Nderim për krijuesin ndaj vlerave të shenjta etnike, jetësore dhe njerëzore …

Nga Hasan Hasanramaj

Në recesionin e shkrimtarit tone te mirënjohur Kosovar Prend Buzhala – kushtuar vëllimit poetik  me titullin“Pafajësia e fjalës” të poetit Agim Deskut në mes tjerash thuhet:” Ky vëllim, ka koherencën e tij të preokupimeve tematike e stilistike, i cili  na dhuron dhe na siguron denjësisht një kënaqësi estetike të vërtetë e cila i shquan poetikën dhe mesazhin, figurën dhe imazhin, ligjërimin poetik dhe botën tematike e ideore. Andaj për deri sa poetika paraqitet i tillë, çfarë është dhe sa është funksionale, te elementet tjera, sidomos te mesazhi, poeti e gjen kënaqësinë e tij të shkrimit, çka do të thoshim, nderimin krijues ndaj vlerave të shenjta etnike, jetësore dhe njerëzore. Arketipat e burimit të qenies sonë etnike të cilat nëpër vargje ajgëtohet një mitikë e hershme e qenies njerëzore, nëpër to na paraqitet një Eve, si pikënisje e hershëm i jetës mbi tokë, e që merr vlerën e një arketipi të kryehershëm të qenies sonë.

Kur na erdhëm të parët në tokë

Nën flakën e fenerit të Homerit krijuam rendin e ri njerëzor. Të gjithë e dinë për bukurinë dhe trimërinë që na falën yjet dhe dielli. Pothuajse, i tërë vëllimi lexohet si një “poezi e pandërprerë”, si do të shprehej Pol Elyar. Do të thoshim, së bashku me librat tjerë, lexohet si një këngë që nuk merr fund asnjëherë. “Teksti nuk pran”, thoshte Ali Podrimja. Është një si diktat i automatizmit krijues e shkrimor psikik, si një çlirim i brendshëm i barrës së pathënë. E, e pathëna assesi ta ketë fundin e saj, as të thuhet ndonjëherë e plotë:

Ende nuk ka ardhur koha për ta thënë fjalën e pathënë

Porse aty thuret edhe ky paradoks që e qorton poetin, pikërisht nga kjo barrë: Nuk më falet asnjëherë po mbeta fjala e pathënë  të heshtë përballë ferrit që na krijohet çdo çast të jetës . Dhe paradokset, po ashtu shtrihen në jetën e kombit e në qenien tonë. Në vazhdim të recesionit të tij shkrimtari Prend Buzhala thotë së poeti ato i sheh edhe si paradokse të vetvetes, domethënë, të vetvetes si komb: I shkruaj në ditarin e paradoksit emrat e demonëve. Sado që poeti qëndron afër përvojave të epokës sonë krijuese, me stilin e me modernitetin e thënies, tiparet e kësaj lirike nuk ndërlidhen me urbanen, po me unin poetik. Edhe kur përmenden metropolet, mbizotëron sintagma “metropole evropiane” në përqasje e në kundërvënie vlerash, në radhë të parë, vlerash etnike; aty shkëndijojnë besa, gjuha, lashtësia e fryma dardane, gjithçka e shenjtë e qenies, shpirtit dhe gjuhës sonë, ndërkohë që “nën anën tjetër” qëndrojnë metropolet me imazhin e tyre të ftohtë, cinik, mospërfillës, shpesh i habitur përballë një shpirti kryeneç shqiptar: T’i njoh buzëqeshjet e atdheut të lëna metropoleve evropiane.

Një mijë vjet jam nisur ta takoj Evropën plakë me albanët u përqafuam burrërisht

Ndryshe nga poetët e vetëdijes ironike që dekontruktojnë realitetin dhe të vërtetat, mitet dhe historinë, poerti Agim Desku, insiston në të vërteta e mitit të lashtësisë, të kultit të tre parit; ai nuk demitologjizon, as nuk dekosntukton, por e rindërton poetikisht atë mit lashtësie: Ka, madje, një përdorim të sforcuar të miteve antike, të trojeve dhe odesejadave historike, të miteve biblike me ferr, apokalips e parajsë, me shenjtëri e mëkate. Poeti i riintepreton ato mite: heronjtë e apokalipsit, është ironi për ata që vënë maskat e heroizmit për t’u paraqitur si engjëj e shpëtimtarë, por janë shkatërrues të vlerave (poezia “Heronjtë e apokalipsit”); rikthehen plojat e dikurshme trojane, si ndodhi në luftën e fundit (poezia “Rikthimi i Trojës).                     Nëse theksohet Uni poetik, nëse poeti ligjëron në veten e parë, ai këtë e bën për ta marrë rolin e prezantimit të kësaj bote e të vetvetes në skenën e rruzullimit, e merr rolin e ndërmjetësuesit të dy botëve, ku qenia jonë i jep frymë asaj hapësire. Është një UNË që nuk kufizohet në kohë e hapësirë, dhe, po ashtu, i cili nuk pranon të mbërthehet brenda një qarku të mbyllur. Ai është edhe demiurgu, edhe qenie a forcë lëvizëse që ka rol funksional në strukturimin poetik. Gjithsesi që ai nuk i reshtet edhe të sotmes, sidomos asaj prirjes “për ta rrëfyer” dhimbjen apo për tragjiken e dramës sonë të luftës së fundit. Ai i “dokumenton” poetikisht ato trauma lufte, por i tejkalon me patinën lirike të fisnikërimit të kësaj dhimbjeje, të heroizimit të saj. Ai nuk deheroizon, përkundrazi e heroizon këtë tragjikë. Më mirë mbeta ta marr dorë për dore atdheun e lirë prekazian.  Të nisëm diku ku asnjë ferr më s῾do ma prangos lirinë e tij Kaq e shenjtë është lidhja ime me tokën e gjyshërve të mijë. Nuk është e rastit përse ka aq shumë emërtime “prekaziane”, apo dardane, si sinonime të vetëflijimit për liri, si personifikim i mburojës së qenies sonë dhe të autoktonisë së qenies sonë. Lirika e tipit të tillë, sado që është lirikë e mishëruar te palimpsesti, megjithatë ndërlidh kohët, të djeshmen e të sotmen, ndërlidh historinë me aktualitetin, folësi lirik depërton nëpër shekuj, mitre e kohë, nëpër legjenda e hapësira biblike. Te ky gërshetim, po ashtu vërejmë edhe ndërlidhjen e Unit a folësit lirik me aspektin e përgjithshëm shoqëror e universal. Nga ky Unë lirik buron teksti poetik, dhe aty edhe rikthehet, që zbulon potencialin e barrës së historisë që rëndon si hije ankthi e mëkati mbi të sotmen me përgjakjet e dramat e djeshme. Me këto tone refleksive është shkrua poezia “Vrasësit e pengut”, titulli i së cilës shërben edhe si titull libri. Në fakt, rizgjimi i fantazmave vjen me tjetër pamje e me të tjera trajta: Fjalën e dhënë ma mbushën dhembje me plagët e mija i kënduan jetës së krisur zëra të çmendur shëtitin mbi ëndrrat që s῾kthehen më. Këto janë edhe kambanat e jetës sonë, edhe kujtimet e përditshme, janë hijet e kujtimeve dhe përvojave. Këto përvoja e hije ngjajnë në pasqyrat që reflektojnë ndjesitë, hapësirën dhe kohën, mitet dhe historinë. Kundruall pasigurisë, tjetërsimit dhe hienave, demonëve me “fytyrën e tradhtisë”, kundruall edhe ndërgjegjes apokaliptike, poeti krijon mirin e tij, bedenat e tij, pengun e fjalës, krijimin poetik, vetëdijen për vlerat e vizionin shenjt, parajsor- si projekt mit krijues modern.

Dy fjalë në shenjë përgëzimi për punën voluminoze…

Edhe recepsionisti Mehmet Rema në fjalën e tij kushtua rrugëtimin të poetit Agime Deskut në mes tjerash thotë së për të gjetur të drejtën historike ai bën një rrugëtim të gjatë, gati biblik, një rrugëtim të mundimshëm, por që kurrë nuk u lodh, gjithmonë në sytë e tij shikon të duket se po lind një shpresë,një gëzim, sikur, dhe pse larg, ashtu siç, lulja e çan akullin e del në pranverë dhe shpresa e poetit Agim Deskut- vjen e bardhë, e qeshur, e ndritshme, vjen si një agim i bukur maji, vjen ,sepse e thërret Agimi. Ai herë i drejtohet hënës, herë diellit, herë gërmon nëpër galaktikë për të takuar ndonjë yll, ndoshta, ndonjë nga ato yje, të cilat pasi u shkrinë për këtë tokë, shkuan lart për t’i dhënë dritë qiellit, e nga atje për të na rrëfyer rrugën ne, banorëve të përkohshëm të tokës Ai, duke ecur nëpër rrugën e gjatë të historisë, herë shkon e takon Gjergj Elez Alinë, herë Rozafën, Teutën, Pirron, Kastriotin, herë shkon tek Qemali, Boletini, Prishtina, Jashari, të cilëve u tregon se ai merr edhe rrugë të gjatë shkon deri në Itakë në Trojë, shkon kudo poeti ynë me një pishë në dorë, në kërkim të së vërtetës së mohuar, të asaj të vërtete që u ka munguar gjatë shqiptarëve, siç u ka munguar gjatë liria. Duke lexuar këtë vepër, nuk ke si të mos ndalesh dhe të mendosh, e të shkruash dy fjalë në shenjë përgëzimi për këtë punë voluminoze dhe të bukur, e cila mund të them se për nga vlerat artistike që mbart, do të ishte një lëndë e vlefshme në antologjitë shkollore, dhe një material i pasur për studiuesit e poezisë. Punon pa u lodhur poeti për të ndërtuar kala, për të mbrojtur atdheun, sepse ai ka nevojë për dorën e secilit bir të tij, e në veçanti të poetit, i cili me vizionin e tij, hyn në çdo qelizë të atdheut. Poeti është skaner i mirë e di ku i dhemb më shumë,andaj ai edhe i premton me zë të lartë se në çdo kohë i falem atdheut. I falem në kuptimin që atdheu është mbi çdo gjë, është Perëndi mbi Perëndi, dhe unë falem para saj, i falem edhe në kuptimin që, për atdheun unë fal jetën.  Duke njohur çdo qelizë atdheun e tij, poeti në poezinë tjetër i drejtohet të madhit Anton Çeta, pasi siç duket fjala e tij tek të sotmit, bie në vesh të shurdhër, andaj i thotë, atij që vetë nuk është, por ka lënë veprën-“Kur sot, e njëjta kohë, të thërret, bacë”- E poeti në një tjetër poezi është gati të ngjitet në majën e Tomorrit apo të Korabit e të lëshoi piskamën ku të bëjë thirrje për festën e madhe se. Atëherë kur ushtarët e lirisë, thyen gurët e Koshares. Për gati një shekull një turrë gurë, të vendosura në formë piramide, kishin ndarë një popull në dy pjesë. Një turrë gurë, në vend që të bëheshin urë, u bënë mure, e më tej në një tjetër poezi ai u bën thirrje bashkëkohëseve e bashkëkombësve të tij, që o sot o kurrë, -“Të jetojmë siç i ka hije Atdheut”- Ose të jetojmë, ose jo, po kush përveç një atdhedashësi e bën këtë thirrje. Ku janë ata që kanë marrë mandatin për ta udhëhequr këtë rrugë të lavdishme, ku shqiptari të jetojë siç i ka hije. Që të jetojmë siç i ka hije atdheut, duhet të bëjmë kujdes, sepse Troja antike mund të kthehet në Trojë moderne për kombin tonë, këtë na e thotë tek poezia “Kali i Trojës”…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube