GJUETIA

“Të tjera hesape bënte lepuri, të tjera  gjuetari” – Populli

TREGIM NGA RESMI OSMANI

Bora kishte vene shtresë të hollë. Petriti, i njohur me emrin Lenci, e ngiste  motorrim ngadalë që të mos rrëshqiste. Parkoi në oborrin e bar “Lorelain” që ishte buzë lumit Rin, në stacionin fundor të tramvait. Bënte ftohtë. Hyri në bar. Ishte i pastër e plot dritë. Aty ktheheshin ata që zbrisnin nga trami, kthenin ndonjë gotë sa për tu ngrohur dhe delnin për të shkuar në punë të tyre. Ca çifte të rinjsh ishin ulur në stolat e larta pranë banakut dhe në tryeza, ca të moshuar që ngrohnin eshtrat e mardhura me pije të forta. Ai u ul në qoshen e djathtë, me pamje nga dera, që të shihte Gretën kur të hynte. Pasi të përcillte vajzat në “punë”, e kishin lënë të takoheshin aty, por ajo ende s’kishte mbërritur. Djali i shërbimit erdhi të merrte kërkesën:

–  Me se mund t’i shërbejmë zotrisë?

Porositii uiski me akull dhe bajame të kripura.

Ja pruri. Uiski mdrinte në gotë me reflekse të arta, në të pluskonin koklat opake të  akullit. E ndjeu sesi pija e ftohtë i shkau nëpër fyt, i zbriti në lukth dhe i ngrohu rropullitë. U ndje mirë. Hodhi sytë nga ora e madhe e murit,  po shkonte dhjetë. Greta po vonohej. Melodia e lehtë që dukej se vinte nga një hapësirë e largët i ndillte gjumë.

Ai nuk i pikasi të ardhurit kur hynë në bar, veç kur ju fanepsën të dy si fantazma përballë tryezës. Ju pre gjaku,iu mpi trupi, i iku çerja nga vendi  e sa s’iu ndal zemra. Ata, pa i kërkuar leje, u ulën në tryezë. I njohu, ishin Xhoni dhe Maksi.

-Eh, më në fund! Sa na ke lodhur e robtuar! Tri  vite që të gjuajmë si qeni me erë,  tri vite që të kërkojmë, shtet më shtet, qytet më qytet, sa herë të ram në gjurmë, ti skile dinake na lije hijen. Dhe ja në ç’strofull qenke strukur aty ku s’e prisnim: në Bazel , ne kufijte e tre shteteve.

Ai që fliste ishte Xhoni. I veshur me kostum lëkure të zezë, mjekër të plotë e mustaqe të varura. Kokën të rruar, mbuluar me borsalinë feltri tiroleze, e zbukuruar me një pupël të bardhë. Në sy kishte një dritë të verdhëreme, të keqe, fjalët me ashk inatçor, shikimin zhbirues   qëndrimin të tërhuzur hakërrues e mujshar. Maksi ishte më i ri, flokëgjatë, me sy të bukur e pamje femërore,  kapuçi i zi me xhufkë,  i mbulonte edhe veshët.

-Je i vdekur. S’ke shpëtim. Dënimi ka tre vjet që është dhënë. S’të shpëton dot as  Zoti!

Heshtje.  Petrit-Lenci nuk bzante. S’guxonte as t’a shihte në sy.

– Më dhemb hala ajo plaga e thikës që më ngule në brinjë, teksa im vëlla ka tre vjet që tretet e nuk gjen prehje nën dhe. Hidhërimi për të ma ka helmuar gjakun, dhe zemërimi që ti je ende gjallë, ma shqyen zemrën.

– Ishte për faj tuaj. Për vetmbrojtje.

– Qepe halen! Ngreu dhe hajde pas nesh! Do të të japim atë që të takon: gjaku lahet me gjak dhe jeta e marrë paguhet me jetë! Hajd, përjashta!-urdhëroi Xhoni.

– Hiqe nga mendja, nuk dal nga lokali- tha Lenci.

Xhoni, brenda barit, midis njerëzve, nuk mund ta merrte dhunshëm. Ai mund të bërtiste, te kundërshtonte të bëhej zallamahi dhe të çatiste policia. I bëri me nojmë Maksit,

-Kontrolloje. Çohu, ngriji duart lart! Ashtu djalka trim.

Maksi e kontrolloi, deri te çorapet.

– Është i “pastër”.

– Celularin!

– E mora, ja ku e kam.

– Sa mendon se do të rrijë i ndryrë djalka trim? Në dymbëdhjetë bari mbyllet. Do s’do, djalka do të dalë. Do të presim, e me këtë rast pimë ndonjë gotë, si përshpirtje për mortin tend – tha dhe të dy shkuan e zunë vend në një tryezë pranë derës.

Djali i shërbimit shkoi të merrte porosinë.

– Konjak të vërtetë, jo armanjak, sill një shishe nga ato që nxejnë një kuart. Mos harro edhe çokollatat.

Ora po shkonte njëmbëdhjetë. Duhet të prisnin edhe një orë.

– Pse nuk e qërojmë dhe fryjmë e bëhemi  erë?-Pyeti Maksi.

-Jo -tha Xhoni. Nuk bëhet. Durim, kemi tri vite që e presim këtë ditë. I shikon kamerat në të dy cepat e mureve, do të filmojnë gjithëçka, pastaj janë klientët, boi i shërbimit. Do të japin alarmin, do dëshmojnë, do të plasë berihaj dhe do të kemi mbi shpinë gjithë policinë e Bazelit. Policisë së tyre zor t’i shpëtosh. Duhet të bëjmë punë të pastër e të mos lemë gjurmë. E marrim në makinë, ngasim buzë lumit drejt perëndimit, e qërojmë dhe e hedhim në Rin. Pastaj ja mbathim ose në Francë ose në Gjermani, pa na hyrë gjemb në këmbë. Mos ia ndaj sytë.

– E pe si u prish në fytyrë, si u zgërlaq? Shiftari po e sheh vdekjen me sy. Fjala vret njësoj si plumbi. Përbrenda është i vdekur, një i vdekur i gjallë! Si i dënuari që prêt  pushkatimin. Por agonia e tij s’do të jetë e gjatë.

Kështu fjaloseshin të dy gjuetarët, teksa gjerbnin konjakun që po u shijonte shumë, pa ia ndarë sytë gjahut se mos bënte ndonjë lëvizje, se kushedi ç’i thoshte mendja.

Petrit-Lenci porositi edhe një uiski tjetër. I kishte minutat të numuruara. Vdekja ishte aty, te tryeza pranë derës. E frikshme e shëmtuar, e ngërdheshur, veshur me kostum lëkure të zezë. Në trajtën e plumbave që do të shkreheshin nga tyta e revolverit. Do të ishte vdekje e menjëhershme, pa dhimbje. Një ngushëllim cinik. E para gjë që i erdhi ndërmend  ishte e ëma dhe ati plak. E kishin djalë të vetëm. Shpresa e pleqërisë. Kur të merrnin mandatën, si do t’a gëlltisnin atë gotë farmaku? Dhe ai përfytyroi atë pamje të kobshme, pikëllimin e pangushëllueshëm dhe përlotjen e vajtimin, rrënimin e tyre të menjëhershëm, kjo vdekje do t’i kthente në gërmadha. Dhe trupi iu ftoh dhe zemra iu drodh nga ankthi. E përse e gjithë kjo?

*   *   *

E risolli ndërmend gjithë atë ngjarje të tre viteve të shkuar. Atëhere ai ishte në Bruksel, në lagjen Molenbek. Një lagje rrokopujë, ku gjallonin njëqind e pesëdhjet kombësi e fliteshin gjithë gjuhët e botës! Molenbeku si kulla e babelit, me tërë racat: të bardhë, të zez, të verdhë!Një serrë ku ngrohej e lulëzonte vesi, një xhungël ku bishat shqyenin e coptonin njëra-tjetrën.Sido që me rrezik, fitohej mirë. Malli që shpërndanin vinte nga Afganistani, Pakistani, Turqia, Kolumbia…. Molenbeku  ishte kanceri që i shtrinte metastazat në tërë Brukselin e ca më larg. Atë pasdite u takuan me Zhanin ,korçarin, te atomiumi dhe u ulën në stolat e lulishtes veshur krejt me begonia të kuqe. Aty erdhen edhe dy të panjohur për të, por që Zhani i njihte. I paraqiti si Xhoni i Madh-bosi, dhe Majklli, të dy vëllezër.Xhoni rreth të dyzetave , ylli në ngjitje i tregut të shumicës. Ishte një nga të “fortët”. Askush nuk guxonte t’ia bënte fjalën dy. Në lagje ishte një nga padronët e së paligjshmes. Ata u kapën me Zhanin për një borxh të pa kthyer,për mallin e shitur, që thoshin se ishte tridhjet mijë euro. Zhani nuk kishte që t’ia kthente. U shamatuan, Bosi, i tha se nuk e vinte kokën nën satër, për ca bythëdhjerë shiftarë si ai. Paratë dhe pikë! Deshën ta merrnin peng. Atëhere ndërhyri Petriti:

-Sa kohë është me mua, mos guxoni  t’i prekni një qime!

-Pa shiko mor Majkëll, djalka na qënka trim dhe shok për kokë!

-Do t’a shohim- tha Majklli, mua më duket frikacak i dhjerë, dhe nxori revolverin. –Pa ta shohin tani! Hipni në makinë, në ndenjësen e prasme, në s’doni tu fiket jeta!

Ata, të befasuar nga udha që mori kjo ngjarje, nën kërcënimin e armës, hipën. Makinës një Citroen flake i ri, i jepte Majklli. Xhoni u ul në ndenjësen e prasme, anash dy të penguarve, mori revolverin e të vëllait dhe i mbante nën shënjestër, me gishtin në këmbëz.

– Ku po na çoni ?- pyeti Zhani.

-Te vendi. Ose lekët ose jetën. Edhe këtij djalkës trim, do t’i tregojmë sa i vlen lëkura!

Makina po merrte për nga periferia lindore e qytetit.Trafiku dhe këmbësorët  u pakësuan. Petriti kuptoi se po shkonin si cjapi te kasapi,e po dy duar për një kokë, të vdekur se të vdekur! Nxori vrulltaz thikën nga brezi dhe i dha Xhonit, sa i hante krahu, një goditje në brinjë. Ai buluroi si demi kur e therin: ”Ah qen më vrave” dhe u plandos mbi ndenjësen e parë. Revolveri i ra nga dora. Lenci e mori revolverin dhe ja vuri në rrëzë të veshit Majkllit. Zhani hapi derën dhe i dha një të shtyrë Xhonit që u plandos në asfalt i mbytur në gjak. Majklli frenoi dhe zbriti rrufeshëm me nje levë në dorë dhe iu vërsul Petritit. Ky shkrehu revolverin. Plumbi e mori Majkllin në kokë dhe ra plasur….. Majklli vdiq në vend. Ata të dy i grahën makinës dhe u bënë erë, diku e braktisën makinën dhe humbën në labirintet e getos së periferisë.

Xhoni pas një ndërhyrje kirurgjikale i shpëtoi vdekjes. Që atëhere ai i është vënë në ndjekje.

Zhani iku në Amerikë. Petrit-Lenci, i paditur dhe tashmë i skeduar nga policia, erdhi rrotull vendeve të Beneluksit me pasaportë dhe identitet të rrem, pa zënë askund vend, deri sa u vendos qysh prej gjashtë muajsh në Bazel…..

Ashtu i përhumbur, nuk e vuri re Gretën që i qëndroi përballë. E bukur si gjithmonë.

– Hello Lenc. – Hoqi xhupin,  kapuçin me ca cufla bore, i vuri në shpinoren e karriges dhe u ul.  Asaj s’i shpëtoi tronditja e tij- Si janë punët, i dashur, ç’e ke atë çehre?

– Keq. Kanë ardhur të më vrasin.

– Si, kush? Ç’po thua!

– Ata dy tipat te tryeza pranë derës, të veshur me kostume lëkure. Do ta bëjnë kur të mbyllet bari. Janë vrasës profesionistë dhe su dridhet dora.

– Dhe ti e thua kaq qetë? Pret si kau në thertore që të të vrasin?

– Nuk kam ç’të bëj, kam tri vjet që u iki dhe ata më ndjekin, siç ndiqet një kafshë në xhungël! U lodha. Boll më! Rrethi është mbyllur, s’ka asnjë shteg.

-Po i telefonoj menjëherë policisë- tha dhe nxori nga çanta celularin.

– E ke kot, jemi nën vëzhgim, nuk do të të lejojnë.

Ashtu ndodhi. Ky veprim nuk i shpëtoj syrit të Xhonit. Arriti me tre hapa.

– Zonjushë, ma jepni celularin!- ja rrëmbeu brutalisht nga dora-Po të dhimbset koka, mos bëj asnjë veprim.

Ajo u step. Mendoi të dilte nga bari dhe të njoftonte në rajonin më të afërt të policisë, por Lenci nuk ja këshilloi.

Djali i shërbimit erdhi të merrte porosinë.

– Të lutem, një kafe amerikane.

Kur djali solli kafen dhe bëri urimin e zakonshëm “ju bëftë mirë”, dhe si përgjigje mori një “faleminderit”, teksa u nis të largohej drejt banakut,Petrit- Lencit i shkrepi  në tru një shkëndijë që i ndriçoi mendjen.

-Prit pak, të lutem. – Djali u afrua – mund të ma huash pak celularin?

Djalit që s’i kishte shpëtuar çasti kur dy të huajt e kontrolluan Lencin, hezitoi.

-Më vjen keq zotri, por nuk dua të kem telashe.

-Asnjë telash – dhe uli mbi tabaka një kartmonedhë njëqind frangëshe. Djali nuk po jepej, edhe një kartmonedhë tjetër. Djali nuk i shpëtoi dot tundimit dhe miratoi me kokë- veç me kujdes, të mos duket. Djali e pështolli me pece dhe e uli në tabaka teksa po ngrinte filxhanin dhe bëri sikur po pastronte tryezën.

– Zonjusha do t’a lerë në tualetin e femrave. Atje do t’a gjesh. Mirë?- Djali miratoi me krye.

Petrit- Lenci prapa faturës, shkroi një numur dhe pa e ngritur nga tryeza e shtyu drejt  Gretës. Është i Bertit. Çoi një mesazh. Të sjellë urgjent një armë dhe ta lerë në tualet. Këta nuk e njohin. Të mos komunikojë  me mua kur të vijë. As më njeh as më ka parë.

Greta hyri në tualetin e grave dhe bëri atë që duhej. U kthye,veshi xhupin, vuri kapuçin, mori çantën.

– Gjithsesi unë po dal- tha ajo.

– Mos! Ata nuk kanë për të të lejuar.- Por ajo doli.

Pa që asaj iu qep pas Maksi. Desh ti dilte krah, por me të dalë jashtë pragut ata do ta vrisnin. Nuk kaloi gjatë dhe Maksi u kthye. Pyetjes me vështrim të Xhonit iu përgjigj me një pohim të kokës.Bisedë pa fjalë.

Ç’mund t’i kishte ndodhur Gretës?

Ora po i afrohej dymbëdhjetës. Pak e nga pak bari po boshatisej. Petrit-Lenci shpresëhumbur, s’ja shqiste sytë derës. Ai frymoi thellë kur Brenda hyri Berti, që e pa por bëri sikur s’e njihte. U ul te stolat e lartë përballë banakut dhe mori një pije, e rrëkëlleu me një të kthyer dhe shkoi në tualet. Pastaj si një i ngeshëm e i pa interesuar iu drejtua daljes.

Lencit i djersinë duart dhe i hipi një zjarrmi në trup, por e mblodhi veten. U drejtua për në tualetin e meshkujve. Berti, revolverin, e futur në një qeskë letre, e kishte vendosur në pezulin e mermertë të dritares së ajrimit. Ishte i mbushur, me fishek në gojë dhe siguresë të hequr, gati për tu shkrehur. E futi në xhepin e xhupit. U kthye në tryezë, thirri djalin dhe pa u ulur bëri pagesën. Kishte ardhur çasti. Pritja e ankthshme kishte marrë fund, por jo vetë ankthi. Ose ai,ose ata!Të tilla ishin rregullat e lojës! Zgjidhje tjetër nuk kishte. Në vend të nënës së tij, le të qanin nënat e tyre! Me hap të sigurtë, u nis drejt tyre. Nuk deshi t’u linte ndjesinë se kishte frikë.

– Ejani dhe bëni atë që keni për të bërë.

Ata brofën hovshëm, si ti kishte shtyrë një sustë, dolën nga dera dhe e vunë në mes. Xhoni i shtrëngoi krahun e majtë dhe e drejtoi për nga makina, që ishte e parkuar në fund të oborrit, teksa me të djathtën mbante revolverin. Kur iu afruan makinës, dhe Maksi shkoi të hapte dyert, Petrit-Lenci rrufeshëm nxori revolverin dhe ia zbrazi Xhonit në gjoks, drejt e në zemër. Ai s’arriti as të nxirte zë. Pastaj iu derdh Maksit, që ndali makinën dhe zbriti, ishte i paarmatosur.

– Aman, mos më vra! Do të jap çtë kërkosh e sa të kërkosh! Fliste i lebetitur me zë të përvajshëm. Lenci e qëlloi në kofshë. I plasi gjaku.

– Ç’i bëre vajzës? Folë mor ndyrësirë!

– Asgjë të keqe. E ke në bagazh. Shëndosh si kokrra e mollës.

Gretës ia kishin shtuposur gojën me shami dhe e kishin lidhur këmbë e duar. I liroi gojën dhe e zgjidhi.

– Të kanë lënduar?

– Jo jam e mpirë, më vjen të vjell nga era e benzinës së shamisë.

– Shpejt të ikim sa pa çatisur policia.

U kthye nga Maksi që lutej. U nderdysh.S’ishte rasti për keqardhje,  s’duhej të mbetej dëshmitar i gjallë, dhe po të mbetej, ai sa të ishte në jetë, do t’a kishte pas shpine, do t’a ndiqte që ta vriste për hakmarrje.Jo.Vdis ti që të jetoj unë! E gjuajti dy herë në kokë.

Ndezi motorrin dhe me Gretën prapa, që mbahej fort pas belit të tij i dha gaz dhe u turr përpara me uturimë e tërë shpejtësinë. I përpiu errësira, që është mbulesa më e mirë e punëve të zeza.

Në oborrin e bar”Lorelain” mbetën të shtrira dy kufoma, gjaku i të cilave skuqi borën që kishte vënë shtresë.

Barmani lajmëroi policinë. Klientët u larguan me shpejtësi se nuk donin të përzjeheshin si dëshmitarë e të kishin të bënin me policinë.

*      *      *

Në lajmet e mëngjesit, televizioni i Bazelit dha lajmin që në bar Lorelain, kishte dy viktima, të cilat u identifikuan si Zllatan Lekiç ,alias Xhoni dhe Zvonimir Andriçi, alias Maksi, të dy serbë, rezidentë në Belgjikë  dhe me precedent penalë. Vrasësi nuk dihet. Besohet se është bërë për larje hesapesh midis bandave të narkotrafikut dhe prostitucionit. Hetimet vazhdojnë.

Tetor-nëntor 2017.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube