70 vjet nga vrasja e desantëve të kompanisë 4000

Nga Kastriot Dervishi

Në mesnatën e 23-24 korrikut 1951, i nisur nga Athina, u hodh me parashutë, ai që u quajt “grupi i Vergoit”, i cili ishte desantimi i dytë (i pari ishte bërë më 11.11.1950) i shqiptarëve të kompanisë 4000 në Mynih, e cila u ngrit nga amerikanët. Ata ishin:

-Riza Abazi nga Kllogjri (përgjegjës grupi)

-Muhamet Hoxha nga Gjirokastra

-Fidai Veliu nga Fushë Bardha

-Kasem Shehu nga Konispoli

Vetëm ky i fundit u shkëput nga grupi dhe desantoi në largësi. Duke qenë një zbritje e spiunuar, ishin porositur barinjtë të kishin kujdes. Më 26.7.1951, ora 10.00 një nga desantët pyeti një fshatar nëse shkonin florinjtë këtu. Fshatari dyshoi dhe spiunoi menjëherë. Po këtë ditë, ora 15.00 djaloshi Mihal Pano Gjika nga Senica që kulloste delet në mal, vërejti dy persona të dyshimtë të veshur ushtarakë, të cilët ishin duke u çlodhur. Lajmëroi Sigurimin në Vergo. Rreth orës 23.00 të po kësaj dite, në postbllokun e vendosur, ku ishin dy ushtarë dhe dy banorë të fshatit Senicë, vjen Kasem Shehu nga Konispoli, të cilit i kërkohet parulla. Meqë parullë nuk dinte, dorëzohet.

Më 27.7.1951 organizohet kërkimi në rrugën Tatzat-Kalasë dhe në drejtim të malit të Zhulatit. Në kërkim merrte pjesë populli i fshatrave Kalasë, Vergo, Senicë. Pas kërkimesh, njësiti i përbërë nga një kapter e dy civilë, diktoi Fidai Veliun dhe Riza Abazin, të cilëve u kërkoi të dorëzoheshin. Këta hoqën rrobat ushtarake dhe u veshën civilë. Rrethohen nga populli i Kalasës dhe nuk pranojnë të dorëzohen. Fidai pasi zbrazi gjithë plumbat, vrau veten me plumb në gojë. Rizain e kapën të gjallë dhe sipas dëshmisë së Muhamet Hoxhës, e tërhoqën zvarrë me litar, aq sa dha shpirt. Në rrethim morën pjesë gratë e fshatit Kalasë, ndër të cilat Ferko Rako (të cilën e kapi një plumb), i qëllonte me gurë desantët.

Më 27.7.1951, ora 7.00, mbi fshatin Varfanj, fshatari Mitat Cani takoi desantin Muhamet Hoxha i cili i kërkoi ujë. Mitati njoftoi policinë e më pas popullin. Desanti vijon udhëtimin në Varfanj e takohet me bariun Bako Canaj dhe Kristo Velçon nga Kudhësi, të cilët e kujtuan ushtar dhe i folën. Desanti iu përgjigj: “Nuk jam shok, por amerikan, kam ardhur për të çliruar Shqipërinë”. Kristo i drejtohet i zëmëruar për t’i marrë automatikun, me fjalët: “Shqipëria është e çliruar dhe ka Zot. Shqiptari-shqiptarin nuk e tradhton, por ti nuk je shqiptar, je amerikan”. Më pas u rrethua në përroin e Kardhiqit dhe u kap i plagosur. Muhameti (në foto), i vetmi i mbetur gjatë në këtë histori, vuajti dy dënime duke bërë gati 23 vjet burgim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube