HISTORIKE –THEMELOHET E PARA KATEDËR ALBANOLOGJIKE NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS

Nga Frank Shkreli

Hapja e një Katedre për studime shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë një ëndërrë e kahmotëshme në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe përflitej shpesh – sidomos në qarqet intelektuale të komunitetit — si një dëshirë e pa realizuar, nga akademikët e njohur të këtij komuniteti, si Prof. Arshi Pipa, Prof. Stavro Skendi, Prof. Nick Pano, Prof. Sami Repishti, e shumë të tjerë.

Kjo nismë është me të vërtetë një moment i rëndësishëm në historinë e studimeve shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe i shumë pritur nga komuniteti shqiptaro-amerikan.  Ajo që nuk u arrijt dot për më shumë se një shekull — aq sa është edhe historia e shqiptarëve në Amerikë — më në fund u bë realitet këtë vit.  Në Universitetin DePaul të qytetit Çikago të shtetit Illinois —  njëri ndër universitetet më të njohur amerikanë dhe universiteti më i vjetër katolik në Shtetet e Bashkuara — është themeluar Katedra për Albanologjinë për Studime Shqiptare–“Katedra e re e Albanologjisë Hidai Bregu në Unversitetin DePaul”.

Katedra e parë e Albanlogjisë në Amerikë është hapur falë një donacioni nga filantropi shqiptaro-amerikan, Z. Hidai Eddie Bregu, ndërsa Drejtori i parë i kësaj Katedre albanologjike në Universitetin DePaul, është emëruar Profesori Gazmend Kapllani – duke e bërë kështu këtë universitet, të parin në historinë e universiteteve amerikane, që i lartëson studimet shqiptare në nivel katedre dhe Profesorin Kapllani si drejtorin e parë të saj.  Natyrisht, se merita e madhe i takon filantropit dhe patriotit të shquar shqiptaro-amerikan, Z. Hidai Eddie Bregu për fondet që ka dhuruar për themelimin e Katedrës Albanologjike.  Profesori Kapllani e ka cilësuar Z. Bregu një, “Njeri me një vizion të jashtëzakonshëm. Sa patriot aq edhe i lidhur me rrymat më bashkëkohore, aq edhe mendjehapur, aq edhe i lidhur me bashkësitë e ndryshme në Amerikë. Pra, për mua është model i patriotit bashkëkohor”, ka vlerësuarZ. Kapllani, duke shtuar se ai vet ishte i nderuar të shërbejë si drejtori i parë i Katedrës dhe shtoi se do bëj ç’është e mundur që t’i shërbejë dhe ta nderojë emrin dhe vizionin Z. Bregu.

Në një komunikim elektronik me mua, Drejtori i ri i Katedrës në Universitetin DePaul, Prof, Gazmend Kapllani u shpreh, për këtë artikull, se për momentin ai ka përqendëruar përpjekjet dhe planet e tija fillestare, që siç u shpreh ai, “Ta bëjmë Katedrën e Albanologjisë në DePaul një pikë-takimi të akademikëve, artistëve dhe intelektualëve shqiptarë që do sjellin mendimin krijues dhe do nxisin debate të frutshme mbi temat Shqiptare. Për këte arsye vazhdojmë edhe këto kohë të pandemisë eventet tona publike. Të Shtunen do shfaqim”, tha ai,“online filmin ZANA që do shoqërohet me një diskutim me regjizoren e filmit Antoneta Kastrati dhe drejtoren e fotografisë Sevdije Kastrati. Zana është emëruar si filmi pjesemarrës i Kosovës në Oscar. Është një film i jashtëzakonshëm”, shtoi Profesor Kapllani.

Në të njëjtin komunikim, Dr. Kapllani njofton gjithashtu se në universitetin DePaul është krijuar tashmë Aleanca Kulturore Shqiptaro-Amerikane (Albanian American Cultural Alliance), themeluar dhe përberë nga studentë dhe të rinj nga DePaul dhe universitete të tjera. Një nga Projektet që kemi nisur të punojmë quhet Speak Memory.Projektika si synim të mbledhë historitë personale të Shqiptaro-Amerikanëve, fillimisht, në Cikago dhe mandej në gjithë Amerikën gradualisht”. Sipas Prof. Kapllanit ky është një projekt afatgjatë, synimi i të cilit është“Krijimi i një Arkivi të Kujteses së Komunitetit (historitë do regjistrohen dhe do ruhen në Librarinë e Universitetit DePaul bashkë me dëshmi të tjera që mund të na ofrojnë të intervistuarit, si kopje fotografishë, ditare, karta postale, që lidhen me historinë e tyre personale dhe të komunitetit Shqiptaro-Amerikan). Sipas rezultateve që do kemi, historitë mund të bëhen libër, ekspozitë ose dokumentar, theksoi Dr. Kapllani.

Sa u përket planeve të mëvonshme, Drejtori i Katedrës së Albanologjisë në Universitetin De Paul të Çikagos tha se,varësisht, nga kushtet ai do dëshironte që vitin e ardhëshëm të organizojë një Konferencë për Holokaustin dhe shpëtimin e Hebrejve në Shqiperi gjatë Luftës së Dytë Botërore në bashkëpunim me Muzeun e Holokaustit në Cikago – e cila Konferencë, sipas Profesor Kapllanit, do shoqërohet me botimin e një libri nëanglisht, për këte temë.

Pritet që në shtator, që shënon gjithashtu edhe fillimin e vitit të ri akademik, Katedra e re e Albanalogjisë në Universitetin DePaul të Çikagos të fillojë zyrtarisht punimet.  Planet afatgjata të Katedrës, Profesor Kapllani i ka shpalosur, pjesërisht, në një intervistë me Zërin e Amerikës në gjuhën shqipe, marsin që kaloi.

“Po punojmë për të krijuar platformën dhe nga momenti i krijimit të saj brenda këtij viti çdo student do të mundet të drejtohet tek ne dhe të regjistrohet. Do jetë anëtar si të thuash i diplomës që ne do japim, sepse ne duam që t’u japim diploma studentëve tanë. Dhe studenti do të mësojë nga një anë gjuhën shqipe dhe nga ana tjetër ato që i quajmë ne lëndë përmbajtjeje, pra lëndë që do të jenë në shqip dhe anglisht për tema dhe tematika të ndryshme të albanologjisë”, i ka thënë aiZërit të Amerikës.

Në intervistën me VOA-n, Dr. Kapllani ka thënë se Katedra e parë albanologjike në një universitet amerikan, do të ofrojë lëndë gjithëpërfshirse nga të gjitha disiplinat me qëllim për të tërhequr studentë shqiptarë dhe të huaj.“Do kemi të gjitha disiplinat nga gjuha, letërsia, historia, arkeologjia, filozofia. Dhe duam që të krijojmë një kurrikulë sa më bashkëkohore sepse Albanologjia ka mundësi të jashtëzakonshme sidomos kur lidhet me çështje që janë në qendër të diskutimeve globale sot, qoftë për letërsinë e diapsorës, qoftë për historinë dhe gjeostrategjinë, qoftë për fenë. Pra neve do të mundohemi të krijojmë një kurrikulë sa më bashkëkohore që mos t’i flasi vetëm studentëve shqiptaro-amerikanë të cilët janë qendra dhe publiku kryesorë i yni, por t’i flasi çdo studenti nga çdo lloj origjine apo nga çdo lloj baze etnike”, ka thekësuar Z. Kapllani.

Nismë më të rëndësishme se themelimi i kësaj Katedre Albanologjike në Universitetin më të vjetër katolik DePaul në Shtetet e Bashkuara, me qëndër në Çikago, për komunitetin dhe nga komuniteti shqiptaro-amerikan nuk besoj të ketë pasur në këto 100-vjet.  Do të jetë një qendër kulture arbërore në Shtetet e Bashkuara, në një vend që ka bërë aq shumë gjatë historisë për Kombin shqiptar, për ruajtjen e kulturës dhe të identitetit të shqiptarëve në trojet e veta.  Jam i bindur se Katedra do të jetë një qëndër ku do të mbizotërojë atmosfera e veçantë e Arbërit, aty ku — për shqiptaro-amerikanët dhe jo vetëm –kultura, gjuha dhe traditat tona do të përtërihen në një botë të huaj, por mike për shqiptarët, siç Amerika.  Si të mos e mirëpresim themelimin e një qendre akademike si kjo, këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një katedër që do të merret me historinë, gjuhën, letërsinë dhe kulturëne trojeve tona, një qëndër e cila do të hapi shtigje të reja në fushën e hulumtimeve historike dhe në shtjellimin e tyre.  Si të mos kënaqemi dhe të mos brohorisim e të duar-trokisim themelimin e kësaj Katedre, në njërin prej universiteve më të njohura dhe më të vjetra amerikane – katedër e cila jam i sigurt se do sjelli dritë mbi çështjet më të rëndësishme të historisë shqiptare të përdhosur nga historiografia komuniste—e për më tepër do të luaj një rol të rëndësishëm në paraqitjen e shqiptarëve si një Komb i denjë dhe i paisur me vlera perëndimore për të zenë vendin e tij aty ku i takon, krahas kombeve të qytetëruara. Vet themelimi i kësaj Katedre tregon fisnikërinë, jo vetëm të filantropistit, Z. Hidai Bregut, por edhe të vetvetes tonë, si një komunitet tashmë i pjekur e serioz në këtë vend, me kulturë e histori të veçantë dhe krenare. Gjëja për tu dëshiruar është vetëm që themelimi i Katedrës albanologjike në universitetin DePaul të Çikagos të jetë një shembull për tu kopjuar edhe nga filantropë të tjerë shqiptaro-amerikanë si Hidai Bregu dhe që kjo nismë të jetë një frymëzim dhe fillim i një veprimtarie më aktive në thememlimin e programeve të tilla në universitetet anë e mbanë Shteteve të Bashkuara, nga individë të komunitetit shqiptaro-amerikan, të cilëve Perëndia dhe Amerika u ka dhënë mundësite për të bërë një gjë të tillë.

Dekani i Universitetit DePaul, Dr. Guillermo Vasquez de Velasco, PhD deklaron në faqen e internetit të Universitetit se“Ne u sigurojmë të gjithë studentëve tanë arsim që balancon studimin e thelluar me një përvojë të madhe në disiplina të ndryshme, që formojnë thelbin e njohurive njerëzore. Të gjitha programet tona për dhënien e diplomave kërkojnë të rrisin njohuritë e studentëve dhe aftësitë e të menduarit kritik, që ata të ngrenë pyetje me vlerë dhe kuptim dhe t’i zhvillojnë ato si pjesë të pandara të zemrës dhe mendjes, të qenësishme në të mësuarit gjatë gjithë jetës dhe zhvillimit të mendimit të pavarur”.

Pjesë e këtyre “njohurive thelbësore” që ofron universiteti DePaul, duke filluar nga viti 2020, do të jetë edhe albanologjia, gjuha, letërsia, kultura dhe historia e shqiptarëve në njërin prej universiteteve më të njohura dhe më të vjetra të Amerikës, Universiteti De Paul në Çikago.  Për këtë fakt, jo vetëm komuniteti shqiptaro-amerikan, por edhe të gjithë shqiptarët kudo qofshin duhet të ndjehen krenarë për aktin fisnik të shqiptaro-amerikanit, Z. Hidai Bregut dhe t’i urojmë, njëkohësisht, këmbë të mbarë në detyrën e tij të re e fsinike edhe drejtorit të parë të Katedrës Albanologjike në Universitetin DePaul, Dr. Gazmend Kapllanit. Këta dy burra meritojnë nderimet tona dhe mirënjohjen e gjithë Shqiptarëve mendjendritur.

Please follow and like us:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube