Kopilat e gjyshit tim

Nga Edison Ypi

Kopilin e parë të gjyshit tim e takova te Ura e Dragotit;

-S’ka njeri në Luginën e Vjosës të mos e njohë gjyshin tënd, tha. Ishte serioz, autoritar, i drejtë, dhe qefli i madh. Unë jam, dhe për nder e kam që jam, kopil i gjyshit tënd.

Afër Piskovës një mesoburrë me një hundë të madhe sa një kalli misri.

-Gjyshin tënd këtu e njohin edhe zajet e Vjosës, edhe gurët e Nëmërçkë. Gruaja e parë i doli shtërpë. Pa e larguar të parën, të dytën e mori fisnike Skrapari, bijë Beu në Veleshnjë. Mori edhe një grua të tretë. Por e mbajti pak. Se e thirri babai i Teqesë së Alipostivanit, i tha largoje, dhe Beu e largoi.

-Sa mirë e mbajtke ment Beun. Po kryetarin e kooperativës, sekretarin e partisë, operativin e zonës, i mban ment zotrote ?

-Mos m’i kujto ata mutër. Jam kopil i gjyshit tënd.

Tjetër kalimtar, me kosore në sup;

-Kam qënë kryetar këshilli. Të gjithë më kanë harruar. Mirë kanë bërë. Kopili i gjyshit tënd jam. Më bëri me një hyzmeqare.

Te Rrapi i Pacomitit një 83 vjeçar me me njërin sy prej qelqi thotë se e mban ment mirë Beun. Sa tokë, sa bagëti ka pasur. Ishte i shkolluar në Stamboll. Fliste dhe shkruante Shqip dhe turqisht. Vishej sipas modës europiane me frak dhe kapele republikë. Kostumet i qepte në Gjirokastër dhe Selanik. Nderonte Rilindasit, veçanërisht Naimin. Kishte respekt për gjërat e shkruara, dokumentat, sidomos ato të pronësisë. Ishte sevdalli’, qefli femrash. Kur erdhi Italia, vuri duart në kokë, ra mbi mangall duke shqiptuar fjalët lapidare; “Bo-bo, ramë në dorë të fukarajt”. I di këto sepse jam kopili i tij.

Një Zonjë; Jam mësuese. Beun në këto anë e kujtojnë sikur të ishte ende gjallë, ka vajtur diku dhe me sot me nesër pritet të vijë. Beu ishte qefli i madh. Plotsonte më së miri dëshirat e fshatarkave. Njëra nga pasojat e këtyre dëshirave jam vetë unë që jam njëra nga kopilet e gjyshit tënd. Komunistat nuk i kapën dot rekordet e Beut në Dashuri. Komunistat pengoheshin nga parimet e marksizëm-leninizmit në bërjen e seksit. Kopilet si unë, për aq kontribut sa kanë dhënë, janë prezente nëpër këngë. Ja dy vargje të një kënge të famshme,

Çup’ e Veli Beut me nishan në ballë,

Ç’e gënjeu kopilja, e nxorri në shkallë.

Një djalë i ri me biçikletë dhe çantë;

-Di gjë ti për Beun, gjyshin tim ?

-Të kam zili që je nipi i Beut. Babai im dhe nëna ime janë kopil Beu dhe kopile Beu. Domethënë unë jam stërkopil Beu. Të gjithë ne këtej kopilat dhe stërkopilat e gjyshit tënd jemi. Unë stërkopili i Beut kam mbaruar në Amerikë për Etnopsikologji. Po bëj Doktoraturë për Bejlerllëkun dhe kopil’llëkun, jetën dhe veprën e gjyshit tënd si Bej dhe times si stërkopil. Një kapitull do jetë “Pse nuk e harron kopili Beun ?”. Më mahnit gjyshi yt i lavdishëm. Komunizmi dhe komunistat ishin mish i huaj për këtë vend. Gjyshi yt ishte produkt autentik i Luginës së Vjosës. Mardhënia e fshatit me Beun, ishte e natyrshme, e vetvetishme, e kolauduar në shekuj. Fshati dhe Beu ishin simbiotikë. Beu ishte si fshati, fshati ishte si Beu. Gjithçka ishte hallkë e zinxhirit të shkakpasojës në luftën për mbijetesë. Kujtimi i gjyshit tënd madhështor e bëri pluhur e hi propagandën e përbindëshme me libra dhe filma që komunistat bënë kundër tij. Komunistat sa më tepër e luftuan, aq më të pavdekshëm e bënë Beun. Jam krenar që jam stërkopil i gjyshit tënd. Të qënët stërkopil më ka ndihmuar goxha për t’ju futur me themel Bejlerllëkut dhe kopil’llëkut. Unë e di se në kohën kur ti nipi i Beut nuk ishe as 10 vjeç, jo rrallë ndodhte që shtëpia jote dukej si OKB-ja në seancë plenare. Bejlereshat, me në krye më të fismen dhe më të kënduarën e tyre, nënën tënde, rrufisnin kafe dhe tymosnin duke folur për Europën, Amerikën, Rusinë, luftën e klasave, arrestime, internime, burgime, pushkatime, frikëra, emra, data, ndodhira, ilakara, Bejlerë, Teqe, Baba Teqeje, Dervishë, Myhypë, Qatipë, Poetë, Bejtexhinj, tregëtarë, hyzmeqarë, kopila, kopile. Bejlereshat flisnin edhe për Beun sevdalli, gjyshin tënd, ndaj të cilit ti nipi i tij dhe unë stërkopili i tij ndjehemi njëlloj falenderuas që na ka sjellë në jetë. Babai yt nuk merrte pjesë në këto seanca. Ai ishte Bej kolonjar. Rrihte më lart. Fliste për Aristotelin, Arkimedin, Neronin, Monarkët e shquar, Shekspirin, Gëten, Tolstoin, Kolombin, Magelanin, Tomas Edisonin, Henri Fordin. Ti në një qoshe dëgjoje i përhumbur Bejlereshat. Një herë e pyete nënën; “Çfarë domethënë “Bejlerllëk”, “Sërë”, “Sevdalli”, “Diktaturë” ? Ajo tu përgjigj me ca fjalë që ti i mbajte vëth në vesh për tërë jetën; “Sapo mbarove së lexuari Makbethin dhe nuk e di ?! Unë stërkopili i shkolluar i gjyshit tënd tashmë e di se Bejlerët dhe Bejlereshat janë si Dhëmbeli dhe Nëmërçka, ndërsa kopilat dhe kopileshat si ujët e Vjosës. Mos u habit se në këtë vizitë takove vetëm kopila, kopile, dhe mua stërkopilin. Bota është e Bejlerëve. Por ndodh ndonjëherë, që për t’i sjellë në vete Bejlerët, botën e marrin në dorë kopilat. Ne kopilat bënim ligjin në kohën e diktaturës. Prandaj s’gjejmë karar. Nuk bëhet Shqipëria me kopila. Shqipëria bëhet me Bejlerë. Thuaju ma tha një stërkopil përmetar; Përderisa koha nuk ka as fillim e as mbarim, për Bejlerët nuk është kurrë as herët as vonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube