Pse Kosova nuk do ta harrojë kurrë të kaluarën?

Nga Enver Robelli

«Harrojeni të kaluarën», thonë disa politikanë nga Tirana. Analistë nga Prishtina dalin me diagnoza mjekësore për shoqërinë e Kosovës: e quajnë të sëmurë! Zëra të izoluar, por të zhurmshëm nëpër media sociale akuzojnë në mënyrë paushalle krejt gazetarët e Kosovës për shkak se nuk qenkan mjaft kritikë ndaj elitave politike. Nuk ka vend në rajon ku gazetarët kanë kritikuar më ashpër klasën politike se në Kosovë. Ka dëshmi për këtë. E kam fjalën për gazetarë, jo për mercenarë. Pra, të dashur kozmopolitë në tentativë, mondialistë në tentativë, globalistë në tentativë – një rregull i rëndësishëm i gazetarisë është edhe ky: mos përgjithësoni. Dhe sidomos mos shtini mend me njëfarë atitude pseudoneokolonialiste-perëndimore kundër “fiseve vendore” dhe “gazetarëve lokalë”. Njerëzit në Kosovë nuk janë të paaftë të mendojnë me kokën e tyre. Gjeni mënyra të tjera për t’u profilizuar, jo me kukama në mediat sociale, duke i dhënë rëndësi çdo trolli digjital.

Njerëzit shohin. Kur një politikan shqiptar apo analist oborri në Tiranë thotë “harrojeni të kaluarën”, Serbia kujdeset t’i nxjerr lakuriq faqe botës politikanin shqiptar dhe mbështetësit e tij militantë.

Ja ç’bën Serbia për të harruar të kaluarën:

– Fansat e klubit futbollistik “Partizani” të Beogradit në ndeshjen kundër “Novi Pazarit” çirren: “Nož, žica, Srebrenica”, një parullë shoviniste që arsyeton gjenocidin e forcave serbe në Srebrenicë. Futbollistët nga Novi Pazari, shumica boshnjakë, braktisin ndeshjen. Politikanët serbë nuk e dënojnë parullën shoviniste që bën thirrje për përsëritjen e vrasjes masive të boshnjakëve.

– Në Bijelinë, ku forcat paramilitare të Arkanit, të dërguara direkt nga Beogradi, më 1 dhe 2 prill 1992 vranë disa civilë, mes tyre edhe shqiptarë, pra në Bijelinë këto ditë u zbulua busti i Drazha Mihajloviqit, shefit të çetnikëve në Luftën e Dytë Botërore, bashkëpunëtorit të nazistëve dhe masakruesit të mijëra myslimanëve, por edhe familjeve partizane serbe. Qe, pra, si po e harron Serbia të kaluarën.

– Në shumë kinema anekënd botës aktualisht po shfaqet filmi “Quo Vadis, Aida” mbi masakrën e Srebrenicës. Vetëm në Serbi dhe entitetin serb të Bosnjës kjo nuk është e mundur. Sepse e vërteta mbytet, me çdo mjet.

– A është shfaqur ky film në Tiranë? Në Korçë? Në Vlorë? Apo në Prishtinë? Kuvendi i Kosovës së paku miratoi një rezolutë mbi masakrën e Srebrenicës. E parlamenti i Shqipërisë?

Britmat “harrojeni të kaluarën”, “arti bashkon popujt” etj. janë jo vetëm cinike, por edhe fyese ndaj shqiptarëve të Kosovës. Kosova nuk dëshiron të detyrojë askënd në Shqipëri të solidarizohet me vuajtjet e popullit shqiptar në Kosovë. As nuk mund ta bëjë këtë, është punë ndërgjegjeje e secilit. Por Kosova do të kundërshtojë çdokënd kur fyhen viktimat në emër të njëfarë “bashkëpunimi rajonal” duke e injoruar kryeproblemin: refuzimin e Serbisë për të pranuar shtetësinë e Kosovës.

https://www.facebook.com/enver.robelli

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube