ZËRI I VENDLINDJES

QAZIM D. SHEHU

 

Ku jeni ju, o të poshtër, djemtë e mi,

Që më latë si në mesjetë.

Mos vallë i denjë jam për ju,

Vetëm në poezi, fletanketë?

 

Unë u rrita, nga lulja, guri:

U dhashë netët me pak hënë,

Rendët, ju, me fjalë të bukura,

Lavdinë për të zënë.

 

Ku janë rrugët që prisja prej jush,

Zalli aty është përsëri,

Mali me dushk…

 

Ju vetëm nëpër intervista, shoqata e s`di çfarë,

Më përmendni me fjalë të bukura,

Në hipokrizi pa skaj’.

 

E unë dua rrugë, ara të punuara,

Shtëpi me fëmijë, korie me dhen,

Fjalët e bukura, tufa fluturash të zeza

Me gumëzhijnë plot tmerr.

 

Vallë,more djem,që morët rrugët për tjetër jetë,

Mua do të më lini si në mesjetë?!…

 

 

FARI

 

Humbet bregu në mjegull

Por nuk humbet fari.

Ai shndrit si sy i verbër

Për fatin e çdo udhëtari.

 

Humbet bregu i fjalës në mjegull

Far nuk do poet-shkrimtari,

Përmes errësirës shikon zemrën

Në dritë nuk ndriçon margaritari

 

 

SIKUR

 

Unë përherë shkoj drejt dimrit

Ti përherë drejt pranverës,

Që kur filloi cikna e thëllimit

Të na fryjë në derë të zemrës

 

Sikur të shkoje ti drejt dimrit

Me pranverën tënde të ndezur

Do kishin shkrirë akujt e thëllimit

Në shpirtin tim të etur…

 

 

HIJET VËNË KUPA HEKURI

 

Të heshtura shtëpitë

Karta e pazhubravitur e arave

Shkruhet

Vetëm me krahë zogjsh…

 

Që kërkojnë kokrra misri,farën

në ikjen e hapit tek u dogj…

 

Heshtja varet në qiell

Në një rreze që ende shtrihet

Duke kërkuar një zemër të mardhur…

 

Këtij trishtimi nuk i dilet

Më mirë të ikim

Nga kemi çardhur…

 

Hijet venë kupë hekuri

Mbi gjëmbaçët e bardh

 

 

-BOSHËSI

 

Në majë të vështrimit si në një shkop

Ku ngremë mundësinë për të kapur një kokërr mollë,

Ngrita sot një dëshirë që më josh

Të kap me të një re të hollë.

 

Dhe ta afroj pranë vetes e ta pyes

Pse aq në qiell është holluar,

Kur dje ishte e ndërdyzët

Me një tufë resh bashkuar.

 

Por sakaq ishte shkrirë krejt

Kish mbetur sa një cipë qepe,

 

Vështrimi uli shkopin e tij

U përplas në kokën time;

Në sy më çoi një të qarë djegëse…

Pa kthim…

 

 

KLITHMA

 

Një klithmë rose na u përplas në vesh,

Liqenin u thye, pasqyrë në rrebesh.

Trupi i rosës ra mbi kallamishtë

Po klithma,ku shkoi ajo klithmë?

 

 

SHKUMBINIT…

 

Ti nuk je veç një lumë,

Pjesë e imja.

Nuk di, të desha unë më shumë,

Apo më shumë më deshe ti.

 

Të lidhur në vertebra e valë

Të dy njëri -tjetrin mbajtëm gjallë.

 

Një ditë të lashë.

Mos më pyet

Pse mora rrugën anë e paanë,

I pafat, nën lëngatë

Unë, një degëzë e thatë.

 

Ti vërshoje shtratit tënd

Samarit të valëve ëndrrat t’u ngjitën,

Prej meje ikën.

 

Si mund të jetoja pa to?

Si mundesha të mbushja ditët atje larg

Ku harresa më kishte zënë në lak,

Kur vetmia më mbështillte

Dhe gozhdoja sytë në re.

 

Vala jote shkum(b)uar

Më shfaqej atje.

 

Ulja kokën si fëmijë në faj,

U rrita djepit tënd dhe nuk munda të të ngjaj.

Nga atje lart më hedh një dorë shi.

Më kthen në njeri të ujtë,

Shpirtit ngrej dallgë.

 

Malli herë më mbyt,

Herë më nxjerr në breg,

Dielli herë më fshihet pas reve,

Herë lëkurën ma djeg.

Atëherë si erë e marrë vrapoj te ty.

Kridhem në shtratin tënd

Dhe pushoj aty.

 

Shkumbin

Bekoma çdo kthim!

 

 

NË KOSTENJË…

 

Si mund të shkoj te shtëpia ime në malësi,

Të gjej hijen e prindërve që s`janë,

Hije që në ëndrra më rri,

Hutim flake që ofshan.

 

Shtëpisë sime i këndon oshëtima e ikjes,

Oshëtimë që vetëm unë e ndjej,

Ndez zjarr pa iu dorëzuar fikjes,

Në Kostenjë.

 

Vjen natën fytyrë e nënës dhe babës,

Syri i tyre hedh rreze mbi hi,

Hija e nënës dhe e babës

Shuajn xixa mbi gurin e zi…

 

 

LISI

 

U përkulën majat në stuhi

Ca degë u thyen,

Të tjera përsëri

Të lodhura ngritën kryet.

 

Kujtoi se ishte po ai,

Tek shpërfillte duhma shqote

Gjersa ,ndjeu për çudi

Një ngërdheshje zgërboje…

 

Ish plakur dhe s`e kuptoi

Në kohën kur stuhitë

I kërkuan të qëndrojë

Vigan i ripërtërirë…

.

Sa kohë hijeshonte

Duke i pritur ato,

Zgërboja thellonte

Dobësinë që e përvëlo…

 

E priti dhe stuhinë e fundit

Pastaj ra dhe u shemb,

Zgërboja e mundi,

Në një terr që dhemb…

 

 

KRESHNIKËT

 

Ata në male kanë jetuar,

Pastaj u kthyen në legjenda,

Si imazh flake e përcëlluar

Mbi drurë u varet mjekra.

 

Ish-armiqtë vijnë sot,

Turistë me një çantë në krah,

Kreshnikë s`ka më këtu,

Një shenjë lugina s’ka.

 

Kreshnikë, paska qenë e thjeshtë,

Armiqtë të na vijnë si miq,

Viganë u ngritët ju atëherë,

Në shpate si thikë.

 

Dhe i zbrapsët aq larg,

Në maja vutë kufijtë,

Përrenjtë mbushët me gjak,

Barotin përpitë.

 

Kreshnikë s’ka qenë e thjeshtë,

Po nëse kthehen në armiq,

E dimë, nga dheu dilni shpejt

Duke gjykuar orën tonë të ligë…

+++

Iluzionet i hedh,

Leckë, me të cilën

Pastroj dështimet.

+++

Kodrat e tua

Mbi zemrën e butë

Gamile që pinë ujë.

+++

Shatërvani ,

Duf i tokës,

Bie te këmbët.

+++

Zëra të kohës

Në korin e ardhshëm

Shkrihen.

+++

Kur të shoh të lodhur

Më duket se s`më do

Vuajtja jam ,ajo..

+++

Kjo bukë që hamë

Në fusha u korr

Djersën kush e vodh?…

+++

O mëmë, në gjunjë të bie

Për gjitha dobësitë,

Po ku të gjej?…

+++

Trupi yt lakuriq,

Ikur nga Leonardo

Bukuroshe me flatra…

+++

Nuk jam një poet

Mpiksje ajri jam

Para britmës.

+++

Krakëllin një portë

Era e shtyn

Kush nuk hyn…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube