KONTRIBUTI I SHQIPTARËVE PËR SHPËTIMIN E HEBRENJËVE GJATË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE

0

NGA DR. QAZIM NAMANI

Pas pushtimit të Jugosllavisë nga Gjermanët në Luftën e Dytë Botërore shumë hebrenj nga viset veriore u shpërngulën në viset e Maqedonisë, Kosovës dhe të Dalmacisë që ishin në kontroll të Italianëve. Bazuar në regjistrimin e popullatës  mes dy luftërave e gjerë në vitin 1941 në Kosovë jetonin 92 familje të hebrenjve. Pas pushtimit të Jugosllavisë nga fuqitë e boshtit në prill të vitit 1941, pjesa më e madhe e Kosovës u pushtua nga italianët të cilët proklamuan ligjet raciale, por megjithatë ato nuk u zbatuan. Nuk u shpallën ndjekjet kundër çifutëve dhe ata nuk ishin të detyruar të bartin yjet e verdhë në rroba, shumë çifut nga Serbia erdhën në Kosovë sepse gëzonin një lloj sigurie.[1]

Gjatë viteve 1939-1940 organizata fashiste serbe “Zbor” që e drejtonte Lotiqi dhe përkrahej nga një pjesë e klerit serb i bëri listat për likuidimin e hebrenjve. Në vitin 1941 kjo organizatë e qarqeve gjermane ju dorëzoi listën e të gjithë hebrenjve që jetonin në Kosovë.[2]

Kur plani gjerman “Final Solution” ose zgjedhja përfundimtare u përdor për herë të parë në konferencën e Vansi (Vannsee) në Berlin, më 20 janar të vitit 1942, ku ushtarakët e lartë gjerman diskutuan për zbatimin e këtij plani për vrasjen e të gjithë hebrenjve në Evropë në këtë kohë qëndrimi i shqiptarëve ndaj hebrenjve ishte human dhe i drejtë.[3]

Më 24 prill 1942 e vizituan Mitrovicën Dr. Harolld Turner, krye shef i Shtabit Administrativ pranë Administratës ushtarake të Serbisë dhe përfaqësues i qeverisë kuislinge serbe, Millan Aqimoviq. Komanda qarkore e rojës shtetërore serbe gjendej në Mitrovicë. Organizata “Zbor” vazhdoi të punoi dhe veproi në mënyrë të organizuar dhe pas pushtimit gjerman. Stevan Iliq, udhëheqës i rajonit organizativ të “Zborit” në Mitrovicë më 8 korrik 1941 e kishte vizituar sekretarin e përgjithshëm të “Zborit” në Beograd, dhe prej asaj kohe rregullisht ju dergonte raport atij dhe Millan Nediqit për rrethana në Kosovë. Stevan Iliq u emërua shef i Qendrës Informative për Kosovë. Stevan Iliqi bashkëpunonte gjithashtu edhe me Gestapon në Mitrovicë.[4]

Qeveria serbe e Millan Nediqit në fillim të vitit 1942 i shtoi shpërblimet për informimin, zënien dhe likuidimin e kundërshtarëve. Në luginën e Ibrit vepronte edhe aradha çetnike në udhëheqjen e Mashan Gjorgjeviqit i cili ju drejtua Millan Nediqit me kërkesë që të ju lutet organeve ushtarake gjermane që kjo aradhë të mbetet në këtë luginë. Kjo u arrit pasi që çetnikët kishin dhënë shumë dëshmi të bashkëpunimit me gjermanët. Në prill të vitit 1942 edhe lotiqistet erdhën në luginën e Ibrit, më këtë rast organizuan një solemnitet më 26 maj 1942. Meshën e kreu në kishën ortodokse në Leshak Kleriku-Lotiqist Boshko-Haxhi-Trifunoviq. Në mars të vitit 1943 u formua korpusi i dytë çetnik i Kosovës me shtatë brigade.[5]

Gjermanët dhe Millan Nediqi dërguan qysh në fillim të vitit 1942 forca të mëdha ushtarake në luginën e Ibrit për mirëmbajtjen e hekurudhës dhe rrugës. Njësitet e Nediqit ishin shpërndarë në Mitrovicë, në Rashkë, në Podjevë, Vushtërri, dhe Novi Pazar.[6]

Disa qindra hebrenj nga Prishtina dhe Mitrovica u depërtuan në kampin e Zemunit, e pastaj në Bergen-Belsen. Bazuar në këtë të dhënë nga Muzeu i Zagrebit, në Kosovë thuhet se ka pas 550 hebrenj, prej tyre janë vrarë 210 ose 38,2%.[7] Nga kjo e dhënë kuptojmë se bëhet fjalë për vrasjen e 210 hebrenjve, shifër kjo që qarqet e ndryshme sllave u orvatën që këtë të keqe të ju veshin shqiptarëve.

Nga të dhënat e cekura më lartë mundë të pohojmë se edhe nëse është bërë kjo vrasje dhe dorëzim i hebrenjve , këtu nuk kanë dorë shqiptarët sepse me shumë shembuj konkret dëshmohet virtyti i shqiptarëve dhe sakrifica e tyre për shpëtimin e hebrenjve. Shqiptarët e Kosovës edhe pas pushtimit të Shqipërisë nga forcat gjermane u gjenden në pozita të larta shtetërore atje dhe pot ë ishin vrasës dhe ndjekës të hebrenjve këtë do ta bënin edhe në Shqipëri. Shtohet pyetja a thua fati i 210 hebrenjve ishte vepër e forcave çetnike që vepronin në Mitrovicë dhe rrethinë të cilët në atë kohë bashkëpunonin me forcat gjermane. Kjo bënë të mendohet se këta hebrenj ishin nga Serbia të cilët u penguan që të hyjnë në Kosovë nga koloboracionistet serb, duke i kthyer prapë në Serbi-Zemun për ti dërguar pastaj në kampin e Bergen Belzenit, sigurisht se shqiptarët nuk i dërguan në Zemun as prej Zemuni në kamp për vrasjen e tyre. Kjo çështje kërkon një studim të hollësishëm për të kuptuar realitetin dhe fatin e këtyre 210 hebrenjve që studiuesit sllav e veçanërisht ata serb u orvatën që këtë të keqe të ju veshin shqiptarëve të Kosovës. Nga dokumentet e kohës dhe të mbijetuarit e hebrenjve që kishin qenë në kampin e Prishtinës kuptojmë për sjelljen humane dhe korrekte të ushtarëve Italian dhe shqiptarëve të Kosovës të cilët bënë çmos që hebrenjtë nga ky kamp të dërgohen në Shqipëri.

Kur në vitin 1942 gjermanët urdhëruan kapjen e çifutëve në Kosovë, autoritetet shqiptare i urdhëruan çifutët që të shkojnë në Shqipëri. Rreth 500 çifut sa ishin në Kosovë në atë kohë kaluan në Shqipëri të cilët u vendosën në Berat, Krujë. Pas kapitullimit të Italisë Shqipëria u pushtua nga gjermanët por ë gjithë çifutët u strehuan te fshatarët shqiptar. Shqipëria doli nga lufta e dytë botërore si i vetmi vend evropian që kishte më shumë çifut se para lufte.

Pas Luftës së Dytë Botërore në Prishtinë jetonin familja e z. Haim Adzhesit, e z. Zhak Rubenoviqit, e zonjës Sarina samuiel-Baharit dhe disa anëtar të familjeve hebraike të cilat  mbijetuan.[8]

Prenk Uli që kishte qenë sekretar i Prefekturës së Prishtinës gjatë luftës së dytë botërore njihet si shpëtimtari më i madh i hebrenjve në Prishtinë, këtë e dëshmoi Josif Levi i cili kishte qenë rabin hebraik në Prishtinë kur thotë se Prenk Uli me trimëri të pa shoqe i shpëtoi 52 hebrenj.[9]

Sipas Michele Sarfattit në rrethana të pa qarta në Kosovë, ende nuk ka ndodhur të vërtetohet e njëjta sjellje ndaj hebrenjve sikurse në Shqipëri. Duke ju referuar dy letrave të deleguarit apostolik në Shkodër dhe kujtimeve të një hebreu të mbijetuar e më vendbanim në Beograd. Sarfatti shpreh mendimin se afro 500 hebrenj u janë dorëzuar nazistëve, ndoshta pa dijeninë e shqiptarëve por të cilët më pas u likuiduan në Bergen-Belsen. Edhe Bernd Fischer ka mbrojtur mendimin se izraelitet në Kosovë kanë qenë më të rrezikuar se ata në Shqipëri. Sipas tij në Kosovë pati një humbje të hebrenjve prej afro 40% , duke parashtruar hipotezat se ndoshta batalioni “Skenderbeg” mundë të ketë bashkëpunuar me forcat naziste. Me 23 gusht 1942 autoritetet e qeverisjes vendore në Prishtinë me anë të një letre drejtuar Ekrem bej Vlorës e përgëzoi qeverinë për vendimin e marrë më 29 maj 1942 për largimin e hebrenjve nga Prishtina për në brendi të Shqipërisë. Ky letër këmbim zyrtar shoqërohet edhe me listën e plote të 94 familjeve dhe 87 individëve hebrenj të larguar nga Prishtina në Shqipëri.[10]

Ka më shumë se dy dekada që shkruhet se në Kosovë ka ekzistuar divizioni “Skanderbeg” i krijuar me emër të Himmler-it, që ka vrarë , masakruar , viktimizuar dhe dërguar në kampet e përqendrimit qindra hebrenj. Duke manipuluar me këto të dhëna disa studiues pa burime dhe fakte historike, i futën shqiptarët e Kosovës në grupin e popujve të ish Jugosllavisë që e përkrahën holokaustin dhe bënë krime, vetëm që të zbusin shifrat për dhjetëra mija hebrenjsh të dërguar në kampet e përqendrimit. Në “Atlas of the holocaust” të Martin Gilbert-it Kosova nuk ekziston e veçuar dhe nuk raportohen të dhëna për holocaust. Në një hartë të Shqipërisë shtetërore përshkruhet itinerary i 400 hebrejve që nga Shkodra njekën drejtimin për në Prishtinë, por nuk shënon datën se kur ka ndodhur kjo lëvizje. Prof Dr. Shaban Sinani shkruan se autori i atlasit duke e ditur se në vitin 1941 një kontingjent prej 350 hebrenjsh të Dalmacisë erdhën nga viset verilindore të Adriatikut në Shqipëri, ndoshta autori supozon se hebrenjtë ndërrua drejtimin dhe shkuan në Prishtinë. Ose ndoshta autori s’ka njoftime se ekzistojnë dokumente që dëshmojnë se ky kontingjent hebrenjsh u prit në Durrës dhe u sistemua në Kavajë.[11]

Stephen Schwartz, duke shkruar për përfundimet e jude fobisë në Bosnje gjatë luftës, shkruan se “ it is true that the Albanian waffen SS Skanderbeg division turned some 210 Jews in Kosovo over to the nazis”. Së paku ai kujtohet të saktësoj se “not one Jew was handet over in Albaniaitselt” (“The Jews, the serbs, and the truth”).[12]

Shumë autor të shtyrë nga qarqe të ndryshme anti shqiptare, apo edhe ndoshta duke mos pasur njohuri të mjaftueshme rreth ngjarjeve që ndodhën në Prishtinë, gjatë luftës së dytë botërore, me apo pa dashje gabuan kur shkruan për divizionin “SS Skenderbeg” dhe çështjen e hebrenjve në burgun e Prishtinës.

Jean-Moise Braitberg, një prej studiuesve të “Steinberg Institute” pohon një shifër tjetër. Sipas tij në prill të vitit 1942 ministri shqiptar i punëve të brendshme instruktoi që hebrenjtë e ardhur për shkak të luftës të mblidhen në një kamp përqendrimi në Prishtinë. Prej andej “On evalue a 400le nombre de Juifs arêtes par les fascists albanais et places sous leur garde au camp de Pristina, la plupart d’entre eux furent envoyes a Bergen-Belsen et illy eu environ 100 survivants”. Në fakt autori duhej ta dinte se në vitin 1942 nuk kishte divizion “Skenderbeg”, ai u krijua në mars 1944, ose të paktën që ende nuk ishte themeluar as kampi i përqendrimit i Bergen-Belsen-it.[13]

C.K. Savich dhe tribuna e tij “Serbiana” nuk mundë të qëndronin pa propozuar shifrën e tyre: “The definitive work on Hitler’s final solution in Yugosllavia estimates that 550 Jeës lived in Kosovo, ëhen Hitler took over Yugosllavia. 210 of them, or 38%, were murderd in Kosovo, mainly by Albanians. In fact, the skanderbeg division’s first operation was to act as an Einsatzgruppe againstthe Jews”.

Nuk është e ditur se nga cili burim janë marrë shifrat e përmendura por për implikimin e divizionit “SS Skenderbeg” në holocaust shkruan dhe studiuesi B. Fischer, që nga të arrestuarit prej nazistëve “400 hebrenj të Kosovës përfunduan në Bergen-belsen, nga mundën të mbijetojnë vetëm 100”.

Tani është vërtetuar se për herë të parë shifra prej “519 personash” të arrestuar nga divizioni “SS SKenderbeg” e ka përmendur studiuesi serb Milorad Vavic (“Kosovski jevreji za vreme okupacije 1941-1944”, të botuar më 1983), këtë e ka rimarrë të referuar “ dhe në burimet arkivore serbo-hebraike” P. D. Ivanov, në librin e tij “Jevreji Kosova i Metohije” Beograd 1988 fq.70.

Prof Dr. Shaban Sinani shkruan se dr. Mr. Altskan, funksionar në departamentin e kërkimeve në muzeun memorial të holokaustit ja ka dhuruar kopjen e një dokumenti, të depozituar në arkivin e Pentagonit (US ARMY) në vitin 1947, së bashku me një riprodhim identik të dokumentit bazë gjermanisht, në përbërje të një korrespodence që zgjat ndërmjet viteve 1943-1944. Transkriptimi i dokumentit NOKN-general, NOKN- Slave Labor, Summary (indicate page nos.) Page 27, WIII, Abwehrlage (situation of defense), point 4, Verhaftuingen (arrestes).

The SS Division arrested 510 Jeës, komunisten, helper of partisans (Bandenhelfter) and persons suspicious in political respect (pilitisch verdachtingen). They ëere taken in custody (Sichorungsverëahrung) in division’s prisoner camp and 249 of them transported to Germany labor. (Analyst’s note: “SS Div” quoted in the situation report is SS Div. “Skanderbeg”. Only pages 1, 27 and 33 of the situation of report are of importance” Maj.Gen. Kuebler, Joseph- personal record attached. 17. janar 1943: konrad: National Socialist in action and word; 8 august 1944: Rendulic, Kuebler is a good National Socialist”.

Prof. Shaban Sinani shkruan se në përmbajtjen e këtij dokumenti gjendet filli i konfuzionit të qëllimshëm me shifrat e “hebrenjve të viktimizuar në Kosovë”. Dokumenti bënë fjalë për arrestimin e 510 personave, por ata nuk ishin të gjithë hebrenj. Të arrestuarit kryesor ishin komunistë, mbështetës të partizanëve (të bandave), persona politikisht të dyshimtë, andaj me të drejtë prof. Shaban Sinani e shtron pyetjen: Pse ky zell, atëherë, për ta gjeneralizuar menjëherë shifrën dhe për t’i implikuar shqiptarët në ushtrim të holokaustit? Duke i bërë një analizë të kujdesshme përhapjes së parë të këtij fakti, dhe duke mos bërë asnjë saktësim se në këtë numër përfshihen edhe shumë kategori tjera kundërshtarë të nazizmit, mund të kuptohet qëllimi: të paraqiten shqiptarët e Kosovës si të prirë për krime kolektive, veçmas si pjesëmarrës aktivë në Shoah. Manipulimet me shifra të hebrenjve që lufta i zuri në Kosovë merr fund me zbulimin e listave të transportit (“Transportliste”), të hartuar në Prishtinë pikërisht në gusht të vitit 1944. Në këtë dokument divizioni “SS Skanderbeg” ngarkohet  të kryej detyrën “transport der kommunisten und partizanen”. Lista gjendet në treguesit: AQSH, F. 153, V. 1944, D. 172, fl. 10-38. Pjesa e parë e kësaj liste mbyllet me numrin 239, kurse pjesa e dytë e listës mbyllet me numrin 249. Ekzistojnë edhe dy aneks-lista, të dhënat e të cilave përllogaritur një për një. Sipas këtyre listave, që sinkronizohen në të njëjtin veprim që përmend dhe dokumenti i MMH, divizioni “SS Skanderbeg” ka shoqëruar dhe jo dorëzuar apo viktimizuar në kampin e përqendrimit të Saimishtes afër Beogradit dhe jo në Bergen-Belsen. Në të dy listat, bashkë me dy anekset,  që përmbajnë 519 emra, janë vetëm 32 hebrenj të depërtuar nën shoqërimin e divizionit “SS Skanderbeg”. Pjesa tjetër e personave të arrestuar janë shqiptar të arrestuar si komunist, partizanë, kundërshtarë të nazizmit; gjithashtu antifashistë malazezë dhe pak serbë.[14]

Bazuar në këtë listë që e ka ofruar prof. Dr. Shaban Sinani, dhe listën e hebrenjve që kanë jetuar në Prishtinë deri në vitin 1941 të publikuar në punimin e magjistraturës së Mr. Çedomir Prilinqeviqit, përveç një emrit të një vajze të quajtur Dijamanta Avrami asnjë emër tjetër nuk përputhet me hebrenjtë e Prishtinës. Deri më tani nuk ka ndonjë e dhënë tjetër që dëshmon për internimin e hebrenjve nga divizioni “SS Skenderbeg”. Shumë pak është për të besuar se shqiptarët kinse i paskan shoqëruar këta hebrenj deri në Beograd, kur tani ma veç janë të njohura përpjekjet e shqiptarëve dhe kontributin që dhanë për shpëtimin e hebrenjve në momentet ma kritike për ta. Akuza për pjesëmarrjen e shqiptarëve të Kosovës në shoah do të përfundonte vetëm kurë të kuptohet qëllimi dhe gënjeshtra e disa studiuesve e veçanërisht atyre sllavë që manipuluan me shifrat prej 400, 519, apo 800 hebrenjve të depërtuar kinse në kampe të përqendrimit nga divizioni “SS Skenderbeg”.

Të shohim si ka qëndruar gjendja me hebrenjtë që ishin të pranishëm në mesin e popujve tjerë të Ballkanit dhe më gjerë.

Autoritetet e Beogradit gjatë luftës së dytë botërore njoftonin R.SH.A. në Berlin se Serbia ishte pastruar nga çifutet.[15]

Sipas statistikës së luftës së dytë botërore për holocaust në shtetet evropiane jetonin 9.508.340 hebrenj prej tyre janë vrarë 5.962.129 ose 63% kanë mbijetuar 3.546.211. Nga kjo statistikë shihet se në jugosllavi nga 78. 000 hebrenj janë vrarë 63.300 apo 81% kishin mbijetuar 14.700. Në Greqi nga 77.380 ishin vrarë 67.000 apo 87%, kishin mbijetuar 10.380. Në Itali nga 44.500 ishin vrarë 7.680 apo 17% kishin mbijetuar 36.820. [16]

Në fillim të vitit 1943 për pak javë, thuajse e gjithë bashkësia çifute e Selanikut, prej afro 50.000 banorësh u depërtua në Aushvic. Vetëm një numër i vogël i tyre mbeti gjallë. Kjo bashkësi në kohën e lulëzimit të saj që njihej me emrin MALKAH ISTAILMbretëresha e Israelit” tani nuk ekziston më.[17]

Selaniku është quajtur edhe nëna e çifutëve, në këtë qytet para lufte jetonin  komunitete hebrenj që mbanin emrin nga vendet që kishin ardhur pas dëbimit nga Spanja dhe vendet tjera më 1492 si: Kastiljan, Aragon,Toledo, Sicilian, Kalabrian, Kordovas, Portugez, Romaniot dhe Ashkanet. Në vitin 1498 Selaniku kishte 30.000 hebrenj.[18]

Ata pak hebrenj të Selanikut që shpëtuan, shpëtuan po thuajse falë fisnikëve grekë të cilët rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar miqtë ose shokët e biznesit. Ekstremet e shifrave 100% shpëtuan në Shqipëri dhe vetëm 10% në Selanik përbën një fushë kërkimesh të pasur për historianët.[19]

Kur të analizojmë numrin e hebrenjve të vrarë nga kolobarcionistet dhe shovinistet e shteteve fqinjë të shqiptarëve, shqiptarët si popull mundë të krenohen me virtytet e tyre njerëzore dhe morale për të cilat janë shquar në të gjitha luftërat rajonale.

Marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe hebrenjve kanë qenë në një nivel shumë të lartë. Fizikani më i madh në botë, Albert Ajnshtajn që kishte origjinë hebrenj u ftua në Tiranë nga mbreti Zog. Krijuesi i teorisë së relativitetit ka zhvilluar edhe disa takime zyrtare e jo zyrtare me drejtuesit e shtetit shqiptar.[20]

Dr. Ana Kohen thotë se familja e saj ishte nga Janina, ku vetëm 10% e hebrenjve shpëtuan. Shkuam në malet e Vlorës i ndërruam emrat në mysliman, u përziem me vendasit të cilët na pranuan dhe na trajtuan si vëllezërit dhe motrat e tyre.[21]

Kontributi i shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve gjatë luftës së dytë botërore është vlerë kombëtare që duhet kultivuar. Kjo është dëshmuar nga shumë familje shqiptare në Kosovë, por edhe familje shqiptare, që gjatë Luftës së Dytë Botërore jetonin në Serbi.

Sipas rrëfimeve të Ruzhdi Behlulit (1940), babai i tij Sadik Sadiku (1902-1996) i lindur në fshatin Novosellë komuna e Bujanocit është njëri ndër shqiptarët që bëri shumë për shpëtimin e një të riu hebre të quajtur Ahim Kohen.

Në vitin 1941 Sadik Sadiku në qytetin e Vranjës e takon një serbë të cilin e kishte njohur më parë. Serbi kërkon nga Sadiku që ta merr në strehim dhëndrin e tij hebre pasi që ishte i rrezikuar nga serbët të cilët i dorëzonin hebrenjtë te ushtarët gjerman.

Hebreu qëndroi më shumë se një muaj në shtëpinë e Sadikut. Gjatë qëndrimit në shtëpinë e Sadikut, ai u pagëzua me emrin Mehmet, por nga frika se po e zbulojnë hebreu kërkonte që ti ndërrohet vendi dhe të dërgohet në Shqipëri.

Sadiku e kishte pas mik Shefki Bunjakun nga Desivojca e të cilit i tregoi rastin e hebreut të ri, dhe kërkon mendimin e tij për të gjetur rrugën që ta dërgojnë Ahimin në Shqipëri.

Shefkiu i kishte thënë Sadikut se nëse arrin që ta kaloi hebreun këndej Gurit të Pribocit atëherë edhe mundë të bëhet ndonjë zgjidhje.

Guri i Pribocit në atë kohë ishte bërë pikë kufitare në mes të Bullgarisë dhe Shqipërisë.

Sadiku për ta realizuar qëllimin e tij e kishte pjekur një pulë dhe e kishte veshur hebreun e ri me një tërlik ( veshje-mbulesë) të grave. Kur afrohet në kufi te Guri i Pribocit ushtarët bullgar i ndalën dhe e pyeten Sadikun se ku donë të shkoi. Sadiku ju ofrohet ushtarëve bullgar, duke ju thënë se po shkon me gruan te miqtë e tij, dhe ja jep ushtarit bullgar  pulën e pjekur. Ushtari bullgar e liroi Sadikun që ta kaloi kufirin me hebreun e ri të maskuar në tesha të grave.

Sadiku së bashku me Shefkiun e sjellin hebreun në Gjilan dhe prej Gjilanit, ata kërkojnë të gjejnë lidhje në qytetin e Gjakovës. Pasi i sigurojnë lidhjet e dërgojnë hebreun në qytetin e Vlorës në Shqipëri. Hebreu në qytetin e Vlorës qëndron afër tre vite dhe nga aty kalon në Amerikë. Pas vendosjes së tij në Amerikë, Ahimi më pas arrin që edhe gruan e tij serbe ta merr në Amerikë.[22] Ky është vetëm njëri nga shembujt kur shqiptarët rrezikuan edhe familjet e tyre për shpëtimin e hebrenjve.

Gjatë kësaj periudhe, shumë familje shqiptare, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, dhe kudo tjetër treguan humanitetin njerëzor, dhe kjo tregohet në shumë raste, kur i strehuan dhe mbrojtën hebrenj.

Ndër familjet që kanë bërë shumë për ti ndihmuar hebrenjtë, është edhe familja e Asllan Mustaf Rezniqi. Kjo familje është vlerësuar me titullin “Fisnik mes Kombeve”, nga institucioni i përkujtimit të Martirëve të Holokaustit (Yad Vashem në Jerusalem).

Sipas rrëfimeve të Mustaf Rezniqit, rreth 42 familje hebre janë shpëtuar apo kanë kaluar nga familja Rezniqi për në vende tjera.[23]

Hebrenjët që jetonin në Prishtinë kishin krijuar raporte shumë të mira me popullatën shqiptare, në Prishtinë por edhe në fshatrat për rreth Prishtinës. Sipas kujtimeve të popullatës shqiptar në fshatrat e Malësisë së Gallapit, gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishin strehuar disa familje shqiptare në fshatin Brainë, Kalaticë, Orllan, Batllavë e tj. Shaban Musa nga fshati Prapashticë tregon për miqësinë që e kishin pasur, gjyshi i tij Musa dhe baba i tij Shabani me hebreun Salamon Baharin i cili i kishte pasur disa shitore në Prishtinë. Familja e Musës së Shushnicëve nga fshati Prapashticë, me dekada të tëra kishte shitur prodhime dhe kishte blerë mallra në shitoret e Baharit. Këta madje edhe kishin krijuar raporte shumë të afërta dhe çmoheshin shumë mes veti. Në fillim të Luftës së Dytë Botërore, pas përmbysjes së sundimit sllav, Solomon Bahari e kishte shtyrë djalin e Musës Shabanin, që të fillojë me pjekjen e tjegullave dhe tullave tradicionale. Për të filluar punën Shabani e kishte sjellë nga Prishtina në Prapashticë një familje rome prej 12 anëtarësh për të prerë tjegulla dhe tulla në pronën e tij. Kjo familje rome kishte qëndruar në Prapashticë plotë shtatë vite, deri në fund të vitit 1947. Shabani gjatë kohës së luftës, prej Solomonit,  ishte furnizuar edhe me barna për shërimin e plagëve, me ato barna ishin shëruar disa të plagosur shqiptarë pas fundit të vitit 1944.

Pas kapitullimit të Italisë në shtator të vitit 1943 shumë çifut gjetën strehim ndër fshatar dhe familje shqiptare. Pas pushtimit Italian të Kosovës, disa hebrenj që erdhën nga veriu u vendosen në kamp, italianët ishin njerëzor në trajtimin që u bënin hebrenjve në këtë kampin e Prishtinës. Kur hebrenjtë u ankuan për mbi popullim të kampit, italianët ua bënë këtë çështje të njohur gjermanëve. Të nesërmen ata shkuan te kampi, morën gjysmën e hebrenjve që ndodheshin aty i dërguan tek një pyll (Tauk-Bahqe) afër Prishtinës dhe i pushkatuan.[24] Në vitin 1944 në Prishtinë kur komunistet e morën dhe e pushtuan qytetin bënë pushkatime të shqiptarëve dhe hebrenjve të vendi i quajtur “Shejtaria” në Tauk-Bahqe. Këtu u pushkatua edhe hebreu i pasur z. Salamon Bahari dhe djali i tij Moshe Bahari me sajimin e akuzës se gjëja babë e bir iu kishin dhënë ryshfet gjermanëve dhe shqiptarëve që ishin bashkëpunëtor të armikut, por qëllimi kryesor i pushkatimit të tyre ishte plaçkitja e pasurisë së z. Salamon Bahar i cili kishte qenë pasanik i madh para dhe gjatë luftës. Sarina Samujel Bahar e shoqja e z. Moshe Baharit, jetoi në Prishtinë deri në vitin 1981, kur dhe vdiq.[25]

Hebrenjtë nga Serbia dhe Kroacia filluan të zhvendosen në trevat ku jetonin shqiptarët, ku ndiheshin të trajtuar më mirë prej shqiptarëve dhe Italianëve, derisa edhe këtu arritën gjermanët. Sido që të ketë ndodhur, mënyra se si shqiptaret i trajtuan hebrenjtë mbetet e pakrahasueshme me atë çfarë bënë të tjerët ndaj tyre. Shqiptarët as nuk i dorëzuan listat e hebrenjve tek gjermanët e as nuk morën pjesë në arrestimin e tyre. Në Prishtinë , me kërkesën e gjermanëve, autoritetet lokale i përpiluan listat e hebrenjve. Kjo solli arrestimin e 60 burrave hebrenj. Një doktor simpatik shqiptar Spiro Lito, e bindi kryesinë e vendit që të mos lejonin dërgimin e 60 hebrenjve në Poloni.  Hebrenjtë u dërguan në Berat, u pajisen me dokumente false dhe u shpërndanë nëpër Shqipëri,  në qytetet Lushnjë, Shijak, Kavajë e Krujë.[26]

Për trajtimin e hebrenjve të ardhur nga viset tjera te ish Jugosllavisë Gavra Mandil në librin “Zivot u cerno-belim slikama” jep të dhëna të mjaftueshme për të kuptuar mikpritjen dhe qëndrimin e shqiptarëve të Kosovës ndaj hebrenjve, por dhe mikpritjen shqiptare gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri.

Po ashtu edhe trajtimi i hebrenjve në burgun e Prishtinës nga ushtarët Italian ishte human dhe njerëzor. Në këtë libër përshkruhen kujtimet nga udhëtimi i hebrenjve nga Prishtina për në Kavajë.[27]

Pas hyrjes së trupave naziste në Prishtinë u krijua një gjendje e vështirë, si për izraelitët vendas, ashtu edhe për ata që kishin ardhur nga viset tjera. Zhulia Kantozi, një nga izraelitet e Prishtinës që më pas erdhi në Shqipëri, në dëshminë dhënë autorit në vitin 1968, ka pohuar se në Prishtinë u grumbulluan rreth 2000 hebrenj. Me urdhër të nazistëve, të gjithëve na vunë në krah një shirit të bardhë me shkronja të zeza ku shkruhej fjala “Jud”. Në të gjitha banesat dhe dyqanet e hebrenjve kishin vendosur nga një flamur gjerman. Në letërnjoftime na kishin shtamposur një “J” me ngjyrë të kuqe. Kur erdhën Gjermanët në Mitrovicë u kërkuan autoriteteve italiane t’u dorëzonin izraelitët e Prishtinës. Ndër izraelitet dhe popullsinë vendase u dha alarmi. Shqiptarët e Prishtinës, përfshi edhe ndonjë nga autoritetet e vendit, shkuan menjëherë në komandën e karabinierisë italiane dhe iu luten që të mos i dorëzonin, por të gjenin rrugë e mundësi për ti shpëtuar duke i nisur për në Shqipëri. Italianët që tregoheshin më humanë e tolerues e morën parasysh këtë kërkesë dhe grupe i nisën në Shqipëri.

Francesco Jacomoni, në kujtimet e tij shkruan se si kryeministri shqiptarë i asaj kohe Mustafa Kruja, kishte kërkuar takim dhe e kishte lutur që ti shpëtoi izraelitet e tokave shqiptare të Kosovës. Jacomani e miratoi këtë kërkesë dhe menjëherë veproi për largimin e hebrenjve nga Prishtina për ti sjellë në Shqipëri.[28]

Mustafa Kruja u tregua i aftë për të përballuar situatat me guxim dhe shpirtbardhësi pas marrjes së detyrës së kryeministrit. Tek ai kishte shkuar konsulli i përgjithshëm i Gjermanisë për ti paraqitur një not verbale përmes së cilës qeveria naziste kërkonte ti dorëzoheshin më shumë se treqind hebrenj që pas largimit nga Jugosllavia ishin strehuar në Shqipëri. Komanda ushtarake gjermane në Beograd kishte të dhëna të sakta rreth emrave dhe vendosjes së tyre në Kosovë. Mustafa Kruja erdhi dhe më kërkoi leje që ti linim të pa shqetësuar në Shqipëri sepse atje nuk kishte në gjithë vendin ushtarë gjerman që mundë ti identifikonin. Sidoqoftë u ra dakord që refugjatët hebrenj të transferoheshin në zonën e Gjirokastrës që ishte në kufi me Greqinë, e cila mbahej e pushtuar nga trupat italiane. Ata do të pajiseshin me pasaporta shqiptare me emra të rremë dhe me materiale të tjera aty ku do të ishte e nevojshme. Këto masa i bënë të  mundur Mustafa Krujës që pas disa ditësh ti përgjigjej konsullit të përgjithshëm të Gjermanisë se, të gjitha kërkimet në Kosovë rreth këtyre emrave nuk kishte nxjerr asgjë.[29]

Zyra politike e Ministrisë së Punëve  të brendshme me telin shifër nr. 11/19, datë 30.03.1942, urdhëroi prefekturat Prishtinë, Pejë, Prizren dhe Dibër, që gjithë izraelitët brenda tri ditëve, me letër shtrëngimi të dërgoheshin në prefekturën e Beratit. Në bazë të këtij urdhri më 05.04.1942 në Berat arriti kontingjenti i parë i hebrenjve prej 100 vetash. Nga Peja u nisën më 09.04.1942 për në fushën e përqendrimit të Prezës 79 izraelit. Me urdhrin telegrafik11/25 të datës 01.04.1942 Zyra Politike e Ministrisë së Punëve të Brendshme, drejtuar prefekturës së Prizrenit, urdhëroi që të gjithë izraelitët e ardhur aty nga viset tjera të grumbulloheshin në një fushë përqendrimi për të gjithë Kosovën, në marrëveshje me autoritetet ushtarake. Më pas me urdhrin telegrafik 11/95 të datës 05.07.1942, të Zyrës Politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme, drejtuar prefekturës së Prishtinës, të 69 izraelitët që qëndronin në burgun e Prishtinës u nisën për në Shqipëri në qendrat e përqendrimit: Kavajë, Burrel, Krujë e Shijak. Gjatë vitit 1942 dhe fillim të vitit 1943 erdhën edhe grupe të tjera hebrenjsh nga Prizreni, Prishtina, Ferizaj dhe vende tjera.[30]

Riza Drini ish prefekt i Prishtinës gjatë viteve 1941-1942 dhe Hysen Prishtina në vitet 1943-1944 kanë ndihmuar në shpëtimin e shumë hebrenjve të Prishtinës dhe qyteteve tjera të Kosovës përmes formave të ndryshme i dërgonin në Shqipëri. Riza Çitaku ish banor i Prishtinës, në vjeshtën e vitit 1943 ka strehuar dhe shpëtuar bashkëshorten e Josef Baharit, e cila kishte shkuar nga Kavaja në Prishtinë për ti parë prindërit. Pasi e kishin future në kamp, ajo ishte arratisur dhe ishte strehuar për një kohë të Rizai i cili me ndihmën e prefektit Hysen Prishtina e shpëtoi.[31]

Në vitin 2005, në Prishtinë Dr. Ramadan Xhema me vendbanim na Sh. B. A. deklaroi se ka ekzistuar një kanal i shpëtimit të hebrenjve të Prishtinës nëpër mes fshatit Prapashticë drejtë shteteve të lindjes, por nuk la të kuptohet se ka ndonjë dokument apo kjo e dhënë është e ruajtur vetëm në kujtesën popullore shqiptare.

Murteza Studenica në librin e tij “Shqiptarët dhe Hebrenjtë” shkruan: Kur gjermanët kishin kërkuar listën e hebrenjve që jetonin në trojet etnike shqiptare, dy hebrenj lider të komunitetit hebraik, z. Kohen dhe z. Jakoel shkuan në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Shqipërisë dhe kërkuan mbrojtje. Ekzistonte një marrëveshje midis gjermanëve dhe Xhafer Devës, se gjermanët nuk duhet shumë të përzihen në punët e brendshme të qeverisë. Këta dy hebrenj u takuan me Xhafer Devën, ishin të shqetësuar se ky do ti dorëzonte në Gestapo (Geheim Stat Polizei-Policia Sekrete Gjermane). Xhafer Deva për befasinë e këndshme të këtyre dy hebrenjve, refuzoi që ti dorëzonte listat e emrave të hebrenjve, që gjendeshin në trojet etnike shqiptare. Mjekët dhe gjykatësit shqiptar nga Kosova i dërgonin hebrenjtë qoftë për mjekim apo për ta kryer burgun në Shqipëri , me të vetmin qëllim shpëtimin e tyre.[32]

Martin Gilbert është i pari që në librin e tij “Atlas of the holocaust” shënoi mbi hartën e Shqipërisë shtetërore “200 hebrenj të zhdukur”. Askush s’e di se ku e gjeti autori këtë shifër. Në të kundërtën, qoftë Instituti “Yad Vashem” në Izrael, qoftë Muzeu Memorial i Holakaustit në SH.B.A., Institucionet më të specializuara për historinë tragjike Shoah ose Holokaust[33], rastin e Shqipërisë ku s’pati viktimizim dhe përzënie të hebrenjve, e veçojnë si një model të papërsëritshëm. Sipas enciklopedisë “Pinkas Hakehillot Yavan” (Yad Vashem, 1998), në Shqipëri s’ka pasur holocaust. Forumi Ndërkombëtar i Holokaustit, që u themelua në Stokholm në vitin 2000 po ashtu rikonfirmoi se në Shqipëri jo vetëm nuk ka pasur holocaust, por janë shpëtuar qindra e mijëra hebrenj të vendeve tjera që gjeten shpëtim nën mbrojtjen e shqiptarëve.[34]

Studiues dhe njohës të historisë së Shqipërisë dhe të historisë së holokaustit si: B. Fischer, N. Malcolm, H. Sarner, J. Goldfarb, P. Stambul, në kohë të ndryshme janë shprehur se “në analizën përfundimtare 100% e hebrenjve të Shqipërisë mbijetuan nga lufta”. Në dy dekadat e fundit, për shkaqe nga më të ndryshmet, duke përfshirë edhe keqdashjen për këtë faqe të përndritur të historisë së popullit shqiptar, kanë nisur të shërbehen për qëllime statistikore gjithë far shifrash, që synojnë ta njollosin ndoshta të vetmin shembull ku hebrenjtë, vendës e të ardhur, u shpëtuan në tërësi shkruan prof Dr. Shaban Sinani.

Kur nazistët i kërkuan listat e hebrenjve më 1943, qeveria shqiptare kundërshtoi ti dorëzonte ato. Populli shqiptar pa dallim feje ju dha strehë, bukë, mbrojtje dhe bëri             që asnjë prej tyre të mos bëhej pre e holokaustit.[35]

Naftali një i ri që lufta e kishte zënë katërmbëdhjetëvjeçar tregon se si nga Serbia kanë kaluar në Bullgari, e më pas në Kosovë, i cili burgoset me tërë familjen e tij. Atëherë ai thotë ne pamë anën më të ndritshme të shqiptarëve. Një grup gjykatësish shqiptarë erdhën dhe kërkuan që të bëhej zhvendosja e refugjatëve më në jug të vendit. Ata e bënë këtë për të shpëtuar jetët tona dhe për të ja arritur kësaj na transferuan në Kavajë.[36]

Ana Lalaj në studime te saj tërheq një paralele midis qëndrimit të shqiptarëve ndaj hebrenjve dhe qëndrimit të shqiptarëve ndaj fqinjëve. Te shqiptarët nuk gjen asnjë platformë civile apo ushtarake të shfarosjes në masë, të zhdukjes së shtetit fqinjë ose të kombit fqinjë. Përkundrazi, mesazhe miqësie e mirëkuptimi janë përcjell që nga rilindësit e deri në ditët e sotme.[37]

Komiteti i hebrenjve të Jugosllavisë i drejtohet me përshëndetje Qeverisë demokratike të Shqipërisë në Maj 1945 ku thuhet: “Kur hebrenjtë e Jugosllavisë, Polonisë, Gjermanisë” etj., shuheshin me gaze e mjete hekuri nga nazifashistet, pa dallim, burra, gra, e fëmijë, në Ballkan ishte një popull që u ngrit mbi çdo teori racore dhe mbi qytetërimin perëndimor, popull hero dhe mikpritës i Shqipërisë…Në historinë e kësaj lufte do të mbetet i shënuar një popull i vogël, por bujar e heroik, populli shqiptar, i cili do të shënohet ndoshta i vetmi, nga të gjithë popujt e pushtuar të Evropës, që pengoi dhe ndaloi shfarosjen dhe ndjekjen e hebrenjve.[38]

Më 17 Janar 2007 në ditën ndërkombëtare të mbijetuarve dy vëllezër shqiptarë Mefail dhe Njiazi Biçoku nga Librazhdi janë nderuar nga Lidhja Izraelite kundër racizmit (Organizatat e hebrenjve në SH. B. A.) pasi gjatë luftës së dytë botërore familja Biçoku kishte strehuar 26 hebrenj.[39]

Për kontributin e shqiptarëve në mbrojtje dhe strehim të hebrenjve kanë shkruar dhe shumë të huaj. Në një artikull të shkruar nga media e njohur zvicerane “Watson”, është shkruar për gjashtë familje shqiptare që i  strehuan dhjetëra hebrenj.[40]

Gazeta e madhe izraelite “Israel Hayom” ka botuar një shkrim rreth shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri me titull “Fjala e Nderit”.

Kjo gazetë boton një artikull, lidhur me historinë e hebrenjve të shpëtuar në Shqipëri, mirënjohjen e atyre hebrenjve qe u rikthyen për te takuar familjet shqiptare ku kishin gjetur strehim në ditët më të vështira të popullit hebre, gjate Holokaustit.[41]

Dita ndërkombëtare e përkujtimit të viktimave të Holokaustit 27 janari, është mjaft domethënëse për Shqipërinë, që ka mbrojtur rreth 3 mijë hebrej gjatë Luftës së Dytë Botërore.[42]

Numri i familjeve shqiptare, që i kanë strehuar dhe mbrojtur hebrenjtë, është mjaft i madh, dhe pasi kanë kaluar mjaftë shumë vite, disa njerëz që kontribuan, në trevat shqiptare që mbetën prap në sundimin e Jugosllaviunë, kanë vdekur pa lënë shënime, nga frika se do ti ndiqte pushteti i atherëshëm jugosllav.

Holokausti është një nga tragjeditë më të mëdha të shek. XX, ku u vranë dhe u zhdukën mbi 6 milion hebrenj. Shqipëria ishte i vetmi vend që doli nga lufta e Dytë Botërore me një numër më të madh të popullsisë hebraike, sesa kish pasur para luftës.[43]

Siç shihet kontributi i shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve, gjatë Luftës së Dytë Botërore, është i pa mohueshëm, që në ato vite të vështira për popullin hebre, ky humanitet nuk është parë te popujt tjerë të Evropës.

Tiparet e larta njerëzore dhe humane të shqiptarëve në të kaluarën i kanë vërejtur edhe shumë udhëpërshkrues, diplomat dhe shkrimtar të huaj, që patën rastin të qëndrojnë në trevat shqiptare.

Në këtë rast ne po e veçojmë njërin prej tyre, i cili qëndrojë një kohë të gjatë në mesin e shqiptarëve.

Charles Telforf Erickson, i lindur  në vitin 1867,  në Ilinois të SH. B. A. Erickson ishte diplomat dhe shkrimtarë amerikan, i cili në fillim të shekullit XX, jetojë plotë 30 vite në Shqipëri, e i cili arrin të bëhet Drejtor i Bordit Amerikan të Misioneve të Huaja në Tiranë dhe Elbasan.

Ky mik i shqiptarëve njihet edhe për këtë thënie të cilën po e japim më poshtë:
Nuk ka popull më shpirtmirë e më të sjellshëm në Evropë se shqiptarët. Ata, përbëjnë një element të fuqishëm burrërie. Janë besnikë ndaj atdheut dhe japin jetën për fjalën e dhënë. [44]

[1] Noel Malkolm “Kosova një histori e shkurtër” Prishtinë 1998 fq. 221

[2] Prof Dr. Hakif Bajrami “Koha Ditore” Maj 2006

[3] Ana Lalaj “Studime historike” 2004 (3-4), Viti LVIII (XLI), Tiranë 2004

[4] Branisllav Bozheviq,  Hakif Bajrami, Millutin Foliq, Millorad Vaviq “Aradha Partizane e

Kopaonikut, e shalës, e ibrit” Beograd 1981 fq. 406

[5] Po aty fq.434

[6] Po aty fq. 435

[7] MUZEJSKI PROSTOR Zagreg “Zhidovi na tlu Jugosllavije” Zagreb 1988 fq.211,191 

[8] Murteza Studenica “Shqipëtarët dhe hebrenjët” Prishtinë 2000. fq.43

[9] Po aty fq. 45.

[10] Shaban Sinani “Zëri”, 05. Mars 2005 Prishtinë.

[11] Të dhënat janë marrë nga punimi nëdorë shkrim i Prof.  Shaban Sinani

[12]Të dhënat janë marrë nga punimi i Prof.. Shaban Sinani,

[13] PO aty

[14] PO aty

[15] Max Brym, Përktheu nga gjermanishtja Robert Ducellari Robert.ducellari@chello at

[16] www historyplace.com/ëorldëor2/holocaust/h-statistiks.htm

[17] Richard Clogg “Historia e Përmbledhur e Greqisë” Tiranë 2004 fq. 129

[18] Muzej na grad  Skopje “Evreite bo Makedonija” fq. 11

[19] Harvey Sarner, “Shpëtimi në Shqipëri” Tiranë 1999 fq.76

[20] Zëri, Gazetë e përditëshme 10. 08.2004. Prishtinë

[21] Harver sarmer “Shpetimi në Shqipëri” Tiranë 1999 fq. 73

[22]  Qazim Namani, Kush është Ahim Koheni (Mehmeti), hebreu që e shpëtuan shqipëtarët, Botapress.info, 12.12, 2014, https://bujanoci.net/familja-nga-komuna-e-bujanocit-qe-gjate-luftes-se-dyte-botrore-e-strehoi-hebreun-ahim-kohen/

[23] https://www.evropaelire.org/a/28263467.html, https://www.voal.ch/tag/familja-rezniqi/, https://www.botasot.info/speciale-lajme/646244/familjet-dhe-besa-shqiptare-qe-shpetuan-hebrenjte/

[24] Harvey Samer “Shpëtimi në Shqipëri” Tiranë 1999 fq. 58

[25] Murteza Studenica “Shqipëtarët dhe Hebrejët” Prishtinë 2000 fq. 50

[26] Harvey Sarner, “Shpëtimi në Shqipëri” Tiranë, 1999 fq.46

[27] Gavra Mandil   “Zivot u cerno-belim slikama” Nova Pazova:Bonart 2003 fq. 35-47

[28] Apostol Kotani “Hebrejtë në Shqipëri gjatë shekujve” Tiranë 1996 fq 52,53

[29] Francesko Jocomoni “Gjysma ime shqiptare” Tiranë, fq. 278

[30] Apostol Kotani “Hebrejtë në shqipëri gjatë shekujve” Tiranë 1996 fq.53,54

[31] Po atu fq. 121.

[32] Murteza Studenica “Shqipëtarët dhe hebrejët” Prishtinë 2000. fq. 8

[33] Termi Holokaust rrjedh nga fjala greke holokauston, që nënkupton sakrificën që i ofrohet zotit nëpërmjet djegjes complete, në mesjetë shprehej sakrifica biblike, në shek. XX  me këtë fjalë nënkuptoheshin  rrënojat katastrofike nga luftërat, epidemitë, dështimeve ekonomike. Në luftën e dytë botërore kjo fjalë i referohej vrasjes së hebrenjve, kur nga kërkimet dhe studimet u bë i njohur numri i  hebrenjve të zhdukur, afërsisht 6 milion.

[34] www.peshkupauje.bungeimail.com/dita-nderkombtare -e-persekutimit-te -hebrenjve/20

[35] Harvey Sarner “Shpetimi në Shqipëri” Tiranë 1999

[36] Po aty fq. 58

[37] Ana Lalaj “Studime historike”, Tiranë 2004 fq. 182

[38] Apostol Kotani “Hebrejët në Shqipëri gjatë shekujve” fq. 5 Tiranë 1996

[39] http://listserv buffalo.edu/cgi-bin/ëa?A2=ind 07 01d&L=albaneës&P=442

[40] https://www.izraelisot.com/2020/10/29/familjet-shqiptare-qe-shpetuan-hebrenjte-gjate-holokaustit/,

 

[41] https://top-channel.tv/2020/01/28/gazeta-izraelite-israel-hayom-fjala-e-nderit-shpetoi-hebrenjte-ne-shqiperi/,  28/01/2020 19:09.

[42] https://top-channel.tv/2019/01/27/shqiptaret-qe-shpetuan-hebrenjte-historia-e-dy-familjeve-nga-shkupi-dhe-tirana-qe-rrezikuan-ne-kohe-terrori/,

[43] https://www.idmc.al/hebrenjte-ne-shqiperi-shtyp.html,

[44] https://archives.yale.edu/repositories/4/resources/227, https://memorie.al/en/charles-telford-erickson-american-agricultural-school-collapses/, https://www.academia.edu/7745021/Evangelical_Missionary_Activity_in_Albania_as_International_Political_Engagement,

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok