Zhdukja e kufomave është krim i dyfishtë i Serbisë në Kosovë!

Nga Enver Bytyçi

Pas një jave do të takohen në Bruksel ekipet negociatore të Kosovës dhe të Serbisë. Si gjithnjë, Miroslav Lajçak do të jetë moderatori i këtij takimi të rëndësishëm. Dialogu do të hyjë në një fazë të re. Nuk do të ketë më sezon pushimesh për ndërprerjen e tij. Megjithatë palët do të takohen, do të flasin, do të konfrontohen e përplasen, së paku deri në pranverën e vonë të vitit të ardhshëm rreth një teme të caktuar: – Gjetjen dhe ndriçimin e të vërtetës për të zhdukurit shqiptarë të masakruar nga ushtria dhe policia serbe.

Edhe SHBA-të nuk do të kyçen në këtë dialog deri nga pranvera e ardhshme, sepse ato e dijnë se pa u bërë zgjedhjet presidenciale në Serbi, Aleksandër Vuçiç do të bëjë të fortin. Nuk do të pranojë asnjë opsion për t’i dhënë fund konfliktit shqiptaro-serb. Nuk do të pranojë as kërkesën humane që të gjallët të mësojnë për fatin e njerëzve të tyre të dashur të zhdukur nga shteti I Vuçiç, në të cilin ai ishte ministër informacioni. Madje si ministër informacioni ka shumë mundësi që ai të jetë në dijeni të atij aksioni kriminal në kub!

Në pranverën e ardhshme, diku nga muaji maj, do të bëhen zgjedhjet e reja për presidentin e Serbisë. Do të bëhen gjithashtu zgjedhjet parlamentare, të premtuara nga presidenti aktual i vendit për shkak të bojkotit të zgjedhjeve të kaluara të opozitës serbe. Këto zgjedhje janë vendimtare për zotin Vuçiç. Rizgjedhja e tij çon në thyerje rekordi të pushtetit të tij në Serbi, përfshirë edhe periudhën e sundimit të Sllobodan Milosheviçit. Liderët e korruptuar ballkanikë vuajnë nga deliri i madhështisë historike dhe besojnë se kohëzgjatja në pushtet është kushti themelor i hyrjes në historinë kombëtare. Prandaj dhe Aleksandër Vuçiç nuk do të tolerojë asnjë kompromis deri në zgjedhje sa i përket Kosovës.

Por a duhet shpresuar se pas zgjedhjeve ai do të “zbutet” dhe do të ofrojë zgjidhjen e kërkuar nga ana e Kosovës?! Asnjë shpresë për këtë nuk duhet ushqyer. Megjithatë pas zgjedhjeve situata do të jetë më e ç’tensionuar. Por ne jemi në kushtet e sotme, të ndryshme nga ato që do të jenë verën e vitit 2022. Në kushtet e tanishme duhet të dihet se me Serbinë nuk flitet as për dialog, as për tema diskutimi, aq më pak për zgjidhje të konfliktit midis të dy vendeve. Edhe nëse Albin Kurti do të bëhej “pulë” para Aleksandër Vuçiç, zgjidhje nuk do të kishte.

Në këto kushte pas shtatë ditësh, kur ekipet takohen, ato do të flasin për axhendën e bisedimeve midis Kurtit dhe Vuçiç, por nuk do të parashkruajnë ndonjë projekt-marrëveshje, qoftë të ndërmjetme, midis tyre. Do të vazhdojë loja e ping pongut midis palëve. Serbia do të dojë të “shihet nga e ardhmja”, duke bërë sikur në të shkuarën nuk ka ndodhur asgjë. Madje nëse do të flasë për çka ka ndodhur, do të akuzojë viktimat e veta se “ia paskan turbulluar ujin serbëve”! Ndërkaq Albin Kurtit i duhet të këmbngulë që të ndriçohet e kaluara dhe kjo e kaluar nis me gjetjen dhe ndriçimin e fatit të 1634 të zhdukurve nga ana e aparatit shtetëror represiv e genocidal të Serbisë.

Albin Kurti e rikthesoi në prag të hapjes së bisedimeve se gjetja e eshtrave dhe marrja e përgjegjësisë nga ana e Serbisë për këto viktima të shkaktuara nga ajo, është çelësi i bisedimeve, të cilat të çojnë në një zgjidhje. Nuk ka e nuk mund të ketë tolerancë as nga ana e Kosovës, as nga ana e institucioneve europiane e ndërkombëtare ndaj akteve të tilla. Bota demokratike konsiderohet të jetë edhe një botë humane. Ndaj është e pamundur që Brukseli apo Uashingtoni të mos mirëkuptohen me kërkesën legjitime të Kosovës për të gjetur eshtrat e të zhdukurve qëllimisht nga shteti i Serbisë. Nuk është se mbi 3000 shqiptarët e masakruar i morën dhe i zhdukën aleinët. Jo. Ata janë vendosur diku sipas një projekti ose të një plani të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Janë dhënë urdhëra dhe detyra nga segmentet politike dhe ushtarako-policore për kryerjen e këtij akti kriminal të padëgjuar në histori.

Zhdukja e kufomave ishte përpjekje për të zhduk gjurmët e krimit. Ndërsa jo-gatishmëria e sotme e Aleksandër Vuçiç për të ndriçuar të vërtetën është gjithashtu përpjekje për t’i mbajtur ende të fshehta ato gjurmë krimi. Ky është problemi me të cilin duhet të ballafaqohet presidenti dhe qeveria e sotme e Serbisë. Dhe kërkesa e këmbngulja për këtë ballafaqim është e drejta bazike e shtetit të Kosovës dhe institucioneve të tij.

Madje sa më shumë që Beogradi këmbngul të mos gjejë lokacionet e rivarrimit të shqiptarëve të masakruar e ende të pagjetur, sa kohë që autoritetet e shtetit serb nuk hapin arkivat për të hulumtuar atë që ka ndodhur në të vërtetë, aq më shumë duhet të intensifikohet aktiviteti politik e diplomatik i Prishtinës për ta demaskuar krimin makabër genocidial të shtetit, ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë. Edhe sikur të bëhen bashkë toka dhe qielli, kurrë nuk mund ta çmontojnë të drejtën e Kosovës për drejtësi.

Albin Kurti bëri me dije se do t’i qëndrojë kësaj kërkese të drejtë e legjitime. Se do të kërkojë nga BE dhe ndërmjetësuesit e Brukselit të ndihëmojnë për këtë të drejtë. Ndërkaq Aleksandër Vuçiç nuk do ta pranojë kërkesën e kryeministrit të Kosovës. Madje as të Brukselit, nëse ai pozicionohet në përkrahje të qeverisë së Kosovës. Sepse Vuçiç do justifikohet me humbjen e zgjedhjeve presidenciale e parlamentare të pranverës së vitit të ardhshëm. Prandaj loja do të vazhdojë, por pa rezultat konkret.

Megjithatë zoti Kurti duhet të bëjë me dije se kërkesa për të ndriçuar të kaluarën do të jetë edhe më e fuqishme në të ardhmen. Aq më tepër që kohët e fundit kësaj kërkese për të pagjeturit kroatë i është bashkuar edhe presidenti dhe qeveria e Kroacisë. Koha punon për Kosovën, për humanizmin dhe humanizmi është paqe e stabilitet. Koha nuk punon për rikthimin e Serbisë së Milosheviçit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube