Bardhuli

Nga Edison Ypi

Fshati i Bardhulit ka kodra të buta me forma femrash, lumë, ara të mbjella, ullinj, shumica e shtëpive të reja, të tjerat të ndrequra, kopështe të sistemuara me gardhe të bukura me hardhira. Rrugica bosh. Kanë ikur në kurbet. Katër a pesë lokale.

Gdhihu, ngrysu, mbars gruan, rrit kalamajtë; jeta e Bardhulit rridhte po aq e thjeshtë dhe e vërtetë si uji i Shkumbinit tek ai fshat mes Elbasanit dhe Peqinit. Megjithatë bashkfshatarët e quanin të lojtur dhe e tallnin prapa krahëve. Bardhuli e dinte se e tallnin, por nuk i jepte rëndësi, nuk ua kishte ngenë.

Por nuk mund të lejonte ta tallnin të gjithë. Edhe baxhanakun, për shembull, me të cilin kishte bërë llaf disa herë.

Një natë, duke ngrënë e duke pirë, mes duhmave të rakisë, bullçinjve të mbushur me mish dhe gromësimave, baxhanaku seç i tha për gruan. Këtë Bardhuli nuk e honepsi.

T’nesret u ngrit herët. Drejt në Elbasan. Drejt e te tregu i veglave.

Bleu një sëpatë me teh të ndritshëm me bisht të shkurtër. Duke pritur kusurin e kaloi një herë tehun e sëpatës mbi faqe si brisk berberi. Perëndoi sytë. Ngriti sëpatën lart. Nxori një hungërrimë të mbytur. I ra me sa fuqi kishte një trungu aty afër. Me nofulla shtrënguar la për pak çaste sëpatën ngulur mbi trung. Një adoleshente me gjysmat e sisëve përjashta që kaloi andejpari, sëpatës mbi trung i bëri një foto me celular. Bardhuli liroi nofullat. Shkuli sëpatën nga trungu. E futi në gji’. Mbërtheu xhupin. U nis në fshat ku atë ditë farefisi dhe baxhanaku ishin mbledhur në një gosti.

Në kafenenë ku u ul Bardhuli me sëpatë në gji, mund të pish kafe, të blesh djathë, sheqer, oriz, turshi, shapka, xhinsa, rrip mesi, kinkalerira dhe plot gjër të tjera, por për të shurruar duhet të dalësh jashtë, majtas, rrëzë murit, anës përroit, kthesa e dytë, semafori i tretë.

Rrëfimi i kafexhiut kur gjakrat ishin ftohur, nja një javë pas ardhjes së Bardhulit;

-Ç’më panë sytë atë ditë, notës së vorrit do ja rrëfej. Në dhomën e shtëpisë ku bëhej qoka, Bardhuli erdhi u ul pranë baxhanakut. Ndejti pak. U ngrit. U mbush thellë me frymë plot zhurmë sikur futi në mushkëri krejt zhavorrin e shkumbinit nga Elbasani në Mokërr. Hapi xhupin. Nxorri sëpatën e ngriti përpjetë. Lëshoi një klithmë të amanozotshme. Me një goditje sa i hëngri krahu, i hoqi baxhanakut një pjesë të kokës, një sektor sferik që ra në dysheme si tas. E hodhi sëpatën vring në një qoshe. Kafeneja u mbyt në gjak. Bardhuli doli i heshtur. Iku u dorëzua në Polici.

Pas ca ditësh, një bashkëfshatar matematicien merakli i matjeve të sakta, doli në një konkluzion që i la të gjithë pa ment; Prerja në dy pjesë e kokës ishte realizuar me një precision të tillë që volumet e pjesës së prerë dhe pjesës së mbetur të kokës së baxhanakut të Bardhulit qëndronin ndaj njëri-tjetrit si përqindjet e së Majtës dhe së Djathtës në zgjedhjet e fundit.

Gratë motra. Burrat baruta. Njëri i punës. Tjetri i qefit. I punës në burg. I qefit nën dhe’. Shqiptarë të dy.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube