Xhamia në Bern – një shembull i mirë!

0

Në kryeqytetin zviceran, në kuadër të një metashoqatë religjioze vepron edhe një xhami me xhemat kryesisht shqipfolës. Shoqata që menaxhon xhaminë quhet “Shoqata myslimane” e jo si rëndom perëndimit “qendra kulturore shqiptare islamike”. Pse është mirë dhe korrekte kjo qasje e tjerat jo?

Nga Xhemal Ahmeti

Në Bernë ekziston një metashoqatë me emrin “Shtëpia e Religjioneve” me prapashtesën “Dialog i kulturave”. Brenda saj janë ngritur tempuj të religjioneve të ndryshme; budistët, hindusët, hebrenjtë, bahait, myslimanët, alevitët, të krishterët […] ndajnë bashkërisht pallatin e subvencionuar nga shteti, respektivisht qyteti i Bernës. Natyrisht se herë pas here shfaqen konflikte kur njërën anë ulurin imami e nën anën tjetër budistët duan të zhyten në kontemplacion të thellë. Megjithatë sipas shefes së fondacionit Mykytiuk [në një intervistë në kanal religjioz gjerman] që menaxhon këtë pallat koekzistenca funksionon mirë.

Ajo që na bëri përshtypje për ta regjistruar këtë biznes politiko-kulturor të qytetit të Bernës është sjellja e xhamisë aty brenda. Ajo udhëhiqet nga imami Mustafë Mehmeti, i cili njihet këndej si njëri nga hoxhët që nuk lejoi asnjëherë xhaminë t’ia instrumentalizojnë radikalinskit islamikë. Madje edhe publikisht u ka shpallur luftë të njëjtëve jo vetëm njëherë. Xhamia, respektivisht shoqata që vepron në kuadër të pallatit “Shtëpia e Religjioneve” quhet “Shoqata myslimane”. Pra as shqiptare e as islamike. Dhe ky qëndrim është për tu lavdëruar, ngase është korrekt. Xhamitë janë përfaqësuese të anëtarëve, atyre që falen aty, myslimanëve. Këta shkojnë aty si religjioz e jo si pasaporta, jo për letërsi, jo për tu kënaqur me piktura e as për të dëgjuar referate politike mbi kombi dhe atdheun. Nuk janë ambasada politike as të Islamit si fe e doktrinë e as të kulturave, kombeve e popujve të pjesëtarëve që ekzekutojnë ritualet fetare aty.

Po tani dikush do të thotë qendra në fjalë mban edhe prapashtesën “dialog i kulturave”. Ajo do të jetë menduar për arabët, hebrenjtë dhe ndonjë shoqëri a komb tjetër, që identitetin total nacional e gjeneron nga feja, pra ka religjionin si konstituentin kryesor identitar, por nuk vlen për pjesën tjetër të botës, nuk vlen për ato kombe që religjionin e kanë njërin nga segmentet e integruara brenda kulturës së tyre po assesi përcaktuesin. Siç është puna me shqiptarët. Shqiptarët i kanë plotë fé, ndonjëra ka dhënë kontribut më shumë, tjera më pak gjatë zhvillimit të shqiptarëve si komb, por që të gjitha i kanë shërbyer e jo bërë kombin shqiptar. Kjo vlen edhe për kroatët, zviceranët, gjermanët, amerikanët, skandinavët, pra për gjithë ato botë që nuk gjeneron ekzistencën kulturore nga Bibla, Kurani. apo ndonjë traktat tjetër që kanë shkruar njerëzit në fillim të historisë së tyre kulturologjike.

Po pse e veçojmë këtë xhami si shembull të mirë? Sepse atë duhet ta marrin si shembull xhamitë dhe shoqatat e shumta nëpër perëndim të cilat faltoret e tyre i kanë maskuar me sloganet jokorrekte “shoqata kulturore shqiptare islamike”, gjë që nuk shkon aspak, ngase ato hapësira s’kanë të bëjnë assesi me identitetin, kulturën shqiptare, por janë tempuj tufash private, të cilat shfrytëzojnë lirinë e tyre në fé dhe që bashkohen për t’iu lutur zotit të tyre, njërit nga perënditë e shumta që kanë shqiptarët féshumë e unikomb. Janë shoqata myslimane e jo islamike, po ashtu ngase aty nuk ka akademi për studime islamike, as shkruhen fatwa e të llojit. Nëse janë islamiste, pra janë politike atëherë dakord, le të deklarohen ashtu. Pra është një keqpërdorim eklatant, mashtrim i opinionit vendor dhe vetë myslimanëve që frekuentojnë aty.

Askush nuk ka gjë kundër pse shqiptarët i kanë religjionet e tyre dhe se pjesëtarë të kësaj kulture organizojnë në mënyrë private kultet e tyre ku zhvillojnë ceremonitë e devotshmërisë, por ato nuk kanë të drejtë në përfaqësimin e kulturës, identitetit dhe qenies shqiptare, në asnjë aspekt. Diplomacitë e shteteve shqiptare duhet të merren me këtë punë. Duhet të bisedojnë me këto shoqata që mos keqpërdorin ato që konsiderohen të përgjithshme si “kombëtare”, “shqiptare”, “kulturore” për interesa të ngushta grupore. A është i mundshëm ky kompromis?

Marrë nga https://www.gazetaexpress.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok