“KOSOVA” E HAMIT KOKALARIT, HISTORIA E SAJ

Nga Sinan GASHI

Janë disa autorë dhe vepra që mbesin, pa fajin e tyre, të skajuara, shpesh edhe deri në harresë asgjësuese, e që, në të vërtetët, ato kanë në vete përherë aktualitet si vlerë shkencore a letrare por dhe si dëshmi e një kohe. Madje disa gjëra që janë thënë dhe gjetur njëherë, askurrë më nuk aktualizohen, nga mosdija apo nga nëpërkalim si gjëra të vjetruara. Këso fati të harresës pati edhe vepra “Kosova djep i shqiptarizmit” e Hamit Kokalarit, e botuar së pari herë më 1943 në Tiranë nga shtëpia botueses”Mesagjerit shqiptare”.

Në fillim është autori

Autori i kësaj vepre historike me nuanca të letrarizimit të mendimit në të shpeshtë, është Hamit Kokalari, nga familje gjirokastrite, me tre vëllezër dhe një motër, Musine Kokalarin (1917-1983), shkrimtare dhe atdhetare e shquar. I ati i tij Rashiti ishte shpërngulur në Adana të Turqisë. Edhe ai ishte një intelektual i kohës, kishte mbaruar jurispodencën.

Për këtë familje dihet se ishte riatdhesuar më pastaj në vendlindje, se ishin po të gjithë njerëz të ditur, të edukuar dhe arsimuar mbarë. Ata madje, duke menduar se një vlerë më vete ishte arsimimi i popullit të tyre, kishin themeluar një shtëpi botuese, ‘Mesagjerit shqiptare’. Ajo botonte libra shqipe por edhe vepra të përkthyera të shkrimtarëve kulminantë botërorë, si Johan Wolfgang Goethe, Fridrich von Schiller, William Shakespeare, Miguel Cervantes e tjerë. Madje kishin hapur edhe një librari, nga ku mend të shpërndahej më drejtpërdrejt dituria përmes librave të përzgjedhur, që formojnë personalitet dhe karaktere që i duhen çdo kombi të civilizuar. Dihet edhe e dhëna se të dy vëllezërit e Hamitit, Vesimi dhe Mumtazi ishin pushkatuar nga regjimi komunist, i cili nuk mund të duronte vlerën intelektuale e aq më pak atë kombëtare. Sistemi komunist dhe pinjollët e tij të më vonshëm, janë të padurueshëm ndaj personaliteteve që ua kalojnë atyre me vlera morale, profesionale dhe madje politike, të cilët, në pamundësi t’i ndalojnë, i asgjësojnë ose i skajojnë me burgje e internime. Ndërsa që e motra, Musineja, shkrimtare e parë me katër vepra të botuara, me fakultetin e mbaruar për letërsi në Firence të Italisë, ishte burgosur dhe e internuar për 37 vjet më radhë, derisa vdiq e vetmuar nga kanceri i pashërueshëm. Sido që e pati fati, ajo mbeti shëmbëllesë e një karakteri të fortë, të pathyeshëm dhe njerëzor.

E, Hamiti kishte një armik tjetër, para atij të regjimit, sëmundjen e tifos, e cila e coi pa mëshirë në buzë të varrit, ndërkohë që edhe i ati Reshiti vuante nga sëmundja e tuberkulozit dhe shërohej në një sanatorium në Itali.

Por, ajo që ia shtonte jetën ndoshta për disa çaste Hamit Kokalarit, ishte vepra e tij për Kosovën, këtë hapësirë shqiptare që ai e himnizonte për vlerat atdhetare të tij, jo vetëm duke u  mbështetur në adhurimin e gjenit të vet, por duke pasur njohurit për bëmat e kësaj treve dhe duke studiuar me përkushtim veprat, edhe në gjuhë të huaja, për të.

Si rezultat e një pune përkushtuese ai e përmbylli atë dije me këtë vepër, me plot fakte, dëshmi, dokumente, për të cilën dhanë mendime pozitive edhe njerëzit e penës, si Sotir Kolea nga Elbasani. Ai ndër të tjera shkruan: “… pashë Kosovën, një vepër me palcë, që nderon të zotin dhe bën të mendohet ay që këndon, se na zdritën rrugën për të paskëtejmenë. Do të kishim qemë të lumtur sikur të kishim pasur edhe të tjerë të rinj si Zoti Hamit, me zemër prej fisi të na begatonin me vepra si Kosova…”.

Më vonë edhe prof. Abas Ermenji do të shprehej: “Ky libër i Hamit Kokalarit, Kosova, Djep i Shqiparizmit, nuk është një libër historie në kuptimin e plotë të fjalës. Është një dokumentar që vërteton se ajo krahin’ e gjerë e Shqipëris’ ethnike, të cilën e përfshijmë ndër emrin  Kosovë, … Dhe libri ka vlerë shkencore si dokumentar, pse auktori statistikat dhe harta etnografike i ka nxjerrë ose prej shkencëtarësh të huaj, seriozë dhe të paanshëm, ose prej vetë burimeve jugosllave.

E, çfarë shkruan për Kosovën Hamit Kokalari?

Pasqyra e lëndës së kësaj vepre të rrallë, është e shtrirë kësisoj: parathënia, Konsiderata historike, Konsiderata etnike, Vepra e çkombëtarizmit e kryer kundër elementit shqiptar në Kosovë dhe Kolonizimi jugosllav në Kosovë. Këto kaptina kanë pastaj edhe nënndarje me harta etnografike, dokumente etnografike, shifra statistikore, proporcioni i popullsisë shqiptare e tjerë. Duhet thënë  se vepra ka edhe një aneks me fragmente veprash të personaliteteve të shquara, të cilët janë marrë me këtë çështje, për të qenë më bindës për autorin e më shumë për lexuesin, se vepra nuk mbështetet në trillime ose dëshira të pa mbulesë, por realiteti i hershëm dhe dokumentet e sqarojnë deri në fund këtë fat tragjik njerëzor.

Nga autorët që konsulton H. Kokalari janë Lumo Skendo, alias Mit’hat Frashëri dhe vepra e tij në frëngjisht “Albanais et Slaves”, Lausanne 1919; Jashar Erëbara kur flet për Fjalorin Sërbisht-Shqip të Ljuba Popa D. Kujunxhiqit, veprën e studiuesit italian Abntonio Baldacci “L’Albania”, Roma 1929; veprën e Edmond Demolins “Comment la route crée le type social”, të Justin Godart “L’Albanie en 1921”, Paris 1922, të Carlo Tagliavinit “Le parlate albanesi di tipo Ghego – orientale (Dardania e Mecedonia nord – occidentale), Roma 1942, të Harold Nicolson “Quand on faisait la Paix…”, Paris 1936,  të Pietre Loti “Turquie agonisante”, Paris, Edith Durham “Twemty Years of Balkan Tangle”, pastaj vepra “La Yougoslavie d’aujourd’hiu”, Beligrad 1935, “La Situation de la minorité albanaise en Yougoslavie”, shkresë e paraqitur Lidhjes së kombeve nga Dom Gjon Bisaku, Don Shtjefën Kurti dhe Dom Luigj Gashi, “Një fletë propagande djalërisë kosovare” e hartuar nga Rinia Studentore e Kosovës dhe Maqedonisë dhe përmbyllet me “Një ngjarje tragjike në Pejë”, e ndodhur më 31 shkurt 1937.

Që në parathënie autori, me sinqeritetin e tij shprehës, rrëfen qëllimin e kësaj iniciative të mundimshme dhe problematike për kohën. Thotë: “Pak njerëz në Shqipëri e njohin Kosovën dhe krahinat e tjera shqiptare të veriut që traktatet ndërkombëtare ua a kanë pasë falur Malit të Zi dhe Serbisë më 1878 dhe më 1913;…”, por edhe ngase “Kosova nuk ka qenë vetëm djepi i rilindjes shqiptare, por ka qenë sidomos faktori kryesor i ngjarjeve historike që shkaktuan dhe siguruan krijimin e shtetin shqiptar dhe të lirisë s’onë kombëtare.”, për t[i përmendur pastaj luftat me turqit e motit, serbo –malazezët e në veçanti hepohet ngjarja kulminante historike, ajo e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1977-1881).

Autori, megjithatë, e quan përshkrim të shkurtër këtë studim për Kosovën, mbështetur kryesisht në aspektin historik dhe etnografik, por, për asnjë çast duke mos thënë mendime të pambështetura në fakte, dokumente, të cilat i citon me saktësi e pedanteri në fusnotat e librit.

Po e zëmë, duke menduar më të drejtë se propaganda shqiptare ishte tepër modeste në argumentimin e tezës shqiptare të kësaj toke shqiptare, si gjene mbështetje te materialet serbe, që janë edhe më të forta për shqiptarët, kur ata vetë pohojnë se gojëdhënat shqipe janë përkthyer në serbisht e po ashtu edhe në këngët serbe hasen shpesh shprehje shqipe, si bajraktar, kanga, çika, emrat Demë Ahmeti, Ali Pashë Janina e tjerë, që e dëshmojnë konstatimi n e parë. Madhe në revistën serbe “Prilozi proncevanje narodne poezije”, viti II, mars 1933, sv. Stanojeviċi  konstaton se deri në vitin 1500 “nuk ka asnjë gjurmë historike serbe në Kosovë.” Një vit më vonë, në numrin II të vitit 1934, të po kësaj reviste, në faqen 187 është shkruar se “rrethet e Ohrit janë krejt shqiptare.’ Kurse në faqen 202, dr. A. Urosheviċi pranon se këngët shqipe janë përkthyer në serbishte, apo një fat të tillë e kishin edhe gojëdhënat shqipe, sipas Tihomir P. Djorgjeviċ, në faqen 195 të revistës. Këso të dhënash e gjejnë edhe në numrin 1, viti IV, mars 1935, në faqen 114, ku thuhet taksativisht se “rrethet e Kumanovës janë thjeshtë shqiptare, ndërsa që elementi sllavë përbëhet prej kolonëve.

Kokalari në çdo fletë dhe dokument që shfleton gjen fatin e keq të shqiptarëve, dhunën mbi ta dhe kushtimisht tkurrjen e trojeve të tyre, të marra me dhunë e pastaj të zyrtarizuara nga çarqet ndërkombëtare, siç ishte rasti i Kongresit të Berlinit. Ai shkruan: “Dihet se mbretërisë serbe Kongresi i Berlinit i dhuroi Nishin, Leskovacin, Prokupljen, Kurshumlin dhe Vranjën, krahina që n’ato kohë ishin të banuara me shumicë prej Shqiptarësh, …”

Rrjedhat tragjike të historisë së Kosovës

Historisë së Kosovës, gjithnjë në kontekst me historinë shqiptari Kokalari e jep në rrjedhat historike të saj. Dhe, për të qenë sa më bindës dhe i sigurt edhe në konstatimet e tij, ai mbështete vazhdimisht në burime shkencore dhe vepra të botuara, duke i cituar ato brenda tekstit ose duke i dhënë në fusnota jo të pakta, madje edhe në gjuhën origjinale të autorit, si në frëngjisht, italisht, anglisht e tjerë.

Pasqyrimi i fatit të kësaj ane shqiptare me fat tragjiko-heroik, autori  dëshiron ta jep në tërësinë e rrjedhave të saj. Këso mënyre ai ka një synim që të shpjegojë se kjo tokë ishte shqiptare denbabaden, se ishte marrë me dhunë nga grabitqarët serbë të përkrahur edhe nga fuqitë e mëdha, e mbi të gjitha rezistencën e saj të pandalshme për t’u shkëputur nga kthetrat shfarosëse sllave..

Te organizimi dhe suksesi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me lirimin e tokave shqiptare nga sundimtarët turq, pasqyrohet hapësira e frymimit shqip. Ai thotë: “Mbasi shpërndanë disa nga garnizonet turke dhe morën dhe municione, fuqitë shqiptare e shtrinë autoritetin e Lidhjes në Shkup, Prishtinë, Mitrovicë, Prizren, Dibër, ndërsa Jakova, Luma dhe të tjera krahina i bashkuan fuqitë e tyre me ato të Lidhjes. Në Shkup dhe në Prizren garnizoni turk u mbyll në fortesë dhe popullsia shqiptare lidhi besën që të bashkohesh me Lidhjen.” Mandej vijojnë ngjarjet, me arrestimet nga forcat turke të krerëve të Lidhjes, duke vijuar me ngjarjes dramatike  nëpër vendet shqiptare të Kosovës, si Shtimje, Pejë e tjerë dhe vrasja e konsullit rus Scherbrin në Mitrovicë nga shqiptarët, ngase kishte marrë pjesë në luftimet kundër shqiptarëve.

Në këto kohëra spikatë edhe figura madhore e trimërisë dhe mençurisë shqiptare me rezistencën e tyre të armatosur gjatë viteve 1908-1912, “nga të cilat beteja e Kaçanikut (1910) dhe beteja që i shpuri kryengritësit shqiptarë nën udhëheqjen e krerëve të tyre Isa Buletini, Hasan Prishtina, Azem Bejta, në qytetin e Shkupit dhe gjer në Veles (1912), dëshmojnë vullnetin e pathyer të shqiptarëve që të realizojnë independencën e atdheut.”

Edhe me aneksimin e trojeve shqiptare nga Jugosllavia, autori bindshëm konstaton se përqindja e elementit sllav ishte tejet e vogël, përkatësisht nuk arrinte 5% të serbëve, malazezëve e maqedonasve. Ai mandej thellohet më atje nën pasqyrimin edhe me një hartë etnike shqiptare, me detaje dhe saktësi të kohës, kur edhe Novi Pazari e plot vise tjera ishin me dendësi të madhe shqiptare. Ai merr në mbështetje shkencëtarin e shquar Georg von Hahn dhe veprën e tij “Albanesische studien” (Jena 1854), ose atë të Ami Bues “La Turquie d’Europe” (Paris 1940), pastaj veprën e H.N. Brailsford: “Macedonien, its races and their future” (London 1906), të Noel Buxton: “Eurp and the Turks” (London 1907), të Charles Woods: “La Turquie et ses voisins”, të Gabriel Louis-Jaray: “L’Albanie unconnue” (Paris 1913), si dhe dokumente të ndryshme diplomatike të botuara në Blue Books pas 1870-tës pa i harruar edhe statistikat turke, austriake dhe bullgare.

Kur flitet për shifrat statistikore të huajt i japin në një saktësi të lakmuar numrin e tyre, ndërsa ato jugosllave, përveç që i zvogëlojnë në numër, ato i regjistrojnë me etnitet tjetër, kryesisht si myslimanë. Regjistrimi jugosllav i vitit 1921, po e zëmë, qëllimisht i ngatërron elementin e besimit fetar me përkatësinë kombëtar si dhe me gjuhën e folur. Hamit Kokalati i jep shifrat e gjithë hapësirës shqiptare në Jugosllavi, qytet për qytet dhe regjion, numrin e banorëve shqiptarë dhe të atyre të kombësive sllave. Në vijim ai jep proporcionin e tyre në raport me të tjerët, që shumica janë gjithsesi shqiptarët, të emërtuar nga ata si myslimanë. “Kështu mund të konstatohet për shëmbëll se sipas statistikës jugosllave të vitit 1921, në Vuçitërnë, Prishtinë, Graçanicë, Nerodimlje, Prizren elementi mysliman (shqiptar) paraqitet në një shumicë dërmuese, ndërsa në Drenicë, Lab, Podgorë, Podrimë, Has, Kaçanik, elementi shqiptar ka një shumicë aq të madhe përkundrejt sllavëve sa që këta as që meritojnë të përmenden.”, sqaron Kokalari.

Po këso faktesh me statistika autori na jep edhe për Shkupin, Tetovën, Gostivarin, Kumanovën, Ohrin, Dibrën, Strugën, Beranën, Manastirin, Velesin dhe rrethinat e tyre. “Përsa i përket zonave të Manastirit, Përlepit, Resnjës dhe Ohris,-thotë ai- gjeografikisht dhe etnikisht kanë qenë kurdoherë shqiptare, përqindja e popullsisë shqiptare atje paraqitet më e vogël se në krahinat e tjera të Kosovës.”

Si bëhej çkombëtarizimi i shqiptarëve në Kosovë

Edhe pse më 1912 Shqipërisë ia marrin edhe Janinën, Manastirin dhe Shkupin, pas 1913-tës veçsa fillojnë vuajtjet e mëdha të shqiptarëve. Nuk kursehej asnjë formë e zhdukjes së kësaj etnie më të vjetër në Ballkan, qoftë duke i vrarë, masakruar dhe përndjekur nga vendet e tyre. Për vrazhdësinë e ardhacakëve serbë mbi ta dëshmojnë raportet ndërkombëtare për etnitetet, si ai “Enquête fans les Balkans” Paris 1914, vepra e Leo Freudlich: “Albanians Golgotha”, Wien 1913, të Edith Durham: “The Struggle of Scutari” e tjerë.

Një mënyrë tjetër e shtypjes dhe ndërrimit të strukturës etnike shqiptare, manifestohet me të ashtuquajturën reformën agrare, kur u merret toka e punës shqiptarëve dhe ju jepet ardhacakëve (‘naselenikëve’) serbë e malazias, përgatitur me një program të studiuar mirë. Kështu shqiptari varfërohej edhe më dhe e ndjente vetën të pasigurt për shkaqe ekonomike dhe politike.

Mënyrë tjetër e çkombëtarizimit ishte shpërngulja për në Turqi. Mu për këtë u bë një marrëveshje jugosllavo-turke, të cilën e shënon edhe gazeta turke “Tan” nr. 1150, Istanbul, e datës 12.VII.1928, në artikullin “Nga Jugosllavia do të vijnë 250.000 emigrantë”, ku ndër të tjera shkruhet: “Bisedimet që vazhduan qysh prej një muaji midis Qeverisë sonë dhe Jugosllavisë për marrjen në atdhe të bashkëkombësve tonë (!!!) të ndodhur në Jugosllavi, u përfunduan në një mënyrë të kënaqshme për të dy qeveritë dhe delegatët jugosllavë, Milan A Ristiç dhe Voislof, dje mbrëmë u kthyen me ekspres në atdheun e tyre.”

Pra, ata njëherë i ngatërronin me përkatësinë kombëtare me deklarimin ‘vullnetar’ se janë turq, e pastaj i rekrutonin për në shkretëtirat e Anadollit, duke i zëvendësuar pronat e tyre me etni sllave.

Hamit Kokalari, me një punë përkushtuese për Kosovën dhe fatin e saj (ai me Kosovë emërton të gjitha trojet shqiptare nën Jugosllavi), pas shpjegimeve dhe argumenteve, sqaron edhe me harta çështjen e shtrirjes së kolonizimit sllavë, dhe atë të marrë nga burimet e Beligradit, siç është harta “Pregledna karta kolonizacije Južne Srbije” e viti 1827. Kolonizimi ishte i domosdoshëm për ta, pasi që asimilimi i tyre nga serbët ishte i pamundur, megjithë metodat e ndryshme të manifestuara me vite. Me kolonizim ato siguronin qetësinë e tyre prej ndonjë kundërshtie etnike. Madje, në këto troje etnike shqiptare kishin dërguar grupe “sidomos prej çetnikësh, kryetar çetash e shokësh të tyre, të cilëve u dorëzoheshin tokat e Shqiptarëvet.” Mu për këtë Kokalari jep fillimisht shifra globale për numrin e të ardhurve dhe pastaj ato i detajon me shtrirjen numerike nëpër lokalitete të veçanta.

Vetëm në Shkup, sipas statistikave agrare të vitit 1928, janë marrë 225.397 hektarë toka për kolonistët. Po ashtu ishte vepruar edhe në viset e tjera shqiptare. Ndërsa sipas radhorit të vendosjes së serbo-malazezve e hercegovasve këtu, janë përmendur Vitomirica (Pejë), Lug Bunari (Jakovë), Cakanovac (Preshevë), Sërbica, Krikovo, Stankovc (Drenicë), Tsabanovce (Kumanovë), Rrzhanicani, Dushanovac, Hasanbeg etj. (Shkup), Ropotovë, Berveniçë (Tetovë), Rebac, Xhermijan, Kragujevac (Manastir), Gjinovci, Shiroka (Sufrekë), e vise të tjera.

Autorët serbë krekosën me suksesin e arrirë, qoftë duke populluar etnikisht një truall të huja, qoftë edhe duke pas përfitime materiale, ngase ata kishin marrë tokat më të mira të Kosovës. Ja se si shprehet njëri nga ata: “Atje është toka shumë e mirë, e veçanërisht gjatë lumit Sitnica, e sidomos në Nënprefekturën e Vuçiternit. Gjendja klimatike e mirë.  Ujët e mirë e të bollshëm.” Ata bënin bilancin dhe kënaqeshin kur kishin arrirë që të ndërrojnë fillimisht strukturën etnike, siç ndodhë kur “në Nënprefekturën e Labit ku më 1913 nuk ka pas asnjë shtëpi serbi, kolonizimi jonë… e ka ndërruar pamjen etnike.”, ose në rastin tjetër kur “pasojat direkte dhe indirekte të kolonizimit t’onë është zhvillimi i Shkupit””, ndërsa që “Presheva dikur qytet thjeshtë turk (!!!), sot ka gjysmën e shtëpive serbe. Kumanova diçka me kolonizim e diçka me blerje pasurish,…”

Për këtë gjendje të krijuar, nuk shënohen vetëm në statistikat dhe librat vendorë, por edhe nga të huajt. Po e zëmë, për kolonizimin, shkruan një vepër të tërë “La Macédonie” (Paris 1930) edhe francezi Jacques Ancel.

Me gjithë këto përpjekje të natyrës administrativo-shtetërore, rezistenca shqiptare ishte e pandërprerë. Këtë sakrificë dhe shpirtin e pamposhtur luftarak shqiptar, e pranojnë edhe vetë serbët, në shkrimet e tyre. Njëri nga ato thotë:”Baras me kolonizimin e Metohis, po zhvillohet edhe kolonizimi i Drenicës.(…) Në kohën kolonizimit tonë në Drenicë ka sunduar një forcë edhe pasiguria e madhe. Ka qenë një kohë kur nuk ekzistonte fare autoriteti shtetëror. Kaçaku i përmendur Azem Bejta ka qenë sunduesi i vërtetë i Drenicës.(…) Vetëm pas vrasjes së Azem Bejtës më 1924, kur ka intervenuar edhe ushtria me top, ka filluar një kohë e re për kolonizimin  dhe për jetën e emigrantëve.”

Autori Kokalari, një atdhetar i dëshmuar edhe familja -risht, e përfundon librin “Kosova djep i shqiptarizmit” me konstatimin se me rezistencën e përgjakshme për rrethanat e kohës dhe viktimat e shqiptarëve kishin bërë të dështojë zhbërja kombëtare e Kosovës, e kushtimisht kjo cilësohet nga ai kaptitull i ri në historinë e Shqipërisë.

Me këtë vepër Hamit Kokalari, të cilit fare pak ia dimë imtësitë e biografisë së tij, përmes veprës dëshmon se ishte një intelektual i rrallë, mbase i parakohshëm, i cili kësaj vepre i dha karakter shkencor, me aparaturë shkencore, si fusnota, citime fragmente dokumentesh në gjuhë të huaja dhe së fundi me një bibliografi, që rrallë sot i krijojnë studiuesit e kohës sonë.

Ç’thonë të tjerët për Kosovën ?

“Shqiptarët (banorët e shkëmbinjve) janë 1.600.000 frymë sikurse i çmojnë statistikat, edhe ky numër duhet të jetë më poshtë nga numri i vërtetë kur mendojmë se këta janë përhapur që prej Epirit gjer në pjesën perëndimore të Moesisë së Sipërme, ku përzihen me Serbët,  në fushën ndërmjet Prizrendit dhe Pejës, ndërmjet Vranjës dhe Mitrovicës, kurse banojnë vetëm ata me emrin Arnaut, në vendin e burimeve të Lepenacit, në rrethet e Cernaleva-Reka-s, në anën jugperëndimore të fushës së Prishtinës, në krahinën ndërmjet Vranjës, Novo-brdo-s, Prishtinës, Kosovës, Kurshumlisë, Prekopljes dhe Medokës. Në anën tjetër, ata përzihen me Boshnjakët nëpër malet ndërmjet Shqipërisë dhe Bosnjës, sikurse në Kolashin, në Tora, në Guci, Plavë, në anën e sipërme të Ibarit afrë Rozhait, si dhe në krahinën e shodolit; veç kësaj ata shkojnë gjer në pllajat që janë në perëndim dhe jugperëndim të Novipazarit. Në krahinën e Zetës, gjatë lumit të Moravës, edhe në krahinën e Kelmendit, mbi Cem, ata përzihen me Malazezt.”

Ami Boue: “La Turquie d’Europe”,

Paris 1840, vëll.II, f. 13

***

“Ashtë një fakt se kjo gjuhë (shqipja) duhet mësue prej gjithë  intelektualëve serbë, mbassi një pjes’e madhe e Maqedhonisë, dhe sidomos e Kosovës flet gjuhën shqipe.”

Ljuba P.D.Kujunxhiq: “Fjalori Serbisht –Shqip”,

parathënie, Beligrad 1902

***

“Oficeri serb u dha urdhër ushtarëvet të hyjnë me të fortë në Konsulatë (në Prizren).duke brohoritu edhe, mb’anë tjetër, duyke shqrë Austro-Hungarinë, ushtarët e rrëmbyen flamurin austro-hungarez dhe e hodhën në baltë. Pasi e hapën derën me forcë, ushtarët hypën nga muri i mbrendshëm dhe hynë në ndërtesë. Familjet e Shqiptarëvet që ishin brenda u vranë pa mëshirë. Edhe të plagosurit i vranë dhe i therën në shtrat. Gratë e fëmijët i vranë.”

Pierre Loti: “Turquie agonisante”,

Paris, 1912, f. 220

***

“Edhe aty ku kanë gjetur vetëm një Sllav ose një fshat fare të vogël Sllavësh, s’kanë mbnetur pa e çpallur sllave të tërë krahinën.”

Auktorët sllavë kanë gjetur një dredhi, të cilën e kanë përdorur më tepër sidomos Grekët dhe që i njeh shumë mirë ata që e kanë studiuar maqinën e propagandës nacionaliste në Ballkan, domethënë i quajnë Turq Shqiptarët myslimanë, me qëllim që të pakësojnë numrin e tyre. Por, me gjithë që në kryevendet e mëdhenj, si në Prishtinë, Shkup dhe Manastir, Shqiptarët e kuptojnë edhe Turqishten –sikurse edhe Bullgarët – nuk ka as pikën e dyshimit se kombësija e tyre është Shqiptare.”

Shqiptartë ortodoks duke pasur qënë të shtërnguar të shkojnë nëpër kishat dhe shkollat sllave – serbe dhe bullgre – janë quajtur shpeshherë Sllavë,…”

Lumo Skendo: “Albanais et Slaves”,

Lausanne, 1919, f.. 4, 15, 32

***

“Nga Cetinja shkova një ditë në Podgoricë, ku për të parën herë pashë Shqiptarë. Podgorica ish plot me Shqiptarë të veshur me rroba kombëtare. Mali i Zi nuk ish kujtuar akoma se ish n’inmteresin e tij që t’i ndalonte Shqiptarët të visheshin n’atë mënyrë.”

“Serbët, ose më mirë të parët e tyre, patën zbritur si hordhia barbare në gadishullin Ballkanik, në shekujt VI e VII,  duke i dërmuar popujt e vjetër. U përpoqën edhe t’i asgjësojnë, …”

“Një oficer serb me një të qeshur cinik më kallëzonte se si udhëtarët e tij përshkonin me syngji gra e fëmijë Shqiptarë, në Lumë. Dhe një Petroviç më siguronte se  për dy vjet  në katundet e pushtuara asnjë nuk do të guxonte të fliste gjuhën shqipe!” 276

“Gjatë dimrit 1913-1914 unë mblidhja fonde për Shqipërinë dhe misionet amerikane ndihmonin me ushqime muhaxhirët e Gostivarit e të Dibrës. Gjenerali Phillips  bëri ç’qe e mundur që të hollat e mbledhura t’u sillnin  ndonjë dobi muhaxhirëvet, por në malësitë e Gashit  vdisnin urie nga njëzet vetë në ditë.”

Edith Durham: “Twenty ters of Balkan Eangle”,

Londër 1920, f. 9, 91, 294

***

“Traktati i Berlinit, më gjithë këtë, u a lëshoi Podgoricën Malazezëvet, edhe vetëm gjysmën e Liqenit me Shkodrën u a la Shqiptarëvet kështu sipërfaqja e Malit të Zi u shtua edhe u bë  8.655 kilometra katrorë, domethënë dyfishim i asaj që kishte qenë para Traktatit të Shën Stefanit. Edhe shtrihej gjer në det me qytetin e Tivarit, që kishte qenë shqiptar gjert atëhere. Tani kishte një liman! I mjeri qytet i Tivarit u-bombardua prej artilerisë që e sundonte dhe u shtrëngua të zbrazët; unë nuk i pashë veçse gërmadhat.”

“Pikësëpari, Sërbija kundrejt popullsisë Shqiptare tëkosovës përdor një politike shtazore që ua lëndon për së tepërmi zemrat Shqiptarëvet.”

“Greqia përpiqet, sidomos në krahinën e Çamërisë, t’a zhduki me çfarëdo mynyre karakterin shqiptar të vendit.”

Justin Godart: “L’Albanie en 1921”,

Paris 1922, f. 9, 222, 322

***

“Për sa i përket shkollave fillore eprore, ku shkonin në shumicë nxënës shqiptarë, në realitet në asnjë rast nuk ishte i lejuar mësimi në gjuhën shqipe. (…) Ky sistem zbatohet sistematikisht me qilim që elementi shqiptar  të mbetesh në një nivel shoqëror e kulturor të ulët. (…) për këtë arsye autoritetet përkrahnin zhvillimin e shkollave fetare në gjuhën arabishte. Nga ana tjetër Shqiptarët e Jugosllavisë nuk kishin as fletore, as revista në gjuhën e tyre dhe autoritetet policore jugosllave e konsideronin si një delikt mbajtjen e botimeve fletoreve në gjuhën shqipe.”

“La Yougoslavie d’aujourd’hui”,

Beligrad 1935, f. 85

***

“Në zonën që përfshihet, poshtë lart, ndërmjet Novi Pazarit, në Veri, dhe Leskovacit e Kumanovës, në Lindje, në Kosovë, në Metohi, në rrethet e Shkupit, pastaj në një krahinë homogjene që zbret prej Prizrenit e Tetovës gjer në Strugë, në brigjet e liqenit t’Ohrisë, kemi grumbuj të dendur Shqiptarësh, të cilët janë aqë më të shpeshtë e më të gjërë  sa më shumë kthehet nga perëndimi.”

Carlo Tagliavini: “Le pallate albanesi di

tipoghego orientale”, Romë 1942, f. 8

***

“Vuajtjet e populli t’onë fillon me hyrjen e ushtërivet sërbe ‘çlironjëse’, më 1912, nëpër krahinat e banuara me shumicë  prej Shqiptarësh.”

“Vende që i mbulon një hije vdekje. Prishtina, Mitrovica, Juniku, Shtimja, Vrela janë emrat e vendeve që sjellin ndërmend veprime gjakësore, vrasje e therje me shumicë, të bëra për shkaqe të kota kundër popullsisë së pafajshme, e cila kishte fajin e madh të ishte e racës Shqiptare.”

“Ati Françeskan Shtjefën Gjeçov Kryeziu u vra më 14 të Vjeshtës së Dytë 1929, në disa rrethana që nuk lënë asnjë dyshim mbi qëllimin e krimit.

Po port fat të keq, Atë Shtjefën Gjeçovi nuk është i pari Françeskan Shqiptar që bije dëshmor i ndjenjave të tij kombëtare ose i besimit të tij.  I pari qe Atë Luigj Paliçi, …”.

  1. Gjon Bisaku, D. Shtjefën Kurti e D. Luigj Gashi: “La situation de la minorité albanaise en Yougoslavie”, shkresë dërguar Lidhjes së Kombeve

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube