Zgjedhjet e 24 majit 1992 janë themeli i shtetësisë së Kosovës bazuar në filozofinë politike të Ibrahim Rugovës

Nga Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi
Sot bëhen 28 vite nga dita kur në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe të presidentit të Republikës. Këto zgjedhje i organizoi Këshilli koordinues bazuar në dokumentin themelor, kushtetutën demokratike të Kaçanikut. Votimet për të zgjedhur një parlament të ri, të parin parlament të pavarur, si dhe Presidentin e vendit u bënë më 24 maj të vitit 1992. Kushtetuta e Kaçanikut kishte përcaktuar numrin e deputetëve me 143 vende në parlament. Për këto zgjedhje kandiduan 511 kandidatë nga 22 parti politike si dhe grupe shoqërore e etnike në Kosovë. Kandidaturë e vetme për president ishte ajo e liderit të konfirmuar të shqiptarëve, Ibrahim Rugova. Rugova përfaqësoi jo vetëm vullnetin e Lidhjes Demokratike, por edhe të gjithë partive të tjera politike pjesmarrëse, përfshirë Partinë Parlamentare, të cilën nga viti 1996 do ta drejtonte Adem Demaçi.
Qeveria serbe i shpalli zgjedhjet të paligjshme dhe vu në veprim një numër të madh policësh për të bërë presion dhe penguar procesin zgjedhor. Megjithkëtë në votime morën pjesë 89.32 për qind e zgjedhësve dhe 99.7 për qind prej tyre votuan për president Ibrahim Rugovën. Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi 76 për qind të votave dhe vendeve në parlament, të përkthyera në 574.755 vota gjithsej, të cilat i korespondonin 96 vendeve në parlament. Partia Parlamentare e Kosovës fitoi 4.86 për qind, e barabartë kjo me 36.549 vota duke u paraqitur në parlament me 13 vende. Pas saj vinin Partia Fshatare dhe Partia Demokristiane e Kosovës me pak më shumë se 23 000 vota secila dhe me 7 vende, gjithashtu secila, në parlament.
Në zgjedhje morën pjesë kryesisht shqiptarët dhe turqit, ndërsa nga minoriteti serbo-malazez numri i pjesmarrësve në votime ishte i vogël. Sipas kushtetutës dhe sistemit zgjedhor 14 vende, ose 10 përqind e tyre i takonin kandidatëve serbë, të cilët bojkotuan procesin zgjedhor. Por këto vende mbetën gjatë gjithë kohës të paplotësuara, si e drejtë e minoritetit serb për t’i administruar ato. Një akt i tillë nuk ishte ndërmarrë nga faktorë kërcënues e detyrues, përkundrazi kjo ishte shprehje e filozofisë së paqes dhe e së drejtës ndërkombëtare për respektimin e të drejtave të pakicave. Ndërkaq ishte akt, me të cilin shqiptarët dëshmuan diferencën me politikën e Milosheviçit në trajtimin e pakocës serbo-malazeze.
Parlamenti i ri tentoi të konstituohej për herë të parë me 23 Korrik 1992, fshehtas në një shkollë fetare islamike në Prishtinë, por në hyrje të shkollës u pengua nga forca të shumta policore të armatosura rëndë. Pesë deputetë u arrestuan dhe u dënuan me burgim me dy muaj, “për aktivitet armiqësor kundër territorit të Republikës së Serbisë dhe cënimin e kushtetutës së saj“. Prandaj dhe Parlamenti i Kosovës i zhvilloi punimet e tij në grupe pune, kryesisht në ekzil, në Shqipëri e në Maqedoni, ku deputetët u detyruan të arratiseshin, pasi u kërcënuar prej masave represive të shtetit serb, të cilin këta deputetë e kishin shpallur jo legjitim në territorin e Kosovës.
Jens Reuter shkruan se “Shteti paralel ia arriti deri në fillim të vitit 1996 të zbatojë politikën e rezistencës paqësore“, kohë kur fillon edhe radikalizimi i jetës politike në Kosovë, si pasojë e mosvëmendjes që i kushtoi bashkësia ndërkombëtare në Dayton si dhe masave represive të qeverisë serbe të Millosheviçit.
Kritikë të ndryshëm e kanë goditur veprimtarinë e këtij parlamenti në kohën e administrimit të dhunshëm të Kosovës nga ana e Beogradit, por në parim dhe deri diku në praktikë analistët dhe studiuesit kanë zbuluar atë që është thelbësore, shprehjen e vullnetit të shqiptarëve të Kosovës në formë të pranueshme juridike për arritjen e formimit të shtetit sovran e të pavarur. Profesori i shkencave juridike në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare i Universitetit të Kölnit në Gjermani, Georg Brunner, i cili është dhe një nga personalitet më të spikatur të shkencës ndërkombëtare në këtë fushë, e quan periudhën e viteve 1990 si periudhë të sundimit të dyfishtë të Kosovës; nga njëra anë të sundimit të dhunshëm të Serbisë dhe nga ana tjetër të sundimit të institucioneve paralele të promovuara nga shqiptarët. Ai e konsideron të justifikuar nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare një shprehje të tillë të vullnetit të shqiptarëve në Kosovë për vetëvendosje. Ai shkruan se “Në pikëpamjen e organizimit shtetëror u zhvillua sistemi i shkollave, shëndetësisë, taksave dhe shtypit, të cilat … nuk mundën të evitoheshin nga ana e administratës qendrore serbe“.
Kjo përbën qasjen thelbwsore të shprehjes së aftësisë shtetformuese të tyre. Nga ana tjetër, presidenti i Kosovës, Rugova, si dhe qeveria në ekzil ishin pranuar si partnerë të rëndësishëm nga bashkësia ndërkombëtare. Ndonëse në potokollet e veprimtarive ndërkombëtare Rugova emërtohej si “lideri i shqiptarëve të Kosovës“, ai pritej në Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit të SHBA, në Paris, në Berlin, Londër, Romë e gjetkë nga liderët e shteteve e të qeverive me protokollin e pritjeve për kryetarë shtetesh.
Në konferencat ndërkombëtare ishte i pranishëm edhe zëri i shqiptarëve të Kosovës. P.sh më 19 shkurt 1993 Rugova parashtroi para bashkësisë ndërkombëtare në një mbledhje në Atlanta të SHBA-së një plan prej 10 pikash për zgjidhjen e çeshtjes së Kosovës, ku bëhej thirrje që popullsia shqiptare në Kosovë të merrej në mbrojtje nga një prani ushtarake e civile ndërkombëtare dhe Kosova të shpallej protektorat ndërkombëtar. Në këtë plan thuhej se gjatë një periudhe tranzicioni Kosova do të duhej të të shprehej me referendum për vetwvendosje dhe statusin e saj. Ndonëse në kushte të tjera, procesi i zhvilluar nga Rambujeja më 1999, si dhe vetë diskutimet e metejshme për statusin e Kosovs ishin një proces i projektuar në propozimet e Rugovës në atë Konferencë.
Të gjitha zhvillimet prej 24 majit 1992 e deri më 17 shkurt 2008 kanë në themel mendimin politik e filozofik të Ibrahim Rugovës, bazuar në konceptet e modernitetit politik për statusin dhe sistemin politik në Kosovën e mëvehtësishme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube