Edi Rama miku më i dobishëm i shekullit për Serbinë!

Nga Enver Bytyçi

Njerëzit, familjet, fshatrat, qytetet, shtetet kanë miqtë e tyre. Secili entitet përpiqet që ta zgjerojë miqësinë dhe rrethin miqësor, me qëllim që përmes kësaj të përfitojë prosperitet dhe zhvillim, të përballojë sukseshëm sfidat dhe pengesat, kçanrizat dhe konfliktet! Të bësh miq është një zotësi e natyrshme. Ndërsa të bësh miq nga radhët e armiqve, kjo është zotësi e panatyrshme, e jashtëzakonshme! Kështu ka ndodhur në rastin e Edi Ramës dhe miqësisë së pakufishme të tij me Beogradin!

Mbrëmë presidenti i Serbisë, si për të bërë karshillëk ndaj shqiptarëve që mbrohen prej tij, ka postuar një fotografi nga Beogradi! Në fokus është kryeministri i Shqipërisë. Madje vetë presidenti serb është kthyer skiç për shkak se fotografi ka shkrepur prapa shinës së tij. Duhej Edi Rama në tavolinë përballë Aleksandër Vuçiq e në krah të kryeministrit malazez si dhe të zh. kryeministrit maqedonas të ekspozohej si “Mbreti i tavolinës”, si “miku më i dobishëm i të gjitha kohërave për Serbinë”! Duhej që ai të shfaqej në ballin e oxhakut!

Edhe tradita serbe, jo vetëm ajo shqiptare, e respekton mikun. Sidomos mikun e dobishëm, në këtë rast mikun më të dobishëm të mundshëm. I mundshëm apo i pamundshëm Edi Rama tashmë është miku më i dobishëm i presidentit të Serbisë. Edhe sikur Aleksandër Vuçiq të mos arrijë asnjë sukses në jetën e vet politike, miqësia me kryeministrin e Shqipërisë është e mjaftueshme për ta shënuar atë në histori. I tillë ka mbetur p.sh Nikolla Pashiq për shkak të miqësisë së jashtëzakonshme me Esat Pashë Toptanin. Edhe zoti Rama e ka garantuar përjetësimin e emrit të tij me buste, monumente dhe emra rrugësh kryesore në Beograd! Në fund të fundit kjo është edhe ambicja e tij.

Edi Rama është miku i shekullit i Beogradit! I respektuar po aq sa Vladimir Putin! Madje më shumë sesa ai në pikëpamje të afërsisë shpirtërore me liderët e Serbisë. I nderuar dhe i relaksuar si askund si askush tjetër në botë. Vera e kuqe e prodhimit serb është simbolika që duket dhe e shënon Vuçiq në statusin e tij. Por për miqtë specialë ka edhe shërbime të tjera të veçanta, unike në traditën e Serbisë, sidomos të qeverisë së saj. Ne na kujtohet Ivica Daçiq në samite ndërkombëtare i shoqëruar me eskorta të zogjkave nga Serbia, me qëllim që të rekrutonin liderët afrikanë për t’iu kundërvënë Kosovës. Nëse ata nuk e bënin këtë me çeqe bankare, do ta bënin me më shumë para sesa me para!

Prandaj dhe miqësia speciale, pra miku më i dobishëm, në këtë rast Edi Rama, jo vetëm respektohet, por edhe relaksohet me sauna, masazhe dhe shërbime të tjera të paparashikueshme në ndonjë vend tjetër. Edhe vetë sulltanët e Portës së Lartë do ia kishin zili mikut më të dobishëm shqiptar të Serbisë me këto shërbime dhe me këtë respekt të jashtëzakonshëm që i bëhet në Beograd!

Por ajo që e shton kuriozitetin tonë ka të bëjë me atë, se çfarë fiton Shqipëria e çfarë fitojnë shqiptarët në Ballkan nga kjo miqësi midis Aleksandër Vuçiq dhe mikut më të dobishëm të tij në histori, Edi Ramës! Po përmend vetëm disa pasoja!

Shaip Kamberi është deputet shqiptar në parlamentin e Serbisë. Ai prej kohësh flet e kërkon respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Tash presidenti i Serbisë do t’i thotë “Ti e di se kur e ke mirë me Zotin (Edi Ramën) nuk ka nevojë ta respektosh hoxhën ose priftin”! D.m.th se Beogradit as që ia ndjen se çfarë do të thotë Shaip Kamberi e çfarë nevojash ka Lugina!

Ose nëse Albin Kurti, Vjosa Osmani a dikush tjetër ankohet dhe proteston për prezencën e Serbisë në Kosovë, atëherë Aleksandër Vuçiq do t’i thotë opinionit dhe ndërkombëtarëve: – Çfarë kanë ata në Prishtinëe që bërtasin?! Ne i kemi punët shumë mirë me Shqipërinë! Pyeteni Edi Ramën dhe do jua dëshmojë sesa miqësorë jemi ne serbët!!!

Dashuria për mikun më të dobishëm të Beogradit, pra për Edi Ramën, kthehet kësisoj në aventurë, diversion dhe agresion jo vetëm kundër Kosovës, por edhe kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Serbia bëhet fillimisht protektor i zhvillimeve ekonomike në territoret tona. Pastaj ngreh këmbën zvarrë dhe ia hap rrugën edhe Rusisë. Dhe prej varësisë ekonomike kundrejt Beogradit e Moskës fillojnë varësitë e tjera. Kësisoj Edi Rama nuk është vetëm miku më i mirë dhe më i dobishëm i Beogradit, është dhe kumbaroja e investimit ruso-serb në rajon. Ky është misioni i vërtet i Open Balkan!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube