Flet karikaturisti Luan Vrioni: Karikatura është specie në zhdukje, pak mund ta kenë si profesion

– Një pikturist në Vlorë ngatroi emrin e Enverit dhe desh e pagoi me kokë

-Karikatura është arti më inteligjent

-Petro Dode, Sekretari më human dhe më korrekt në Vlorë

Nga Albert Z. ZHOLI

Ka mbi 58 vjet që bën karikatura, por në regjimin komunist për shkak të biografisë ju ndalua krijimtaria në vitin 1975. Revistat “Ylli” dhe “Hosteni”, ishin ato ku ai gjeti shtratin e krijimtarisë së tij. Puna më e madhe ka konsistuar në ndërtimin e muzeumeve të Rrethit të Vlorës, ku veçon atë të Hysni Kapos, në Tërbaç. Ndër Sekretarët e Parë të Vlorës veçon Petro Doden, i cili ishte shumë njerëzor dhe korrekt. Dita më e vështirë ka qenë kur një shoku i tij, bëri një parullë nga nxitimi dhe në vend të shkruante ENVER, shkroi ENEVER. Desh e pagoi shtrenjtë, por meqë ishte i vetmi në Vlorë që gëzonte të drejtën të bënte figurën e Enver Hoxhës, e liruan me një dënim të lehtë.

Kur keni filluar të bëni karikatura   dhe çfarë përbën për ju kjo lloj gjinie e pikturës?

Kjo është pak relative, pasi karikaturat  e para për botim i kam bërë kur kam qenë në shkollë të mesme. Por dhe më parë kam bërë diçka në kohën që kam qenë në shkollë fillore, por ato ishin ndjesi fëminore pa shumë kuptim brenda. Botimi i parë është bërë në vitin 1960, është botuar në revistën më të madhe të asaj kohe, revista “Ylli”. Kam bërë një karikaturë të thjeshtë, një fëmijë që donte të vendoste një llambë që ishte djegur në portollambë. Nuk arrinte dot as me karrige. Atëhere ai hap çezmën, dhoma mbushet me ujë dhe ai arrin që ta vendosë llambën.  Duke qenë lindur dhe rritur pranë detit i njoh mirë këto parime. Unë jam vlonjat nga Berati, pasi Vrionasit dihet, andej janë. Isha në trysninë e biografisë

Sapo mbarova gjimnazin më caktuan mësues në Gorishtë, Rexhepaj  në verilindje të Vlorës, në kufi me Tepelenën. Një fshat naftmbajtës. Në atë kohë kishte mungesa në mësues ndaj merrnin shumë edhe nga ata që kishin mbaruar gjimnazin. Këtu ndenja 6 vjet mësues nga viti 1960-1966, pastaj më hoqën nga mësues për arsye biografie. Pra nga familja e madhe Vrioni. Sa më hoqën prej andej më caktuan në sektorin e dekorit në Vlorë, pra brenda në Vlorë, tek  Uji i Ftohtë.

A kishit botuar sërishmi karikatura në këtë kohë?

Po, unë në këtë kohë kisha botuar sërishmi si tek revista “Ylli”, ashtu dhe tek revista e famshme ‘Hosteni’. Këto ishin dy revista shumë prestigjioze në atë kohë. Ishte koha kur unë preferoja dhe shikoja me shumë kujdes karikaturat e të madhit Zef Bumçi. Ai mbetet për mua i  pazëvendësueshëm. Kisha një shok atë kohë, Niko Shtëmbari, i cili ishte në Akademinë e Arteve të Bukura, dhe ai fliste me Zefin për krijimtarinë time karikaturiste. Zefi i thoshte se çfarë duhej të bëja unë, çfarë duhej të punoja, çfarë temash të trajtoja. Unë disa i bëja, disa s’i bëja. Kjo punë vazhdoi me bashkëpunime, pikërisht në vitin 1975,  më hoqën të drejtën e botimit për biografi të keqe. Biografia më ndiqte kudo.

Të gjitha karikaturat ua botonin aso kohe?

Jo. Disa jo dhe mirë bënin pasi mund edhe të rrezikohesha. Pra ata i përzgjidhnin dhe kjo më ka shpëtuar besoj, pasi ndonjë rast dhe e pata tepruar me problemet e kohës, që atë kohë edhe mund të ndëshkoheshe.

Përveç Zef Bumçit kush ishin karikaturistët e asaj kohe që të nxisnin në këtë gjini?

Përveç Zef Bumçit, mund të them se ishte Sabahudin Xhaferi, Bradhyl Fico (bënte karikaturë inteligjente me shumë humor, qytetare), ishte Tef Palushi nga Shkodra.

Deri në vitin 1990 nuk ju lanë të botonit?

Jo, nuk më lanë dhe unë krijoja dhe i mbaja vetë, i mbaja në shtëpi.

Çfarë punësh konkrete bënit në sektorin e dekorit, pikturës?

-Në këtë sektor ne bënim gjithë dekoret e rrethit të Vlorës, si dhe të gjitha dekoret e Plenumeve, takimeve të rëndësishme, por bënim ilustrimet e të gjitha  muzeumeve të rrethit. Këtu ishte dhe paradoksi. Unë me biografi të keqe bëja ilustrimet e muzeumeve gjë që ishte e rrallë për kohën. Pra në këtë rreth kishte me dhjetra muzeume. Këtu bëheshin projektet, bocetet dhe realizimet. Bënim ilustrimet e fotografive të dëshmorëve.

Ku keni punuar më shumë, tek cili muzeum?

Më shumë kam punuar tek Muzeumi i Hysni Kapos. Aty unë kam shumë punët e mia. Mua më dhanë të bëj ose të rregulloja dhe ilustroja sendet e muzeumit, revolet, makinën e shkrimit, sende të ndryshme që kishte përdorur. Njëkohësisht bëja dhe shkrimet e kokave të stendave. Pra bëja të gjitha logot e stendave. Në Tërbaç atë kohë kam shkuar me dhjetëra herë.

Ndonjë gabim në logo apo në shkrime ndonjëherë, ju apo ndonjë shoku juaj?

Të them të drejtën jo, pasi kam qenë shumë shumë i kujdesshëm por dhe disa gjëra nuk m’i besonin mua. Por një shoku im ka bërë njëherë një gabim që desh i kushtoi me jetë. Atij i thanë  të bënte një parrullë të madhe rreth 4 metër, një citat të shokut Enver për një mbledhje partie. Këtë atij ja kërkuan për tre orë, kur në fakt ajo si kohë punë donte një ditë e gjysmë. Jo vetëm kjo, por i rrinin  dhe 10 veta mbi kokë. Një punë me shumë stres, me shumë përgjegjësi, cfilitëse. Nga nxitimi shoku im, në vend të bënte apo të shkruante ENVER, shkruajti ENEVER. Asnjë nga ata të dhjetë ku kishte dhe të sigurimit nuk e pa. Shoku im ishte njeri shumë i mirë, punëtor, i përgjegjshëm. Shkojnë e vendosin në sallën ku do zhvillohej aktivi i Partisë. Do vinte një nga Byroja politike. Filloi aktivi. Kur nga mesi i takimit një nga salla e kapi gabimin. Çdo bënin ata se kot mblidheshin. Menjëherë pas Plenumit ndodhi gjullurdia. Alarm! Shokut tim ju bënë dokumentet për gjyq për në burg. Por pati shumë ndërhyrje. Atëhere u diskutua të shkonte në prodhim, pastaj punë edukuese e me radhë. Ai i shkreti kaloi një situatë që as vetë se dinte se si ishte. Luante me jetën e tij dhe të familjes. Por mendoj se shpëtoi, pasi ai ishte i vetmi që bënte portretin e Enver Hoxhës.  Ndaj ia kishin nevojën. Pas disa kohësh e kthyen prapë në punë. Ishte i domosdoshëm. Nqs, atë gabim do ta kisha bërë unë,  do të futesha 7 pashë nën dhe.

Muzeumet sot janë shkatërruar, a ishin ata një pjesë e historisë?

Në këto muzeume kishte shumë gjëra reale sikundër dhe sende me vlerë. Por kishte shumë ideologji dhe fryrje. Por megjithatë çdo muzeum kishte vlerat e tij. Madje ne dolëm dhe jashtë kufijve të Vlorës dhe shkuam në Tepelenë. Ishim ne që bëmë dhe muzeumin e fshatit Dhëmblam të Tepelenës.

Kë nga udhëheqësit e asaj kohe ke takuar?

Nga të mëdhenjtë? Asnjë. Vetëm Leka Shkurtin kam takuar njëherë. Leka  ishte anëtar i KQPPSH për ideologjinë, vlonjat ku vëllai i tij ishte në ndërmarrjen tonë, rrobaqepës. Leka ishte shumë i rreptë. Unë e kam takuar njëherë tek Banka. Aty ishte një ambient ku vendoseshin pllakate të ndryshme. Leka bërtiste për përmbajtjen e pllakateve dhe më drejtohej mua, kush i ka shkruar. Unë i them shoku Leka, unë vetëm furçën kam, shkruaj çfarë më sjellin. Unë nuk ideoj pllakate apo parulla. Ata i ideojnë dhe i përgatisin të tjerë. Janë të tjerë se kush i sjellin. Shumë shokë më thanë pse e kundërshtove. Unë i thashë nuk e kundërshtova, as kam ndërmend ta kundërshtoj. Fola të vërtetën, pasi nuk përgjigjem unë për përmbajtjen e logove dhe parullave. Por më shumë me ne ishin të lidhur Sekretarët e Partisë, por kryesisht Sekretarët e dytë. Një ndër ta ishte dhe Petrit Broka.  Ai ndoshta ishte më i reformuar. Nuk bëri dëm dhe inkurajonte njerëzit.

Nga Sekretarët e Parë cili e zbatonte më mirë ligjin sipas jush?

Petro Dode. Ishte një Sekretar i rrallë, human, i respektueshëm, që kurë nuk ecte me tendencë. Ne për një farë kohe na çuan në xhami për të punuar. Pra si sallë, apo vend pune na dhanë xhaminë e vjetër tek stacioni i autobusave. Komiteti i Partisë ka qenë afër xhamisë ku sot është një shkollë e mesme private. Petro Dode ishte i pari dhe i vetmi që është kthyer disa herë dhe na uronte punë të mbarë. Të tjerët jo vetëm që nuk vinin, jo vetëm që nuk na uronin, por na thoshin çfarë doni ju këtu ore? Sikur kishim pushtuar Vlorën. Jeni shumë mirë na thoshin. Ku ne aty na priste era dhe na zhuriste dielli. Na trajtonin si skllevër.

Kur dolët në pension?

Dola në pension në vitin 1991. Pensioni ishte diçka qesharake. Kjo më detyroi të filloj prapë mësimdhënien. Pra fillova mësuesinë në një shkollë 9-vjeçare. Jepja vizatim.

Kë do të veçoni nga  karikaturistët shqiptarë sot?

Do të veçoj Agim Sulaj i cili banon në Itali. Ai ka fituar mbi 60 çmime ndërkombëtare dhe këtu as e përfill asnjë. Eshtë dhe Bujar Kapexhiu , por për mua mbetet një karikaturist prodhimtar, por që cilësia vlen për të dëshiruar. Karikatura është një ‘specie’ në zhdukje. Ja, sa karikaturistë ka sot? As sa gishtat e dorës.

Si do ta cilësonit karikaturën?

Për mua ai është arti më inteligjent, sepse atë që unë e bëj me katër vija një shkrimtar e nxjerr me një libër. Ka art të tillë?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube