjeshtrojnë me vendosmëri, duke shtuar se së shpejti do të nisin punën për albumin e tyre të ri. Nuk kanë një studio të tyren muzikore, megjithëse kanë dëshiruar shumë ta kenë. Mblidhen ende në shtëpinë e Florit për të punuar për këngët, ndërsa gjithnjë e më rrallë i sheh nëpër lokalet e natës së Tiranës apo në bare e restorante. Landi ka edhe një arsye tjetër. Është duke u bërë gati të krijojë një strehë të re familjare. Dhe blerja e një shtëpie nuk është punë e lehtë as për këngëtarin e një grupi kaq të njohur sa WSF. Sepse duhen para. Dhe “s’kena para”. Në moshën 27 vjeçare dhe me suksesin që kanë përjetuar në Shqipëri ata thonë se gjërat duhet të kishin shkuar krejt ndryshe edhe ekonomikisht. Dhe këtu biseda bëhet prapë politike…
  Ndërsa bëhen gati për koncertin më të fundit që i pret në Neë Jork, janë të ngazëllyer edhe për diçka që mund të duket fare banale: që do të mund të blejnë rroba të lira dhe të mira. Sigurisht dyqanet shqiptare me çmimet e pajustifikuara për cilësinë hyjnë në listën e gjërave për t’u ndryshuar në të ardhmen e tyre politike. Tek shoqëria shqiptare gjejnë gjithashtu plot gjëra që nuk funksionojnë siç duhet, madje edhe tek vajzat shqiptare. Sidomos nga mënyra se si vishen. “Të rinjtë shqiptarë duhet të merren shumë më tepër me sport dhe më pak me veshjet”, – thotë Landi, ndërsa Miri shton se nuk arrin ta kuptojë ende se përse vajzat shqiptare nuk e trajtojnë kurrë veshjen sipas ambjentit. Nuk dinë apo nuk duan mbetet e paqartë për të. “Në fund të fundit nuk ke pse je i bukur 24 orë”, – shprehen ata. Duhet të jetë e lodhshme në fakt. As ata vetë nuk janë. Megjithë dëshirën për të vënë një vëth me gur të çuar dhe vetullën e hequr, Landi tregon se nuk është i fiskuar pas Look-ut dhe se në pjesën e parë të ditës sidomos, kur është në punë, vishet krejt “zyrtarisht”. Korrekt në veshje i duhet të jetë edhe Mirit, që ndjek shkollën çdo paradite, ndërsa Flori duket paksa më tolerant me veshjet e hip-hopit edhe në jetën e përditshme. Megjithatë të tre rrëfejnë se në mbrëmje bëhen prapë rap-era dhe Landi pohon se pantallonat e gjëra i ka të preferuarat e veta.
  Ndoshta për Landin gjithçka do të kishte shkuar ndryshe po të kishte vendosur të merrej me drejtësi pas përfundimit të studimeve në fakultetin Juridik në Tiranë në vitin 2003. “Po të kisha vendosur të ushtroja profesionin e avokatit do të kisha qenë i detyruar të lija gjithçka. Megjithatë ligjet janë profesioni im. Muzikën nuk e konsideroj të tillë. Dhe do të vijë koha kur do t’u rikthehem ligjeve”, – pohon. Ndoshta koha është tani! Ku i dihet. Në videoklipin e fundit janë kollarisur si kurrë më parë dhe filozofia e këngës është edhe sociale, edhe ironike. Në fakt teksteve të Dr Florit kurrë nuk u ka munguar sarkzama dhe kësaj radhe kanë gjetur romët për të përfaqësuar gjithë shqiptarët dhe filozofinë e qefit badihava. Në realitet, djemtë vetë na e përgënjeshtruan: pa para, nuk është edhe aq qef!

Belina Budini

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok