Isuf Luzaj, – Djali i Hoxhës së Kaninës, Vlorë,- atdhetari i ditur, mësuesi i filozofëve të së ardhmes

Nga Hysen Kobellari

Isuf Muhamet Luzaj (1913-2000), është një figurë e nderuar e përmasave të rritura në kohë, me të cilën krenohen brezat e të tri dimensioneve: të djeshmit, të sormit,të ardhshmit … Koha i rivlerëson dhe i zbulon vërtetësisht emrat dhe veprat e njerëzve të saj, të cilët i kanë dhënë e i japin, duke i shtuar mirësi kombit, fesë, kulturës atdhetare e asaj mbarënjerëzore. Harresa bën punën e vet, por kujtesa e zgjuar nduarnduarshëm prej krijuesit triumfon e jeton jetën e vet të caktuar.

Larguar nga kjo jetë njëzet vite më parë në Çikago të SHBA, jeta e Profesor – Doktor Isuf Luzajt kaloi në disa plane kohore : Ndihmesa për çështjen kombëtare, që nga jetësimi, pas ngjizjes; largimi nga atdheu, pas vendosjes së regjimit monist; puna, vepra dhe nderimi shkencor nëpër botë; rivlerësimi i merituar në mjedisin kulturor e social në shekullin e ri …

Në vitin 1984, Presidenti i SHBA Ronald Regan, i dha Prof. Isuf Luzajt medaljen më të lartë në fushën e Arsimit Amerikan: “PROFESOR I AMERIKËS”

Pasuri e vyer është jetëshkrimi i veprimtarisë atdhetare, shkencore, letrare, filozofike; letërshkrimet me personalitete të shquara të botës së asaj kohe, e mbyllur nëpër baulet e famljes dhe të afërmve, të cilët i ruajnë ato  me kujdes të veçantë. Shkencëtar e filozof me përmasa botërore, profesor Isuf Muhameti u detyrua të krijonte e të shpërfaqte vlera të mëdha, duke e promovuar emrin e shqiptarit në qendrat më të mëdha shkencore e kulturore të botës, duke aspiruar gjithmonë nderimin e vendlindjes së tij …

Djali i Hoxhës së nderuar, mësuesit të Kaninës dhe i Vlorës atdhetare …

Isuf Luzaj u lind në Kaninë të Vlorës, më 21 shkurt 1913, në familjen e Muhamet Hoxhës, imam dhe mësues i njohur; Mulla Muhameti kishte mbaruar shkollën e lartë fetare në Stamboll, ashtu si edhe brezat e mëparshëm ishin ndjekës të fesë islame, arsimit dhe edukatës atdhetare. Familja e Luzajve banonte në Ujin e Ftohtë dhe kishte miqësi me të gjitha fiset kryesore të ardhur aty nga Labëria dhe nga viset e tjera të vendit.Si hoxhë dhe mësues babai i filozofit të ardhshëm ka përgatitur breza të tërë djemsh të shquar me kontribute të shënuara në fushën e atdhetarisë, shkencës dhe kulturës. Eqerem Bej Vlora në kujtimet e veta e përmend me respekt Mulla Muhametin, si mësues feje dhe edukate; Murat Kapaj (Tërbaçi), xhaxhai i Hysni Kapos, njeri i nderuar, atdhetar, bujar, besnik dhe mikpritës ishte mik i ngushtë dhe përkrahës i familjes Luzaj …

Studimet e para, i pasionuar pas shkencave e kulturës, mësues i shquar …

Mësues i parë për Isufin ishte baba Muhameti, prej të cilit mësoi mirë shqipen, turqishten, arabishten dhe elementët e para të frëngjishtes dhe italishtes. Duke qënë nga natyra shumë i zgjuar dhe me kujtesë të fortë, në vitin 1926, djaloshi lab dinte shumë gjëra, megjithëse sapo kishte kryer shkollën fillore në Vlorë. Gjimnazin e nisi në Shkodër, ku në vitin e dytë fitoi bursë nga shkolla për të studiuar jashtë vendit, aplikoi për ta marrë atë, por nuk iu miratua, pa iu treguar arsyet. Në vitin 1933 e mbaroi Gjimnazin dhe u nis për në Paris, ndërsa u detyrua të shesë pjesën e vet të tokës me ullinj, për të vazhduar studimet e larta. Në fillim u regjistrua dhe kreu liceun, pastaj u bë pjesë e Universitetit të Sorbonës, por nga pamundësia ekonomike u tërhoq nga Franca dhe u kthye në atdhe në vitin 1936. I pajisur me dokumenta të rregullta nga shkollat e famshme të Francës, u betua para mbretit Zog, sipas rregullave të kohës dhe filloi punë në Normalen e Elbasanit si mësues frëngjishteje, ndërkohë që shkolla drejtohej nga Aleksandër Xhuvani. U ftua për të filluar punë në Liceun Francez të Korçës, ku u transferua menjëherë dhe dha mësim gjuhën frënge nga viti 1936 deri në vitin 1938.Isuf Luzaj së bashku me Sotir Kozmosin dhe Enver Hoxhën, ishin të vetmit profesorë shqiptarë. Mori pjesë në Demostratën e Bukës të mbajtur në Korçë më 28 nëntor 1938 dhe pas kësaj kalon në Institutin Tregëtar të Vlorës ku jep letërsi. Nisi të shkruajë letërsi artistike shumë herët, por në vitin 1938 i mblodhi vjershat më të mira dhe hartoi përmbledhjen e parë poetike me titull “Rrëfime”. Libri u botua, por nuk arriti të shpërndahej tërësisht pasi autori I.Luzaj u burgos për tre muaj për shkak të poezisë “Neroni”, që aludonte kundër regjimit, siç pandehën akuzuesit. Pas 94 ditësh në burg, vjershëtori i ri doli në gjyq dhe u lirua si i pafajshëm.

Brumosur me ndjenja atdhetare, rrebel nga natyra, mësuesi i ri Isuf Luzaj së bashku me 120 studentë vendosën të luftojnë kundër trupave italiane, të cilët orvateshin të zbarkonin më 7 prill 1939; shokë armësh ishin edhe Hysni Lepenica, Skënder Muçoja dhe fshatarët nga Sevasteri, Tragjasi, Lepenica e Kuçi, të drejtuar nga Rrapo Çeloja. Lebërit trima arritën t’i kthenin disa herë varkat e fashistëve pushtues… Pas pushtimit shkollat u mbyllën dhe filloi rezistenca me mënyra të tjera; profesor Isufi organizon dhe udhëheq protestat e djalërisë dhe qytetarisë vlonjate më 28 nëntor 1939, duke mbajtur flamurin e madh shqiptar pa shenjat e sopatave të Liktorit.

Nga burgjet dhe internimet, në zjarrin e luftës për liri e përparim …

Duke mos u pajtuar asnjëherë me pushtimin e vendit nga të huajt, Isuf Luzaj vazhdon luftën me mjete të tjera; organizon rininë, zhvillon propagandë për liri e përparim dhe për këtë vihet në shënjestër të pushtuesve. Arrestohet në Vlorë, burgoset dhe më pas transferohet në Durrës me shkak dyshimin për vrasjen e njëpolici Italian.Pas disa muajsh e çojnë në Brindisi së bashku me 12 studentë të Institutit Tregëtar të Vlorës.Djemtë e Labërisë mbajnë disa ditë në Gaeta pastaj i degdisin në ishullin famëkeq Ventotene, kamp i madh përqëndrimi për të internuar e të burgosur.Aty njihet dhe miqësohet me Abaz Ermenjin, Llazar Fundon dhe figura të tjera të shquara intelektuale dhe atdhetare. Pasi qëndron atje deri në vitin 1942, transferohet në kështjellën e Cortona  d’Arezzo, në izolim për shkak se shkroi e përhapi disa vjersha kushtuar Luftës së Vlorës. Aty ra në kontakt me Ali bej Këlcyrën, Mithat Frashërin, Fuat bej Dibrën, Lef Nosin, etj., të cilët ishin marrë vesh të krijonin Ballin Kombëtar, madje kishin shkruar edhe të famshmin “Dekalog”. Porfesor Isufi ndihmoi në hartimin e këtij dokumenti, duke propozuar të hynte pika e shtatë : “ Organizata do të zbulojë vlerat e vërteta kombëtare, do t’i edukojë njerëzit pa marrë parasysh besimin, krahinën ose partinë politike. “

Me ndërmjetësimin e Ali Këlcyrës dhe me ndërhyrjen e Ministrit të Arsimit Ernest Koliqi, Isufi lirohet nga burgu dhe kthehet në atdhe në tetor 1942, ku ngre çetat e Ballit në Dukat e Labëri. Komandon në Selenicë luftën çlirimtare, duke dalë fitimtar ndaj pushtuesit, ndërsa në vitin 1943 në fshatin Vajzë futet brenda një autoblinde italiane dhe lufton me trimëri për disa orë …

Me shokët e tjerë patriotë intelektualë merr pjesëfuqishëm  në organizimin e rezistencës aktive, duke marrë pjesë në Konferencën e Mukjes, besues tek mundësia e bashkimit për një qëllim të madh.

Thirret në themelimin e Partisë Social – Demokrate me Musine Kokalarin dhe avokat Skënder Muço, duke themeluar degët në rrethet Shkodër, Tiranë, Vlorë, etj.në 12 tetor 1943. Në rrethana të paqarta politike, duke dashur bashkimin dhe jo përçarjen e forcave atdhetare e intelektuale të vendit, Isuf Luzaj e pikasi drejtimin e luftës demagogjike të veprimtarëve monistë nën influencën jugosllave, por ishte vonë …

Nëpër botë, larg mëmëdheut dhe pranë dijeve, filozofisë, progresit …

Duke e parandjerë vendosjen e regjimit monist, më 28 nëntor 1944 braktis vatanin, duke lënë në Kaninë gruan me 5 fëmijë të mitur 7, 5, 3, 2 dhe 1 vjeç; vajza e fundit vdes në Kampin e Përqëndrimit në Fushë – Krujë, e sëmurë, për mungesë medikamentesh kundër tuberkulozit…

Pjesmarrësit e Konferencës (Mbledhjes) së Mukjes.

Sapo mbërrin në Itali e arrestojnë si të dyshuar për vrasjen e general Zaninit dhe burgoset.Nga atdheu majtashët e kërkojnë për ta riatdhesuar, që t’i nënshtrohet gjykimit për “krime lufte”. Me ndihmën dhe rekomandimin e Sandro Pertinit, me të cilin ishte njohur në Ventotene, punoi në Bibliotekën e Vatikanit , gjatë vuajtjes së denim-internimit. Pas amnistisë vendoset në Breshia ku jep mësime në latinisht në një seminar pranë qytetit.

Më 1948 largohet drejt Argjentinës së largët.Ministria e Arsimit atje e punësoi si përkthyes i frëngjishtes, italishtes, latinishtes në gjuhën spanjolle.Në radion “Europa e Lirë” përgatiste edhe lajmet në shqip e gjuhë të tjera, ndërsa shkruan edhe në gazetën “Lapresa” Njihet me Jorge Luis Borges, me një miqësi të frutshme e të dobishme. Më 1957 mbron diplomën  për letërsi dhe filozofi  dhe menjëherë fillon punë në Universitetin e Buenos-Airesit. Bëhet drejtor i Institutit Francez “La France a l’etranger” në vitin 1960 dhe vizitohet dhe përshëndetet personalisht nga Presidenti francez i asaj kohe Sharl De Gol; emërohet këshilltar i Minstrit të Arsimit të Argjentinës, përgatit programet e planet akademike për universitetet e atij vendi, dekorohet më 1965 me Medalje Ari nga Universiteti i Buenos Airesit.

Pas kësaj, thirret në Amerikë nga anëtarësia e Ballit, pasi kish vdekur Ali Këlcyra më 1963 dhe më 1965 zhvillojnë Kongresin në Nju Jork dhe e zgjedhin Kryetar të Ballit Kombëtar.

Hyn në konkurs për frëngjisht dhe fillon punë si profesor i filozofisë dhe gjuhës frënge në Universitetin e Nju Hempshajer; unifikon diplomën e marrë në Argjentinë në Uashington D.C. dhe emërohet Shef Katedre, duke punuar si akademik mësimdhënës i letërsisë spanjolle, frënge dhe drejtor i përgjithshëm i Departamentit të gjuhëve të huaja në Barat College – Lake Forest, Illinois, SHBA. Në Universitetin e Indianas ishte shef katedre, ku programonte dhe drejtonte kurset e 59 profesorëve të filozofisë…

Del në pension më 1980, po duke vazhduar të udhëheqë punën e 87 profesorëve të Universitetit të Illinois-it, si shef katedre.Më 29 dhjetor 1990 jep dorëheqjen për arsye moshe dhe shëndetësore. Profesor Isuf Luzaj ndërroi jetë në 25 nëntor 2000 nëÇikago dhe sipas amanetit , u varros në fshatin e tij të lindjes, në atdhe.

Vepra

Në vitin 1938 ai botoi librin “Rrefimet”. Në këtë periudhe libri me vargjet lirike konfiskohet dhe ai dënohet me 94 ditë burgim. Bashkëpunon me revistën “Përpjekja shqiptare“.

Në vitin 1946 përfundon librin “Ideoligjia Falimentuese si interpretim materialist i historisë”, botuar nga Universiteti Gregorian në Romë. Ka qenë bashkëpunëtor i revistave “Mbrojtja Kombëtarë” dhe “Besa”, të cilat botoheshin në Kosovë.

Në vitin 1954 boton novelën politike-shoqërore filozofike kundra komunizmit “Lumejt derdhen të kuq” në spanjisht (titulli origjinal Los Rios Bajan Rojos), shtëpia botuese “Ultramar”.

Në vitin 1965 boton “Metodologjinë për studimet e filozofisë” që është përdorur për shkollat e mesme.

Ndër vitet 1963-’90 boton artikuj pothuajse në të gjitha gazetat e Amerikës mbi filozofinë e Historisë së Marksizmit në teori dhe praktikë. Ka lënë 32 vëllime shqip në dorëshkrim.I janë botuar “Gloria e çmendje”, Tiranë 1995 dhe “Lamtumira e yjeve”, Tiranë 2001.

Nderime

Isuf Luzaj ka marrë titullin “Professor emeritus” në SHBA, një dekoratë që mban shënimin “Profesor i Amerikës” dhe të cilën ia pat dorëzuar vetë presidenti Regan, se kishte dhënë mësim në universitetet amerikane: Harvard, Columbia, Vox Hampshire, Indiana, Illinois, etj.

Në vitin 1990 Universiteti i Illinois-it i dorëzon medaljen “Për shërbime të jashtëzakonshme akademike”. Në këtë ceremoni merrte pjesë presidenti i atëhershëm i ShBA George H. W. Bush, guvernatori i shtetit të Illinoisit dhe Sekretari i Arsimit. Në dhjetor 1990 Shoqata e Gazetarëve të Amerikës i jep “Medalje nderi” për 94 artikuj të botuar tek “Edistenologjia e Materializmit Historik”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube