A duhet te heshtim? Jo!

Shkruan: Fahri Xharra

“Me politikat ditore, kur vullneti i popullit e në veçanti vullneti i individit të suksesshëm dhe intelekti krijues plagoset thellë në shpirtin e tij, atëherë pason jeta e amullt dhe mosinteresimi i njeriut për të ardhmen e tij dhe të shoqërisë – si pasojë e depresionit social e kulturor. Pra, shoqëria, e cila nuk merakoset për çështjen e individit krijues dhe nuk shpreh asnjë interesim për të arriturat e tij në shumë fusha shoqërore me interes kombëtar, atëherë pason “ndërtimi” i një shoqërie me vlera të ulëta, ekonomi të rrënuar dhe pa ndonjë identitet kulturor.”

Atdheu në ankand

Si duket, atdheu ynë është hedhur në ankand! E ju i dini mirë rregullat e ankandit. Mallin e ekspozuar nuk e merr, as mund ta ketë ai që e do, ai që lutet për të, por ai që ka paratë. E paratë, në këtë atdheun tonë të dashur, të respektuar e të adhuruar prej një pjese, nuk i ka kjo pjesë, por pjesa tjetër: Ata që e duan, e adhurojnë, e dashurojnë po kaq sa këta të parët, por kjo dashuri është e ndryshme. Të parët e duan, e adhurojnë, e dashurojnë si adhurohet dhe respektohet nëna, ndërsa të dytët si mund të duhet, të dashurohet dhe të adhurohet lavirja. Ky ndryshim ‘i vogël’ i dallon këto dy grupime atdhetarësh dhe ”atdhetarësh”. Heshtja e grumbullit është normale, nuk pritet shumë nga grumbulli: “Eposi i Kreshnikëve” (ose Cikli i kreshnikëve) përbëhet nga këngë të ndryshme epike, ku këngët kryesisht shoqërohen me lahutë. Zonat ku eposi këndohet janë të shumta në Shqipërinë e sotme dhe në Kosovë, si: Malësi e Madhe, Dukagjin, Has e shumë rrethe të tjera dhe Kosova rrezikon të humbë afatin për të futur në UNESCO “Eposin e Kreshnikëve”(shkruan shtypi). Prandaj, një shoqëri e ngritur mbi burimet e mirëfillta njerëzore, të humanizmit dhe të sukseseve individuale, në kuptimin e shëndoshë të fjalës, ose të të kuptuarit e kreativitetit individual, patjetër se do të vishet me vlerat dhe epitetin e një shoqërie bashkëkohore, të avancuar dhe të pranueshme në skenën e vlerave njerëzore gjithandej botës së qytetëruar, ngase shoqëria duhet të jetë e veshur me gëzofin e vërtetë të historisë së tij! Serbët ende, por e gjithë jetën e paraqesin Kosovën si konflikt i traditës historike: “Jerusalemi serb vs tokës së vjetër Shqiptare”( botim i Akademisë së Shkencave të Serbisë).

Shpëtimi nga “sllavizmi”

Nocioni “Kosovo” i tregon kuptimet e ndryshme, të cilat janë në kundërshtim të vazhdueshëm për komunitetet që jetojnë në Kosovë. Për serbët është një territor i vjetër serb, një tokë e shenjtë serbe, një kulturë mbresëlënëse në rritje, e cila u shkëput brutalisht me okupimin otoman dhe që ishte edhe një shkëputje e serbëve nga lidhja e tyre me Krishterimin dhe Evropën (?). Grumbulli i ynë mu këtë okupim e sheh si një shkëputje tjetër, si një shkëputje dhe shpëtim nga “sllavizimi”. Me teorinë e grumbullit tonë i japim një kuptim edhe më të plotë teorisë perverse dhe agresive serbe në shtrembërimin e mëtutjeshëm dhe të pandershëm të tyre për Kosovën. Derisa ne të vërtetat tona i paraqesim si mite dhe na dukën si mite dhe pandërprerë mundohemi të “çmitizojmë” historinë tonë serbët e shkruajnë këtë:“Legjenda për Kosovën gradualisht u përzie me traditat popullore duke marrë përpjesëtime mitike e të cilat janë shkrirë në një gurthemel të identitetit të Serbisë moderne. Por, për serbin, sot e gjithë ditën, Kosova qëndron si një si tokë e shenjtë serbe, ku serbët sistematikisht janë “persekutuar dhe përjashtuar nga ajo që të jenë sllavë dhe pravosllavë (ortodoks sllavë) për gjatë tre shekujve të kaluar.” A mos na thotë kjo diçka? A mos është kjo një plagjiaturë historike, e cila në vend të emrit shqiptar e shkruan serb? Grumbulli nuk mundet të reagojë, duhen individët e përkrahur nga institucionet shtetërore, duhen institucionet e larta dhe të kualifikuara kombëtare të përkrahen nga shteti.

Kosova simbolizon tokën shqiptare

Serbët për turqit otomanë flasin jo vetëm si pushtues, por edhe persekutorë të tyre, të cilët me ‘aleatët e tyre, shqiptarët myslimanë’ si dhe emigrantët ilegalë, të cilët zbritën nga malet e larta të Shqipërisë veriore dhe asaj të mesme dhe i vendosën në fushat e rrafshëta kë Kosovës dhe Metohisë. Por, serbët ankohen se edhe regjimi komunist i Titos i ka “përkrahur” pushtuesit shqiptarë si dhe që në kohën e tij, duke i mbështetur komunistët e Kosovës me qëllim decentralizimi të Federatës Jugosllave e kanë hequr termin Metohi, duke e thjeshtësuar Kosmetin vetëm në Kosovo. Turqit e sotëm nuk guxojnë të ndërhyjnë në “historinë” serbe. Akademia serbe është e vetëdijshme se sot Kosova e simbolizon tokën e vjetër shqiptare, e cila drejtpërdrejt lidhet me ilirët e Dardanisë e edhe më larg me pellazgët. Ata e dinë mirë se shqiptarët ishin viktimat më të mëdha në Ballkan, duke iu mohuar e drejta për një shtet të përbashkët si trashëgimtar krenar të ilirëve-pellazgëve. Për këtë e për ne thonë se çdo gjë është me një “gjetje tradicionale, e cila nuk ka asgjë të përbashkët me fakte të vërtetuara historike dhe se miti i origjinës ilire të shqiptarit modern është i bazuar në mite dhe grupe të caktuara të interesit. (?) (E njëjtë me ata pjesëtarët e grumbullit). ”Kosova e Metohia ka qenë kryesisht e banuar me serbë dhe nga ajo që herët rrjedh se është qendra prestigjioze serbe e politikës dhe e kulturës së saj (Barisha Krekiq, “Medieval Serbia: he Nemanyids and Byzantium”). Ja se si vazhdohet me historinë e tyre “jo të miteve”: “Gjatë sundimit otoman një numër i caktuar i feudalëve serbë (?) duke hyrë në sistemin Spahi dhe eventualisht edhe duke u islamizuar i shndërruan serbët ortodoksë dhe grupet e tjera etnike jomyslimane në rajë, një klasë e dytë e qytetarëve për fundi rregullës së lartë të Perandorisë Otomane”. Kur ne nuk flasim dhe e mohojmë të kaluarën tonë, të tjerët e grabisin (në këtë rast serbët) atë dhe bëhen zotë të një të kaluare, e cila nuk iu përket aspak.

Histori e bazuar në epe

Epika dhe mitet serbe janë ato që e kanë ngritur lart të “vërtetën” e tyre historike të së “drejtës” mbi Kosovën dhe jo vetëm mbi Kosovën…“Epika e shpërndarë në shekuj dhe e kënduar nga mjeshtrit e talentuar të gusllës (lahutës) historikisht ka dërguar kumte (mesazhe) të ndjenjave dhe kumte politike në baladat e tyre epike duke e pasur gjithmonë Kosovën në qendër, duke i bërë heronjtë të pavdekshëm për përgatitjen për një vetëdije të lartë kombëtare serbe pas çlirimit nga otomanët (Ivan Bozhiq, “Neverstvo Vuka Brankoviqa” in Ivan Bozhiq & Vojislav J. Gjuriq, eds). Pra, e tërë historia serbe, sipas tyre, bazohet në epe, balada, këngë gusllash, të cilat e marrin formën e “vërtetësisë” në historiografinë serbe. Shpërngulja e madhe serbe thuhet pastaj në librin e Batkoviqit ishte një shans i madh për ndërrimin demografik në favor të shqiptarëve . “Janë serbët ortodoksë (?) ata që iu bashkuan forcave Habsburge në luftë kundër otomanëve. Janë edhe serbët ata që u shpërngulën nga këto anë nga “dhuna turke”. Ishte ajo një luftë e të krishterëve, e cila u bë shkaktare e ikjes së paku 39 000 familjeve (me nga tre deri në nëntë anëtarë) “serbe“. “Asnjë fjalë për shqiptarët. Asnjë fjalë për shqiptarët ortodoksë e katolikë që ikën dhe u shpërngulën në tokat e Austro-Hungarisë; as nga serbët e as nga shqiptarët; as nga historia e shkruar serbe e as nga ajo e shkruar shqiptare. E dokumentet në arkivat e Austro-Hungarisë flasin ndryshe. Ato vetëm duhen të shfletohen, të filmohen, të përkthehen dhe të botohen. Serbët ishin dhe janë aq të pafytyrë kur është në pyetje grabitja e historisë sonë për të sajuar historinë e tyre: “Procesi më i dhimbshëm në konvertimin religjioz të serbëve e mbërriti kulmin me albanizimin e tyre, atëherë kur serbët e islamizuar e filluan harresën e përkatësisë së tyre etnike, identitetit të tyre etnik dhe u krijuan arnautashët. Arnautashëve me kalimin e kohës iu zhduk mbamendja e origjinës së tyre serbe (Jovan Cvijić, La péninsule balkanique. Géographie humaine ,Paris): “Për një kohë të gjatë serbët myslimanë të albanizuar (Arnautashët) nuk e ndienin veten as turq e as shqiptarë dhe prania e serbe në unin e tyre ishte e pashlyer. Në Drenicë dhe në regjionin e Prokuples arnautashët e kanë ruajtur deri vonë dygjuhësinë e tyre”. Një pështjellim i pamatur i serbëve. Një hajni një kombi të tërë. Një vjedhje e paskrupullt e një historie. Përderisa ne nuk i kthjellojmë faktet tona, historinë tonë, përderisa ne me fakte, e të cilat janë, nuk i kthejmë në tonë (së paku në libra) të gjithë shqiptarët ortodoksë të anëve tona, të cilët janë humbur në krijesën artificiale serbe, ne kemi të bëjmë gjithmonë me humbjen e së kaluarës sonë, të vërtetës sonë dhe të tokave tona

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube