Kosova ka një presidente me legjitimitet popullor dhe institucional

0

Me gjithë dramaticitetin që e shoqëroi seancën dyditore për shkak të bojkotimit të disa deputetëve, puna e Kuvendit të Kosovës u kurorëzua me sukses, Kosova u bë me të gjitha institucionet që i duhen një shteti sovran

Nga Hamza HALABAKU

Që nga e premtja e kaluar kur ishte ftuar një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk iu kam ndarë televizorit. Kam përshtypjen se ne të diasporës jemi disi më të etshëm, për të mos thënë më të interesuar për zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë. Së pari mendova se seanca e jashtëzakonshme ishte ftuar për të zgjedhur presidentin e  ri të Republikës së Kosovës. Kisha  dëshirë që Kosova të bëhej me të gjitha institucionet.

Kur filloi seanca mora vesh se ajo ishte thirrur për ndryshimin e plotësimin e Ligjit për zgjedhjet në Republikën e Kosovës. U tha se me ndryshimet e plotësimet e këtij  ligji do të lehtësohej procesi zgjedhor i qytetarëve të Kosovës që jetojnë dhe veprojnë në mërgatë. Unë apriori jam për këto lehtësime, por nuk e kuptova ngutinë e Qeverisë së re të Kosovës.

Qëllimi i shkrimit tim nuk është seanca e të premtes, por ajo e të shtunës dhe të dielës që në rend të ditës kishte zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës. E kam ndjekur me vëmendje seancën e jashtëzakonshme të  Kuvendit të Republikës së Kosovës bashkë me të gjitha zhvillimet në sallën e mbledhjeve plenare të Kuvendit të Kosovës, madje edhe me syrin e një administratori pasi nga qershori i vitit 1982 e deri më 2 korrik të vitit 1990 në cilësinë e ndihmëssekretarit të Kuvendit të Kosovës e kisha për detyrë ndjekjen e seancave në atë sallë, që atëherë  e quanin Salla Solemne. Me që e përmenda 2 korrikun e vitit 1990 dua të rikujtoj se pikërisht atë ditë deputetëve shqiptarë të Kuvendit të Kosovës, që atëherë quheshin delegatë, regjimi serb ua ndaloi hyrjen në atë sallë, sepse kishin nuhatur se do të ndodhte diçka e madhe. Unë pata fatin dhe rastin që ta ndjek atë mbledhje të Kuvendit të Kosovës, në të cilën përfaqësuesit e popullit, në ambient të hapur para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, e miratuan Deklaratën e Pavarësisë. Më kujtohet se si u gëzuan i madh e i vogël në Kosovë që juridikisht  u ngamë nga Serbia.

Kosova u bë me të gjitha institucionet

Por të kthehem te epilogu i seancës së Kuvendit të Kosovës në mbrëmjen e 4 prillit 2021. Me gjithë dramaticitetin që e shoqëroi atë seancë dyditore, në fund puna e Kuvendit të Kosovës u kurorëzua me sukses, pavarësisht bojkotimit të disa deputetëve. U zgjodh zonja Vjosa Osmani-Sadriu, presidente e Republikë së Kosovës dhe Kosova u bë me të gjitha institucionet që i duhen një shteti sovran.  Atë mbrëmje ajo, pikërisht në orën 19:17, e dha betimin si presidente e Republikës së Kosovës.

Këtij epilogu iu gëzuan shumica e qytetarëve të Republikës së Kosovës, ata që jetojnë në Kosovë edhe ata që jetojnë në mërgatë. Sepse, shpresojnë e besojnë që institucionet e reja do të përkushtohen në kryerjen e punëve të tyre sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve të saj pozitive.

Suksesin e këtij epilogu e zbehu mungesa e disa deputetëve që nuk ishin në sallë për zgjedhjen e presidentes. Shpresoj që deputetët që nuk morën pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentes shumë shpejt do të pendohen.  Fjalën e kam për shqiptarët, sepse ata të Listës Serbe do të vazhdojnë të jenë kundër institucioneve dhe vetë Republikës së Kosovës përderisa ne do të vazhdojmë me qëndrimin tonë ta ushqejmë atë grupim deputetësh që janë nën diktatin e Serbisë.

Pohimin tim se shpresoj që deputetët që nuk morën pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentes shumë shpejt do të pendohen e mbështes në faktin  se ata nuk janë sikur grupi i deputetëve që marrin urdhra nga Beogradi, por kanë inate. Ndërkaq, kur është puna e Kosovës, çështjet e saja madhore, deputetët duhet t’i lënë inatet  e tyre në shtëpi.

Sido që të jetë tani Kosova ka një presidente, konsideroj me legjitimitet të plotë edhe popullor, bazuar në mbi 300 mijë votat në zgjedhjet parlamentare, por edhe institucional me 71 vota të deputetëve. Kosova ka edhe një kryeministër dhe një kabinetit qeveritar që premton ecje përpara drejtë e me krenari, me kokën lartë, sepse nuk janë të korruptuar.

Përfaqësuesit kosovarë duhet të ndihen kryelartë, se Kosova nuk i ka borxh askujt në këtë botë e bash hiq borxh nuk i ka Serbisë. Serbia i ka shumë borxhe Kosovës, madje shumë borxhe shqiptarëve të Kosovës kudo që janë ata. Por Serbia u ka borxh edhe shqiptarëve në Luginë, në Ulqin e në Tetovë, në Shkup e në Shkodër. Shkurt, Serbia u ka borxh shqiptarëve kudo që ata jetojnë e veprojnë.

Dy fjalë për udhëheqjen e re

E nderuara dhe shumë e respektuara Presidente e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani-Sadriu nga këndi im i vështrimit, ju shoh si një elitë udhëheqëse, e ditur dhe e guximshme, e pa djallëzuar dhe e dinjitetshme. Uroj të ecni drejtë e mirë dhe ti kryeni punët tuaja institucionale sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Shpresoj se do ta keni përkrahjen e kosovarëve, pavarësisht a jetojnë ata në Kosovë a në mërgatë, sepse ata, pjesa dërmuese e tyre, i janë gëzuar zgjidhjes tuaj me shpresën se do të përfundoj një epokë e mbrapsht që e përcolli deri tash shtetndërtimin.

Uroj që, ju udhëheqës të Republikës së Kosovës, kur të jeni në Bruksel e në Berlin, në Londër e në Parisë, në Romë e kudo qoftë në Evropë, në Uashington e Nju-Jork, ta mbani kokën lartë e të mos i frikësoheni askujt. Të jeni krenarë me të kaluarën tonë. Populli shqiptar nuk ka bërë punë të pista. Asnjëherë askujt nuk i kemi bërë as më të voglin faj. Të jeni krenar me Ushtrinë tonë Çlirimtare, sepse ajo ka mbrojtur pragun e shtëpisë së vetë. Ajo ka bërë luftë të pastër. Ka mbrojtur tokën e vet të shtrenjtë  – Kosovën. E ka mbrojtur Kosovën nga okupatori serb, nga dhunuesit e nënave, bijave e motrave tona, nga ata që na masakruan, na dhunuan e na vranë pa kursyer as pleq e plaka, as nxënës e fëmijë. Të jeni krenarë edhe me mërgatën që asnjëherë nuk ia ktheu shpinën atdheut. Na mundësoni që edhe ne të jemi krenarë me ju dhe me punët tuaja!

Uroj që edhe pas skadimit të mandatit tuaj, të mburremi dhe të jemi krenarë me juve dhe punën tuaj! Të jemi krenarë me atë se, edhe shqiptarët kanë bijë dhe bija që dinë të organizohen dhe të udhëheqin me shtetin tonë! Uroj që udhëheqja e Republikës së Kosovës të jetë shembull i mirë si në legjislativ e në ekzekutiv, si në fushën e gjyqësorit, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë! Uroj që edhe pas mandatit tuaj të ju votojmë përsëri dhe tu themi me plot gojën: TË PAÇIM PRESIDENTE, TË PAÇIM KRYEMINISTÊR!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok