Pse nuk egziston LSH dhe pse është marrë godina e Lidhjes së Shkrimtarëve nga shteti?

Flasin Hysen Sinani, Pirro Loli, Sazan Goliku, Behar Gjoka, Violeta Allmuçaj,

-Një shtet pa Lidhje është si një shtëpi pa dritare, e errët, pa dritë

Nga Albert Z. ZHOLI

Ka më shumë se 14 vjet që Godina e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë është marrë në mënyrë të padrejtë nga shteti. Shumë vite më parë në periudhën që LSH ishte në gjyq me shtetin për pronësinë e godinës gazeta “Telegraf” ka realizuar dhjetëra intervista me shkrimtarë dhe poetë. Aktualisht bashkë me godinën edhe Lidhja duket pa jetë. Sot shkrimtarët shqiptarë janë të vetmit në botë, pa një godinë të tyre dhe pa një shtyp të tyre. E famshmja gazeta “Drita” ka po kaq vite që është mbyllur. Shkrimtarët shqiptarë, s’dinë ku të takohen, ku të qajnë hallet dhe ku të gjejnë vetveten. Ngushëllimin e gjejnë vetëm tek çantat e rënda në kurriz që mbartin brenda libra, projekte, skica letrare, të cilat i hapin dhe i bëjnë prezent mes shokësh nëpër tavolinat e kafeneve të panumërta të Tiranës.

Hysen Sinani (Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve)

U bënë mëse një dekadë që jemi në luftë me shtetin. “De facto” nuk ka LSH. Rrëmbimi i godinës ishte veprimi më i shëmtuar. Ky veprim në një shtet demokratik është një veprim banditesk. Këtë veprim se ka bërë as diktatori Enver Hoxha, pasi ai e dinte mirë forcën e penës dhe lidhjet e shkrimtarëve me popullin. Të lësh pa godinë shkrimtarët, këta paraprijës të mendimit të përparuar në çdo shoqëri është një krim.  Qeveria e re duhet ta vendosë në vend këtë padrejtësi që u është bërë krijuesve të saj. Në regjimin e Hoxhës shkrimtarët kishin godinën e tyre, gazetën e tyre, leje krijimtarie. Lidhjes së Shkrimtarëve i takon një godinë sado e vogël dhe gazeta e saj. Mendoj se duhen vlerësuar për vetë rëndësinë e punës së tyre.

Pirro Loli, shkrimtar

Një shtet pa Lidhje është si një shtëpi pa dritare, e errët, pa dritë.  Zakonisht zaptimet bëhen nga të huajt. Zaptimi i godinës sonë nga shteti ynë  ishte  qëndrimi më ogurzi ndaj kulturës, artit dhe letërsisë sonë kombëtare.  Pas kësaj u duk një shpërfillje totale ndaj shkrimtarëve, një burokraci agresive dhe indiferente njëkohësisht. Një godinë e disa zyra mund të gjenden kudo, por një ministri kulture të lëvizi gjërat e letërsisë, të organizojë e të përgjigjet për librin dhe artin, qenka e vështirë…Po të mëdhenjtë tanë, bejlerët e letërsisë, pse nuk e mbrojtën godinën e tyre nga zaptuesit, pse nuk kanë nxjerrë një fjalë nga goja për mungesën totale absolute të çdo organizimi të shkrimtarëve – ata hoqën b… mënjanë dhe lundrojnë akoma me famën e atij regjimi. Mendoj se sot, në emër të lirisë së fjalës, ata e kanë frikë organizimin, klubin a shoqatën. Kur heshtin të mëdhenjtë e letrave, hesht dhe shteti antiletrar. Mund të jemi nga vendet e rralla në botë që shkrimtarët nuk ekzistojnë në asnjë organizim.

Violeta Allmuça, shkrimtare

Pse politika e sotme shqipe është larguar nga shkrimtarët, madje, u ka marrë dhe godinën e Lidhjes? S’ka se si të ndodhë ndryshe. Shkrimtarët nuk bëjnë kompromise, nuk janë servilë, nuk janë sahanlëpirës, nuk dinë të bëjnë korrupsion. Ata janë paraprijës të mendimit njerëzor dhe qëndrojnë në pararojë të çdo lëvizje qytetare. Marrja që i është bërë Godinës sonë është atentati më shkatërrues për krijuesit tanë. Të gjithë llojet e sporteve, shoqatat, bizneset kanë godinat dhe statuset e tyre, ne s’kemi asgjë. Mosegzistenca e LSHA mbetet veprimi më i shëmtuar. Ndërsa më i shëmtuari i të gjithë kohërave mbyllja e gazetës “Drita”. T’u marrësh shkrimtarëve godinën e tyre historike dhe të mbyllësh gazetën më të vjetër dhe më të bukur letrare është vrasje që i është bërë letërsisë shqiptare.

Behar Gjoka, kritikë arti

Letërsia ndodhet në një situatë që pakkush  merr mundimin të ndajë vlerën nga jo vlera, sepse çdo shenjë, çdo dëshmi na mundëson  komunikimin real  gati të pamundur, sepse mungon një revistë letrare një gazetë  e mirëfilltë letrare apo kritike. Na mungon një lidhje e dikurshme shkrimtarësh (letrare), e cila mirë apo keq  i lidhte interesat e krijuesve pavarësisht fushës , pavarësisë, apo llojit.  Tani çdo gjë është një çorganizim i organizuar dhe në këtë çorganizim të organizuar shyqyr që autorët përpiqen që ta mbajnë letërsinë gjallë.  Ajo godinë kur nuk duhej hequr nga administrimi i krijuesve. Ajo ishte e shenjtë nga ku kanë dalë gjenerata të tërë shkrimtarësh dhe poetësh që i kanë dhënë emër Shqipërisë në botë. Ka  dhe një problem tjetër….Botuesit shqiptarë,  kanë një marrëdhënie absurde me shkrimtarët saqë nuk e di deri, ku do të shkojë kjo marrëdhënie, pasi librin e paguan autori. Pra jemi në një situatë, ku libri  gati- gati po shndërrohet në mall. Libri nuk është mall. Libri është simbol.  Është pasqyrë e një kohe të caktuar, e një rrethane të caktuar. Është një marrëdhënie, e cila e kapërcen kohën. I kapërcen këto lloj sinorësh, të cilat në fund fare nuk ka se si të na krijojnë mundësinë të komunikojmë realisht.  Letërsia shqipe tashmë gjendet tani diku në periferi, të mendjes së institucioneve shqiptare, në periferi të vëmendjes së lexuesit shqiptar, vëmendjes së botuesve shqiptarë. Është tek e fundit në nderin e atyre që marrin përsipër që kjo zonjë e rëndë (siç është letërsia),  të mos lihet të largohet (të përzihet) nga jeta e përditshme, sepse, nesër  jeta do të jetë pak më e shëmtuar se sa sot.

Sazan Goliku, shkrimtar

Shteti nuk duhet të arrinte deri aty sa ta harrojë LSHA. Nuk duhet ta bënin këtë punë. Të mirë të këqij, ne jemi. Por jemi krijues. Jemi ndërgjegja e një kombi. Jemi përcjellësit e mendimit qytetar, civilizimit, demokracisë. Jemi përçuesit e mendimit progresist. Pa librat e shkrimtarëve nuk do të kishte histori, Shqipëria, nuk do të kishte gjithë këto këngë, poezi, legjenda, portrete. Historia do të ishte e zbrazët.  Roli i shkrimtarëve, poetëve dhe artistëve në historinë e një vendi është determinant.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube