Pse rrejnë kaq kollaj Edi Rama dhe Hashim Thaçi?!

Nga Enver Bytyçi

Sapo u mbyll takimi në Washington dolën turravrap, në fillim Rama e më pas Thaçi, dhe kumtuan me të madhe se “Ajo që u arrit në Shtëpinë e Bardhë do ishte arritur para dy vitesh” dhe se “Kosova humbi dy vite kohë”! Fajësuan për këtë taksën, thikat, hartat, “shpifjet” e opozitës dhe kundërshtarëve të ndarjes së Kosovës. Fajësuan shumicën e shqiptarëve, të cilët ishin dhe janë kundër shkëmbimit të territoreve të Kosovës me Serbinë. Ishin gati ta fajësonin edhe Zotin, vetëm që këta të dy të dilnin të larë nga llumi ku hynë vullnetarisht që në bashkëpunim me presidentin serb, Vuçiç, ta ndanin Kosovën.

Shpikën një rrenë të madhe, shumë të madhe! Sikur këta kishin për të arritur një marrëveshje si kjo e 4 shtatorit 2020 që para dy vjetësh. Sipas tyre, të paudhët, d.m.th Haradinaj, Berisha, Meta e të tjerë, nuk i lanë ta bëjnë këtë! Nuk pranojnë Rama dhe Thaçi se para dy vjetësh ishte në tavolinën e Bolton projekti Rama-Thaçi-Vuçiç të ndarjes së Kosovës! Nuk pranojnë se edhe më 27 qershor së paku do të dilte kishte një përpjekje të tillë, ndryshe nuk kishte pse Thaccit t’i kumtohej në avion kthimi mbrapsht. Por duan që me sulme e rrena të hiqen se “s’kanë lidhje me atë projekt”!

Ndërkaq deklaratat e Ramës dhe Thaçit kaluan pa ndonjë reagim. Duket sikur mediat janë në mision për t’i rehabilituar ata për aktin e tradhtisë kombëtare në angazhim të tjetërsimi të territorit të Kosovës. Moderatorët bëjnë pyetje të tipit – A ishte taksa pengesë për të realizuar më herët një marrëveshje në Uashington?!  Thaçistët dhe Ramistët bërtasin e thonë, se “Shefat e tyre e përgatitëm terrenin që të vihej te marrëveshja e 4 shtatorit”! Ndërkohë e vërteta është se taksa ishte pasojë e projektit për ndarjen e Kosovës, që do të thotë se ky projekt ishte pengesë e vazhdimit të bisedimeve.

Lufta për merita është e njohur në mesin e shqiptarëve. Por të dalësh e të kërkosh merita për një marrëveshje, e cila nuk ka të bëjë me protagonistët në fjalë, ky është vërtetë një akt komik e tragjik njëkohësisht. Eshtë njësoj sikur të dalin nxitësit e një lufte të caktuar e të thonë se “meritat për paqen ishin të tyret”! Kësaj i thonë jo të gënjesh, por të artikulosh një rrenë e madhe, për të mohuar një të vërtetë të dukshme në ditën me diell.

Pse rrejnë kaq kollaj Edi Rama dhe Hashim Thaçi?

Rrejnë, sepsë janë në siklet. Ishin nis të hynin në histori si “fitimtarë të mëdhenj” dhe përfunduar si “tradhtarë të mëdhenj” të kombit shqiptar! U nisën për “të marrë çmimin Nobel” dhe përfunduan skutave të gjykatës speciale Thaçi e Rama në llogaridhënie të sigurt nesër!

Ata rrejnë kur thonë se kishin në projekt një marrëveshje si kjo që u nënshkrua në Uashington më 4 shtator. Projekti i tyre ishte ndarja e Kosovës. Këtë e dinë edhe minjtë, jo më njerëzit që kanë përveç syve, veshëve dhe gojës gjithashtu mendjen, ndërgjegjen, vetëdijen, nëndijen, ndjesinë, me të cilat i japin kuptim të vërtetës dhe jetës mbi tokë.

Ata rrejnë kur thonë se taksa Haradinaj ishte pengesa e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë! Në fakt nuk ishte taksa, por projekti i ndarjes së Kosovës i promovuar fillimisht në Nish nga Edi Rama dhe Aleksandër Vuçic e më pas nga Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb në Alpach të Austrisë më 18 gusht 2018!

Ata rrejnë se Minishengeni është ide e Edi Ramës. Vetë kryeministri i Shqipërisë deklaroi nëntorin e vitit të kaluar se kjo ide ishte e presidentit të Serbisë e për pasojë nuk mund të ishte në dobi të Kosovës. Në Uashington, sipas fjalëve të kryeministrit Hoti, minishengeni hyri në marrëveshje si lëshim për Serbinë, sepse në këmbim të vendosjes së ambasadës serbe në Jeruzalem, Aleksandër Vuçiç insistoi në angazhimin e Kosovës për të marrë pjesë në këtë nismë të tijën! Presidenti Trump ia kërkoi këtë Kosovës në pozitat e xhentelmenit!

Ata rrejnë kur thonë  se në Berlin ose në Uashington nuk ka patur harta e thika kundër territorit të Kosovës. Rrejnë, sepse përpjekjet e Ramës, Thaçit dhe Vuçiçit për ndarjen e Kosovës i ka dekonspiruar kumbara i tyre, John Bolton, i tha troç: “Idenë e ndarjes së Kosovës e sollën në Uashington këta protagonistë lokalë ballkanikë”! Dhe ne na kujtohet shumë mirë se si mburrej Rama para parlamentit të Shqipërisë me telefonatën e gjatë midis tij dhe Bolton. Në atë kohë ai thoshte se biseduam për rajonin, duke u mburrur se ishte protagonist e ndarjes së Kosovës! Ne e dimë shumë mirë se si Hashim Thaçi, sa kohë ishte Bolton shkoi shpesh në Uashington dhe pasi e takonte atë dilte e thoshte se “për ta përmbyllur konfliktin me Serbinë, Kosova ka përkrahjen e SHBA-ve dhe kjo mund të bëhet me korrigjimin e kufijve”! Ndërsa Edi Rama në ato përpjekje mori rolin e avokatit të Hashim Thaçit, duke iu kundërvënë publikisht me fyerje e sharje kujtdo, edhe kryeministrit të Kosovës, pse ata kundërshtonin idenë dhe projektin serb të shkëmbimit të territoreve me Serbinë!

Tani del presidenti i Kosovës dhe pa pikë marreje thotë se “Po të ishim të bashkuar, do të kishim një marrëveshe më të mirë”! Ndërkohë që ai bashkë me Edi Ramën e përçanë politikën shqiptare dhe e bënë copë-copë, për shkak të angazhimit që kishin për ndarjen e territorit! Përpjekjet e Hashim Thaçit për ndarjen e Kosovës përmes skenarit të “korrigjimit të kufijve” kanë qenë publike çdo ditë, çdo orë, gjatë më shumë se dy viteve, deri më 29 prill 2019, kur shkoi në Samitin e Berlinit dhe Angela Merkel ia ndaloi atij dhe Edi Ramës të flisnin më për këtë projekt! Këta banditë politikë e të pacipë, të cilët konkurojnë me vetë rrenën, së paku duhej të heshtnin! Jo më të guxonin të vetëmburreshin, duke adresuar fyerje dhe sharje për kundërshtarët e projektit antikombëtar të tyre të ndarjes së Kosovës!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube