NDRIÇIM I DENJË I VEÇANTIVE TË LETËRSISË GOJORE SHQIPE DHE I ZHVILLIMIT TË SAJ

Anton Nikë Berisha, Hyrje në historinë e letërsisë gojore shqipe. Shtëpia Botuese “Faik Konica”, Prishtinë 2017, f. 622.

Nga Sabahajdin Cena

Ndihmesë e rëndësishme për studentët dhe studiuesit e letërsisë gojore

Në kohën kur, si studentëve të letërsisë gojore shqipe, mësimdhënësve e po ashtu edhe të studiuesve të këtij lëmi, u ishte tejet i nevojshëm një hulumtim dhe ndriçim në diakroni dhe sinkroni i kësaj letërsie, profesor Anton Nikë Berisha e pasuroi vargun e studimeve të tij me botimin e veprës “Hyrje në historinë e letërsisë gojore shqipe”. Ky libër lëshon edhe një rreze drite në studimin e letërsisë gojore shqiptare që vjen si një pasqyrë e një udhëzues, përkatësisht si një çelës interpretimi me të cilin mund të hapet kjo godinë e madhërishme e njohur si letërsi gojore brenda letërsisë shqipe në përgjithësi.

Kjo vepër kulmore e hulumtimeve dhe e shkrimeve të prof. dr. Anton Nikë Berishës, studiuesve u erdhi pas veprave: Mundësi interpretimi, Ese dhe vështrime, Prishtinë 1979, Teksti poetik. Vështrime e kritika, Prishtinë 1985, Veçanti ligjërimesh poetike, Tiranë 1996, Gjymtime dhe shëmtime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë, Prishtinë 2001, Çështje teorike të letërsisë, Prishtinë 2005, Njëmendësia e fjalëve. Mundësi interpretimesh letrare. Prishtinë 2006, Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë. Kozencë 2008, Këngë që përligjin pasurinë shpirtërore të shqiptarit e të botës së tij. Mbi këngët kreshnike shqiptare, Prishtinë 2008, Vëzhgime teorike dhe estetike të De Radës dhe të Fishtës, Tiranë 2011, Larmi vëzhgimesh letrare, Prishtinë 2012, “Meshari” – vepër e hartuar nga Gjon Buzuku. Fondazione Universitaria “Francesco Solano”. Comet Editore Press. Kozencë 2014 (Botimi i dytë “Faik Konica”, Prishtinë 2014), Ligjërime rreth tekstit letrar poetik (së bashku me Labinot Berishën), Prishtinë 2017, Vëzhgime mbi “Poetikën” e Aristotelit. Studim. Faik Konica, Prishtinë 2018, Estetika dhe estetika e letërsisë (së bashku me Labinot Berishën), Qenësia e kumtit poetik. Libri i parathënieve 2. Faik Konica, Prishtinë 2019 e shumë vepra të tjera.

Libri është i ndarë në pesë pjesë dhe shoqërohet me aparaturë shkencore (fusnota e bibliografi) tejet të begatshme e njëherit edhe udhëzuese për studime edhe më të thella në fushën e letërsisë gojore, përballë historisë së zhvillimit dhe të ruajtjes së traditës së të kënduarit e të rrëfyerit si dhe të studimeve krahasimtare brenda dhe jashtëletrare në rrafshe të ndryshme, të tekstit, të tematikës dhe të motiveve.

Në pjesën e parë të “Hyrjes në historinë e letërsisë gojore shqipe” autori shtron çështje të përgjithshme të karakterit teorik e problemor të kësaj letërsie si: Poetika e letërsisë gojore përballë poetikës së letërsisë së shkruar, të përbashkëtat dhe veçantitë e tyre të artit të fjalës; merr në vështrim raportin e krijuesit gojor dhe përcjellësit gojor, duke vëzhguar mënyrën e lindjes, ligjet krijuese, zhvillimin dhe funksionimin e krijimtarisë letrare gojore. Studiuesi Berisha thekson se letërsia gojore, si art i fjalës së folur, nëpër shekuj qe krijimtaria shpirtërore, e cila me cilësitë e veta bëri atë që nuk mund ta bënte në atë mënyrë asnjë formë tjetër e artit që krijoi njeriu.

Në këtë rrjedhë ai thekson se çdo krijimtari shpirtërore në zhvillimin e saj ka dhe mbështetet në një traditë, e cila në intervale kohore pëson dhe transformohet, po asnjëherë nuk shkëputet krejtësisht prej saj. Edhe kur një krijimtari e një periudhe të caktuar i kundërvihet ose synon ta mohojë traditën ekzistuese, ajo në një mënyrë ose në një tjetër e determinon dhe ekzistimin brenda saj.

Këtë pjesë të librit të vet ai e përmbyllur me çështjen, përherë të rëndësishme dhe njëherit komplekse, të klasifikimit. Dukurinë e trajton nga aspekte të ndryshme. Ai thekson se klasifikimi në bazë të tematikës dhe të motiveve nuk sjell ndonjë rezultat të qëndrueshëm dhe i jep përparësi interpretimit të vetë veprave letrare gojore, strategjisë së rrëfimit, mesazhit artistik, mikro dhe makrostrukturës dhe elementeve të tjerë të rëndësishëm të krijimit letrar gojor, përkatësisht studimit të veçantë të vetë veprave konkrete të letërsisë gojore. Në këtë rrjedhë ai sjell mendimin e Horkhaimerit dhe të Adornos, ku thuhet se klasifikimi është kusht për njohje, ai vetë nuk është njohje, ndërsa njohja e mënjanon klasifikimin.

Të dhëna të hershme të krijimeve të letërsisë gojore shqipe

Në pjesën e dytë të kësaj vepre, që bën pjesën më të rëndësishme të saj, prof. Berisha përqendrohet në të dhënat e hershme të ekzistimit të kësaj krijimtarie te shqiptarët, duke filluar nga viti 1474, që lidhet me të dhënën e historianit venecian, Anton Sabeliki rreth ekzistimit të këngëve për kryetrimin arbërorë, Gjergj Kastriotin Skënderbeun. Ai shënon se kishte dëgjuar këngë që këndoheshin dhe vallëzoheshin nëpër udhëkryqe e sheshe përmes të cilave himnizohej kryetrimi. Vazhdohet me të dhënat që jep Marin Barleti, i cili shkruan për ekzistimin e gjëmave dhe të vajtimeve, të dhëna që dëshmohen edhe nga Dhimitër Frangu, Pjetër Budi, Evlia Çelebiut etj.

Në vijim autori thekson rëndësinë e rapsodisë së Pal Golemit të traditës së arbëreshëve të Italisë, të mbledhur nga prifti italian, Nilo Katalano para vitit 1693 (Katalano vdiq në Arbëri më 1693). Teksti i kësaj rapsodie u gjet në Fjalorthin në dorëshkrim italisht – shqip të këtij misionari italian. Po kështu autori ndriçon rëndësinë e madhe të “Dorëshkrimit të Kieutit” i vitit (1735-1750), ku pos shkrimeve të ndryshme, janë edhe 18 rapsodi arbëreshe.

Një interpretim të veçantë Berisha i bën përmbledhjes me rapsodi arbëreshe të vitit 1866: “Rapsodi të një poeme arbëreshe”, të mbledhur në kolonitë e rrethit të Napolit dhe botuar nga De Rada. Është nga vëllimet më të shquara të gjithë traditës letrare gojore arbëreshe dhe asaj shqiptare. Kjo përmbledhje me rapsodi arbëreshe dallohet për vlera të larta shprehëse poetike, e cila ndikoi fuqishëm te disa shkrimtarë arbëreshë, midis tyre dhe të vetë De Rada. Me vlerat e tilla këto rapsodi zgjuan një interesim të madh ndër arbëreshë, por dhe ndër të huaj, sidomos ndër italianë.

Për t’i dëshmuar vlerat e këtyre rapsodive autori sjell shumë shembuj, ku mirëfilli dëshmohen vlerat e shumë këngëve si tekste, si realizime të ndryshme formësore e kuptimore, të ngritura mbi bazën e traditës së poezisë sonë gojore. Së këndejmi, secili që i studion me kujdes dhe thellohet në qenësinë e tyre, përherë ka çka t’i shtojë asaj që është thënë më parë për to, ka mundësi t’i vështrojë e t’i interpretojë nga shumë aspekte, për arsye se si krijime të pasura letrare artistike, ato çdo herë ofrojnë mundësi të shumta për qasje të ndryshme varësisht prej kërkesave dhe pretendimeve shumë disiplinore edhe në fushën krahasimtare.

Ngushtë lidhur me Rapsoditë e botuara nga De Rada në vitin 1866, studiuesi Berisha e vështron dhe çështjen homerike. Në të vërtetë, disa autorë, duke qenë të vetëdijshëm për rëndësinë e jashtëzakonshme të traditës letrare gojore, i hartuan veprat e tyre të shkruara mbi bazën e modelit dhe strukturës së këngëve dhe i shpallën të traditës gojore, siç vepruan, fjala vjen, Zef Skiro (Plaku) dhe Gavril Dara i Riu. Dihet se çështjes homerike i priu dukuria e mistifikimit letrar, që mbërriti kulmin me Xhejms Makfersonin e Proper Merimenë.

Një kontribut të rëndësishëm studiuesi Berisha e jep në ndriçimin e elementeve të përbashkëta dhe dalluese të rrëfimit lirik dhe rrëfimit epik, që vërehen në disa elemente, fjala vjen, në dukurinë e formulësimeve, në modelet metrike sintaktike, në epitetet stolisës e, në imazhet poetike, në gjuhën etj.

Në këtë rrjedhë ai e vështron rëndësinë dhe funksionin e formulësimeve në epikën gojore shqiptare, veçmas te këngët e kreshnikëve. Kjo dukuri si bazë ka arritjen e një varg studiuesve të shquar, si A. Shmaus, Milman Parry, Albert Lordi etj. Berisha konstaton se formulësimet si teknika epike, nuk janë përherë të lidhura me një tekst apo me një qark të caktuar tematik të këngës, por ato mund të përdoren (nëse paraqitet situata ose detaji i njëjtë i veprimit) e të futen (inkuadrohen) në secilin tekst, para së gjithash kur krijohen këngë të reja ashtu siç theksojnë edhe komparatistë të tjerë të letërsisë gojore.

Autori ndriçon gjerësisht fillimet e njohjes së letërsisë gojore shqipe në gjuhën gjermane, ku përfshihet një traditë më se 150 vjeçare, që lidhet me kontributet e Ksylanderit, e Hahnit, Pedersenit, Lambertzit, Biondellit, Shtirit, Grimëve, Majerit, Jarnikut e të studiuesve të tjerë që ngjallën dhe ringjallën interesimin për letërsinë gojore shqipe.

Hulumtime të rëndësishme rreth epikës gojore

Vëmendja kryesore në këtë vepër i kushtohet pa dyshim epikës gojore shqiptare, e cila studiohet në krahasim me llojet e tjera letrare gojore shqiptare po dhe të traditave të tjera epike të Evropës Juglindore, duke filluar nga epet e lashta, në mënyrë të veçantë nga Iliada dhe Odiseja. Ai thekson se këngët kreshnike shqiptare përligjin pasurinë shpirtërore të shqiptarit e botës së tij dhe paraqesin një thesar të madh artistik. Në qenësinë e tyre këngët kreshnike përligjin një botë të lashtë legjendare, një botë e tërë mitologjike e kalorësiake, ku funksion të madh kanë qeniet mitike si orët, zanat dhe shtojzovallet. Këto këngë i cilëson organizimi shoqëror matriarkat. Pra, nëna udhëheq në familje.

Rreth rëndësisë dhe lashtësisë së këtyre këngëve Anton Nikë Berisha shkruan: “S’ka dyshim se shqiptarët janë autoktonë në shumë elemente të gjallimit, të veprimit e të organizimit shoqëror mbi bazën e së drejtës zakonore të veçantë si dhe të trashëgimisë së krijimtarisë materiale e shpirtërore, sidomos të gjuhës së tyre, e cila brenda gjuhëve të lashta indoevropiane ka mëvetësinë e vet. Të tillë janë dhe në krijimtarinë letrare gojore, në përralla e kallëzime, në gojëdhëna e në anekdota, në epikë dhe në lirikë, natyrisht bashkë me të gjitha ato përkime tematike motivore me krijimtaritë e popujve të Evropës Juglindore, si tipare të krijimtarive të popujve fqinjë, por edhe të popujve të tjerë, pa marrë parasysh hapësirën gjeografike, racën dhe përkatësinë fetare.

Shqiptarët, si popull i lashtë kanë ruajtur edhe në krijimtarinë e tyre letrare gojore doke e zakone të lashta, rite pagane e qenie mitike, që janë tipike për një stad të hershëm të ekzistimit dhe të zhvillimit të njeriut. Së këndejmi edhe studimi i epikës gojore shqiptare brenda fenomenit epik evropian është me rëndësi të shumëfishtë, jo vetëm për ta bërë objekt trajtimi lashtësinë e epikave gojore të popujve që jetojnë në këtë trevë, për t’i trajtuar elementet e përbashkëta, por edhe për t’i parë ndryshimet që shprehen në strukturën tekstore si dhe në dukuritë jashtëtekstore të krijimeve epike dhe jo vetëm të tyre”.

Studiuesi Berisha e vështron dukurinë e ekzistimit të këngëtarëve bredhës te shqiptarët për ta theksuar gjendjen e këngëve të shkurta dhe të gjata epike me të cilat qenë marrë një varg studiuesish, si Hahni A. Shmausi, Stavro Skendi, Dragutin Miçoviqi etj.

Ndër më të rëndësishmet Berisha veçon dhe e ndriçon krijimtarinë e Maksimialm Labertzit, i cili për vite me radhë u mor me lirikën, me epikën dhe me përrallën shqipe, jo vetëm duke i studiuar me një përkushtim, por edhe duke i përkthyer shumë sosh në gjuhën gjermane. Në këtë mënyrë ato u bën të njohura në një rreth të gjerë.

Shqyrtim të veçantë Berisha u bën dy llojeve të prozës gjore shqipe: përrallës dhe anekdotës, duke ndriçuar elemente të rëndësishme të tekstit të tyre.

Në mënyrë të veçantë e ndriçon poetikën e përrallës, njërit ndër krijimet më të rëndësishme të prozës gojore shqiptare, por dhe të popujve të tjerë, duke shfrytëzuar hulumtimet e ndryshme të disa studiuesve të shquar si vëllezërit Grim, Prop, Stros, Betelhajm, Lyti etj.,  ku e vështron përrallën përballë mitit dhe ëndrrës. Njëherit, i ndriçon  format e shtjellimit të përrallës; strukturën kompozicionale, kontekstin poetologjik dhe raportin ndërmjet përrallës gojore dhe asaj të shkruar. Me përkujdesje të veçantë studiuesi Berisha i qaset edhe anekdotës si strukturë tekstore për t’u ndalur në poentën dhe mesazhin që bartin anekdotat në raport me kohën dhe vendin pa lënë anash as rrëfimtarin.

Në pjesën e tretë të librit autori i ndriçon një varg dukurish e mendimesh të autorëve të ndryshëm, shqiptarë e të huaj, rreth letërsisë gojore shqipe dhe rëndësisë së disa llojeve të saj, duke u nisur nga arbëreshi Vinçenc Dorsa, i cili i shfaqi një varg mendimesh për disa lloje të poezisë gojore arbëreshe, pastaj ato të Dhimitër Kamardës, të kontributit për natyrën dhe trajtat e këngëve të cilat i mblodhi dhe i botoi në “Sprovë gramatikore krahasuese mbi gjuhën shqipe” për të dalë te korrespondenca, kontributi dhe roli i Jernej Kpitarit për njohjen e këngëve popullore shqipe, po dhe në tendencat e Vuk Karaxhiqit dhe të numrit të madh të sllavistëve të tjerë që këmbëngulnin t’i zbehnin dhe mohonin vlerat e letërsisë gojore shqiptare. Këtyre autorëve Berisha u kundërvihet me argumente të mbështetura në tekstet e krijimeve e të vlerave të tyre shprehëse poetike.

Po përmend këtu qasjen konstruktive që Berisha u bën të njohësve të mëdhenj të epikës gojore të shqiptarëve, si Mark Milani, i cili shquhet për qëndrimet dhe vlerësimet e tij të larta për këngët e shqiptarëve dhe për letërsinë gojore shqiptare në tërësi, Maksimilian Lambertzin për kontributin e tij në studimin e epikës, Matia Murkos dhe përmbledhjes së tij “Gjurmëve të epikës…”, me çështjen e parathënies së “Kangëve popullore gegnishte” të Vinçenc Prenushit, për ta përmbyllur me pikëpamjet mbi krahasimin ndërmjet dhjetërrokëshit shqiptar dhe dhjetërrokëshit serb veçanërisht te përkthimi i Dragutin Miçoviqit me ç’rast konstaton se paraqitja e këngëve kreshnike shqiptare në gjuhën serbe është shumë e dobët, “për të mos thënë e shëmtuar”. Megjithatë, sipas Berishës, në këtë përkthim dëshmohet dhe diçka e rëndësishme: vargu dhjetërrokësh i këngëve kreshnike shqipe, përkundër përpjekjeve të mëdha të Miçoviqit që ta bartë në gjuhën serbe sa më saktësisht, ka dalë, në një mënyrë ose në një tjetër, varg me natyrë tjetër. Pra, ky ndryshim i madh i natyrave të këtyre dy vargjeve e hedh poshtë teorinë tendencioze të disa studiuesve sllav se kinse vargu dhjetërrokësh serb na qenka huazuar nga shqiptarët!

Në këtë rrjedhë studiuesi trajton edhe çështje të natyrës krahasimtare, veçanërisht rreth origjinalitetit, ndikimeve dhe përkimeve të epikës gojore me epikën e shkruar në rrafshin e tematikës e të motiveve, veçanërisht pikëtakimet me narracionin shqip në raport me motivet ndërkombëtare të përrallave (migration story), gjithnjë duke i vënë përballë llojet e letërsisë sonë gojore me krijimtarinë gojore të popujve ballkanikë dhe më gjerë.

Pjesa e katërt, të cilën e emërton me “Interpretime: Konkretësi e veçanti”, fillon me punimin “Hyji në këngët tona kreshnike”, ku autori ka vënë mendimin e Nënës Tereze: “Të besosh domethënë të jetosh […] Besimi është e vetmja gjë që qenësisht është e jona”. Në këtë pjesë autori e vështron edhe funksionin e formulësimeve në “Halili merr Begzadën e Bardhë”, që i përket ciklit të këngëve të kreshnikëve dhe përbën njërën nga pjesët artistikisht më të ngritura të poezisë gojore shqipe në përgjithësi. Cikli shtrihet në pjesë të ndryshme të trojeve shqiptare, po ka bërë jetë më të gjatë e më intensive në pjesët veriore, në ato alpike – rurale.

Autori e interpreton mirëfilli Këngën e Pal Golemit, që dëshmon për mbretërinë e simbolikës e të metaforave që ta përmbyllë me një krijim në kontekst të pasur poetik, pastaj tragjiken dhe kuptimësinë e flijimit të murosjes së gruas në ura e kështjella e me variante që i ndan koha prej një shekulli në të cilën pjesë autori vë theks të veçantë mbi raportin ndërmjet traditës sonë kombëtare dhe flijimit të gruas në këngët tona me temë të murimit të dhënies dhe të mbajtjes së besës, përkatësisht të betimit, duke kundruar tri aktet themelore të tragjikes dhe të së madhërishmes kur vdekja për të mirën e gjithmbarshme njerëzore ngadhënjen. Berisha e vështron edhe përmasën artistike të poezive gojore kushtuar Lidhjes së Prizrenit si dhe raportin realiteti artistik –  realiteti konkret (historik).

Pjesën e katërt të librit e përmbyll interpretimi i përrallës “Djali i Begut dhe Shërbëtori marrin gruen e Kacabashit”, ku përligjet “Loja e fjalëve”: Kush dëgjoftë e tregoftë gur mermeri u mbaroftë dhe Kush dëgjoftë e mos tregoftë gur mermeri u mbaroftë”. Për këtë krijim të prozës gojore Berisha shkruan: “[…] strukturimi dhe funksionalizimi i elementeve të këtilla qenësore, sidomos i formulësimit kryesor, çelës, i kanë dhënë përrallës shqipe një tërësi dhe formë unike artistike, një dinamizëm e ritëm, një kuptimësi të veçantë, që kushtëzon një ndikim të dukshëm estetik të secilit që e dëgjon apo e lexon”.

Libri “Hyrje në historinë e letërsisë gojore shqipe” i Anton Nikë Berishës përmbyllet me vëzhgimet rreth përkimeve poetike të letërsisë së shkruar me letërsinë gojore shqipe në periudha të ndryshme në poezi, në prozë dhe në dramë, duke filluar nga fundi i shekullit XIX deri në Luftën e dytë botërore. Në mënyrë të veçantë fenomeni vëzhgohet në poezinë e Lasgush Poradecit, pastaj në veprën e I. Kadaresë “Ura me tri harqe” (Legjenda e flijimit-murosjes).

Të përmend këtu faktin se fenomenin e përkimeve poetike studiuesi Berisha e ka vështruar dhe në libra paraprakë si, fjala vjen,  te vepra “Meshari” i Gjon Buzukut, te poezia e Pjetër Budit, e De Radës, e Gavril Darës, e Fishtës, proza e Azem Shkrelit etj.

Thellësia dhe rrafshi i ngritur i vështrimit të çështjeve dhe të veçantive të letërsisë gojore, ndriçimi i raportit me letërsinë e shkruar, metodologjia e qasjes, konceptet e qëndrueshme, saktësia e përdorimit të nocioneve si dhe dukuritë rreth ndryshimit dhe evoluimit të llojeve të krijimtarisë gojore në rrafshet diakroni – sinkroni, dëshmojnë për një punë studimore të mirëfilltë. Për këtë arsye ky libër është i rëndësishëm për të gjithë: për studentët, për profesorët që e japin si lëndë mësimi letërsinë gojore, për studiuesit e letërsisë gojore, por edhe për të gjithë ata që duan ta njohin mirëfilli këtë krijimtari, të thellohen në rrënjët e  trashëgimisë sonë të pasur, që mbijetoi me shekuj pavarësisht stuhive e murrlanëve. Merita kryesore u përket këngëtarëve dhe rrëfimtarëve, të cilët e krijuan dhe e përcollën  gjatë shekujve për të arritur në forma të ndryshme edhe në ditët tona.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube