Historia e Vitit të Ri

Nga Jahja Drançolli

Sot, në shumë vende të botës Viti i Ri fillon më 1 janar. Festimi i Vitit të Ri më 1 janar është një fenomen relativisht i ri. Regjistrimi më i hershëm i festimit të Vitit të Ri besohet të ketë qenë në Mesopotami,  i cili festohej rreth vitit 2000 para erës sonë në ditët e ekuinoksit pranveror (muaji mars). Janë ruajtur edhe një varg datash të tjera në kulturat e lashta që lidhën me stinët dhe kalendarët. Egjiptianët, fenikasit dhe persët e filluan vitin e ri me ekuinoksin e vjeshtës (muaji shtator), ndërsa ilirët e festonin me Solisticin e Verës (20 ose 21 qershor), grekët me Solisticin e Dimrit (21 dhjetor)!

Festimi i Vitit të Ri (stilus, calculus) në Europë, me shekuj është shënuar në data të ndryshme të kalendarit, duke përfshirë 1 dhe 25 marsin, 1 shtatorin, 25 dhjetorin, etj. Stili i Vitit të Ri që fillon me 1 janar (Stilus Circumcisionis), u mor sipas zakonit të lashtë romak të vënies në shërbim të konsujve (viti 153 para erës sonë).  Edhe pse Julius Caesar në vitin 46 para erës sonë përdori kalendarin julian, ai mbajti 1 janarin si datën e fillimit të Vitit të Ri. Me zgjerimin e Perandorisë Romake u përhap edhe përdorimi i kalendarit Julian. Megjithatë, pas rënies së Perandorisë së Romës në shekullin e 5-të të erës sonë, shumë vende ndryshuan kalendarin në mënyrë që ai të reflektonte më shumë për fenë e tyre, dhe 25 Marsi (stilus Incarnationis ose Festa e Shpalljes), si dhe 25 Dhjetori (stilus Nativitatis ose Kshndella) u bënë ditë të zakonshme të Vitit të Ri.

Më vonë u bë e qartë se kalendari Julian kërkonte ndryshime shtesë për shkak të një llogaritje të gabuar në lidhje me vitet e brishtë. Papa Gregori XIII prezantoi një kalendar të rishikuar me 24 shkurt 1582 (Inter gravissimas), kalendar ky që rivendosi 1 janarin si fillimin e Vitit të Ri. Kalendari në fjalë do të praktikohet së pari në Shtetin Papnor (dhe shtete të tjera italiane dhe ballkanike të besimit romano-katolik), Francë,  Portugali dhe në Spanjë. Shtetet protestante dhe ortodokse e miratuan më vonë këtë kalendar, Ndërsa, Britania e Madhe dhe kolonitë e saj amerikane përqafuan kalendarin Gregorian nga viti 1752. Më parë ata festonin Vitin e Ri më 25 Mars. Me kalimin e kohës edhe vendet jo të krishtera filluan të përdorin kalendarin Gregorian.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube