Zgjedhjet e 25 prillit dhe hallet e shqiptarëve

Varfëri, pesimizëm, Covid-19, demagogji, figura të panjohura dhe debat pa platformë

Dy grupimet garuese shihen në ekran si armike të njëra tjetrës, pasi  afrimin e votuesve e shohin tek sharjet dhe fyerjet ndaj njera-tjetrës

Nga Albert Z. ZHOLI

Në kulmin e Pandemisë, ku shqiptarët ndodhen në udhëkryq të shumë problemeve, në plan të parë po dalin zgjedhjet e 25 prillit. Dhe pse problemet jetësore janë akoma më të mëdha, varfëria është rritur, të gjithë sytë e njerëzve janë mbërthyer në ekranet televizivë  nga mëngjesi në mbrëmje. Ritmi i punës  në administratë thuajse është inegzistente, lëvizjet në mbrëmje tejet të kufizuara dhe i vetmi ngushëllim shqiptar mbeten ekranet e televizorëve që mbyllen në mesnatë. Në këtë peruudhë të vështirë ushqimi më i bollshëm i shqiptarëve mbeten lajmet politike. Duket sikur zgjedhjet kanë filluar dhe po vazhdojnë me raunde dhe jeta e etheve se kush do fitojë  duket se pulson me ritmin e datës 25 prill. Pyetjet dhe hamendësitë i kalojnë  caqet e normales. Kush do të fitojë  dhe kush do ta formojë qeverinë?! A do të mund të fitojë Basha pas 8 vjetësh në opozitë? Çfarë premton koalicioni i PD? Po PS me aleatët e saj, në çfarë “pike vlimi” ndodhet? A janë pasqyra e vërtetë e PS figurat e reja që do garojnë?  Si do të veprojë Rama nëse humbet zgjedhjet, a do të japë dorëheqjen? Po Basha?! Cili është roli paraprak i  ndërkombëtarëve në këto zgjedhje? A e kanë dëgjuar kryetarët e partive zërin e Kim për pastërinë e figurave garuese?!  Këto dhe shumë të tjera janë pyetjet që shtrojnë dhe diskutojnë që nga fshatari që punon tokën, bariu që ruan dhentë dhe deri tek analistët dhe vetë Kryeministri Edi Rama. Situata duket e qetë në sipërfaqe, por e ndezur përbrenda. Askush nuk i parashikon në mënyrë absolute rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Askush! Sondazhet sot përcjellin fitoren e koalicionit të majtë, të nesërmen gdhihemi me fitoren e koalicionit të djathtë. E majta pret dhe propagandon një fitore të pastër, dhe pse vjen pas shumë gabimeve në qeverisjen 8-vjeçare. Kryeministri vijon me një propogandë dhe pafundësi reklamash butaforike që e bombarduan opinionin vendas me një paradë suksesesh si asnjëherë tjetër. Përballë tij Basha sjell për çdo ditë dështimet dhe mangësitë e qeverisjes Rama duke e vënë theksin në kërkesat e shumta të shqiptarëve për azil në Evropë. .

Lind pyetja, si është situata ekonomike, çfarë po sjellin dhe si është gjendja aktuale e shqiptarëve para zgjedhjeve? Aktualisht vihet re:
-Se kodi elektoral i zgjedhur sipas të dyja grupimeve politike është më i papërshtatëshmi për Shqipërinë tonë të vogël dhe me demokraci ende të brishtë.
-Se pushteti të jep privilegjin të jesh më komod në zgjedhje, me përkrahje më të madhe nga biznesi dhe me mundësi propogandistike më të madhe.
-Se po shohim një progres në raport me të gjitha zgjedhjet e mëparshme pasi nuk ka mitingje, nuk ka postera masive dhe antimitingje.

–         Ende klasa politike shqiptare, vuan nga sindroma e etjes për pushtet dhe e mos daljes përtej kësaj sindrome, për çështje më madhore, apo për interesat e përgjithshme të vendit, popullit. Fyerjet dhe sharjet në ekrane tregojnë qartë se para pushtetit interesat e popullit ngelen në minorancë.
-Se ende disa politikanë të vjetër dhe pse nuk kanë shfaqur ide, nuk duan të shkëputen nga poltronet e deputetllëkut, Duke bërë ekspertin dhe duke dhënë ide që nuk kanë mbirë farë.
-Se në politikë u futën të rinj jo për nga bindjet, aftësitë, idealet, kontributet, por vetëm se kanë njohje personale, tarafe me drejtuesit e partive apo vijnë nga fusha e biznesit të suksesshëm, që gjejnë përkrahje në popull për pasurinë dhe jo për aftësitë intelektuale.  .
-Se vota ende nuk mund të quhet plotësisht e shenjtë , dhe njerëz të veshur me pushtet mendojnë se mund të tentohet të luhet me të.
-Se PS, po tregohet euforike dhe nuk ka si rrugë fitoreje mangësitë në organizimin e kundërshtarit, por përfoljen e kandidatëve të tyre.

-Se në Shqipëri, njerëzit të ardhmen e tyre , fatin e familjeve të tyre e kanë varur tek politika dhe jo tek aftësitë individuale, inisiativa e lirë.
–Se militantizmi në vend të venitet po merr përmasat e një vullkani.

Para këtyre zgjedhjeve, sa halle kanë shqiptarët? Ose më mirë, sa kilometra vargon shumatorja e halleve tona?

Për më pak, cilat janë hallet tona të përditshme pas atyre harxhimeve marramendëse për fushatën zgjedhore?
Nuk ka ndonjë filozofi të veçantë për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje. Një vëzhgues empirik i evidenton shpejt dertet e shqiptarëve me një të parë në rrugë. Ato më së paku e kanë emrin, politikë e egër, papunësi, varfëri, bukë me listë, ekonomi shtëpiake me xhepa të grisur, ecje pa drejtim,  shëndetësi që po del problematike dhe  reformë në arsim që nuk dha rezultatet e duhura.

Pse çalojmë ne të vjetrit e Evropës (këtë e themi me krenari, për të tjerat padashur ulim kokën), kaq shumë në kondicionet minimale të jetesës kur çdo ditë e më shumë flasim për standarte europiane.  Përgjigjen më të mirë po e japin diskutimet dhe debatet televizive si dhe listat e kandidatëve që dolën për këto zgjedhje…

-Pandemia dhe zgjedhjet

Po jetojmë periudhën kur Covid-19 ndodhet në zgrip. Spitalet të mbushur dhe familjarë të alarmuar. Ende nuk ka filluar vaksinimi në popullatë dhe sinjali për mbarëvatje të vaksinimit nuk po sheh kurbën e duhur. Pandemia ka zbehur fushatën e mitingjeve, por ka shtuar propogandën televizive dhe rrjeteve sociale. Gjithë mediat vizive dhe pse  e dinë rrezikshmërinë e Covid, ftojnë pambarimisht politikanë për të shpalosur idetë e tyre dhe mendimin politik disa herë dhe duke thyer rregullat anti-Covid duke harruar rrezikshmërinë. Nëse gjithë bota e qytetëruar shpalos plane vaksinimi dhe luftimi të Covid-19, politika shqiptare është e mbërthyer në ethet zgjedhore për pushtet. Koherenca dhe shpejtësia e transmetimit të  ngjarjeve, ndodhive aktiviteteve politike, kulturore etj, e bëjnë median televizive në këto situata ushqimin shpirtëror më të pranueshëm.  Covid po bën kërdinë, ndërsa politika mendon për pushtetin, zgjedhjet, kolltuqet, përfitimet dhe aleancat  e pa kritershme vetëm në funksion të fitores. Kjo është vija ndarëse e një realiteti të hidhur shqiptar. Një vijë ndarëse që portretizon dy grupimet garuese si armike të njëra tjetrës, pasi  afrimin e votuesve nuk e shohin tek platformat ekonomike, tek arsyetimi po sharjet dhe fyerjet ndaj njera-tjetrës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube