Pushteti i pakufizuar në duart e njerëzve të kufizuar

Nga Blerim Latifi

Pushteti i pakufizuar në duart e njerëzve të kufizuar

Është e pafundme literatura mbi vuajtjet e disidentëve në regjimet komuniste, por nëse do të bëhej një vlerësim kritik i saj, nuk ka dyshim se vepra “Rrno vetëm për me tregue” e At Zef Pllumit do të merrte vlerësimet më të larta. Ajo është e të njëjtit nivel me, ta zëmë, “Arkipelagu Gulag” të Solzhenjicinit.

Nuk ka gjë ma të tmerrshme se pushteti i pakufizuar në duart e njerëzve të kufizuar, mendon Solzhenjicin, derisa përshkruan brutalitetin dhe arrogancën e policëve sovjetikë. Të indoktrinuar me ideologjinë që pretendonte se kishte gjetur zgjidhjen finale për të gjitha problemet e botës, ata i jepnin të drejtë vetes të tregoheshin të pamëshirshëm me kundërshtarët e kësaj ideologjie totalitare. Kështu edhe zyrtarët me injorantë të regjimit e shfaqnin veten si njerëz të ditur.

Zbërthimin e injorancës së veshur me pushtet të pakufizuar e gjejmë edhe në veprën e At Zef Pllumit. Madje, mund të themi, me nota edhe më tragjike se te Solzhenjicini. Ja një shembull: Regjimi komunist kishte organizuar një gjyq popullor të një grupi klerikësh katolikë. Prokurori arrogant duke lexuar aktakuzën shërbehej me fraza e terminologji marksiste. Në ndërkohë njëri nga klerikët ndërhyn duke i thënë prokurorit se po e citonte gabimisht Marksin dhe idetë e tij. Më mirë e dinin Marksin të akuzuarit se sa akuzuesit që thirreshin në emrin e tij.

_________

Leksionet që harrohen vazhdimisht

– Populizmi është instrument efektiv për ta marrë pushtetin, por krejtësisht i pavlerë për ta mbajtur atë.

– Parullat emocionale mund të sjellin shumë votues, por ato janë formula të thata që nuk u japin asnjëherë zgjidhje problemeve konkrete të njerëzve.

– Reduktimi i të gjitha shkaqeve të problemeve shoqërore në figurën e një Fajtori të Madh mund t’i nxjerr turmat në rrugë, por të nesërmen e largimit të këtij Fajtori, njerëzit e marrin vesh se e vërteta është ndryshe.

– Dikush ka thënë se ka vetëm një mënyrë për ta përgënjështruar populizmin: duhet lënë që ai të vij në pushtet.

Krejt këto dihen prej kohësh, por pse asnjëherë nuk merren parasysh nga njerëzit në momentet e gjykimit politik?

Sepse, midis një propozimi të komplikuar, por realist, për zgjidhjen e problemeve dhe një parulle megalomane që premton zgjidhjen e shpejtë dhe të lehtë të tyre, njerëzit joshen ta zgjedhin parullën.

Njeriu është homo emblematum, qenie që beson në parulla.

_________

Gjithandej po kërkohet largimi i Arben Vitisë. Duket kërkesë e natyrshme dhe spontane e njerëzve që po ballafaqohen me vdekjen dhe shifrat e tmerrshme ditore të saj.

Por a zgjidhet problemi me heqjen e një ministri dhe sjelljen e një tjetri në vend të tij?

Sigurisht që jo, edhe nëse tjetri është supermen. Nuk varet nga dituria ose injoranca e një individi katastrofa shëndetësore me të cilën po ballafaqohemi. Varet nga veprimi i organizuar kolektiv dhe në këtë rrafsh shteti ka dështuar ta krijoj sistemin e luftimit të pandemisë. Natyrisht, për këtë qeveria e ka përgjegjësinë kryesore, pa e harruar edhe neglizhencën primitive të një mase të madhe të qytetarëve për marrjen e vaksinave dhe respektimin e masave parandaluese.

Dikush i ka ndarë shoqëritë në shoqëri proaktive dhe shoqëri reaktive. Shoqëritë proaktive janë ato që veprojnë në parandalimin ose minimizimin e dëmeve të një katastrofe që duket në horizont.

Shoqëri reaktive janë që reagojnë vetëm pasi katastrofa ka mbrritur. Dhe atë në shumicën e rasteve në formë paniku.

Ne definitivisht bëjmë pjesë në këto të dytat.

_________

Në zgjedhjet e fundit në Serbi Shesheli dhe partia e tij nuk e kaluan as pragun zgjedhor. Ai sot nuk është kurfarë faktori në Serbi. Është thjesht një kufomë politike dhe deklaratat e tij askush nuk i merr seriozisht atje.

Përkundër kësaj, mediat e Kosovë vazhdojnë t’u japin hapësirë të konsiderueshme këtyre deklaratave.

Si të shpjegohet ky budallallëk i yni medial? Mbase me faktin se traumat e të kaluarës marrin shumë kohë derisa të kapërcehen krejtësisht.

_________

Paralajmërimet ishin të qarta muaj më parë: do të ketë një valë tjetër të Covidit, me tendencë për të qenë më e rëndë se valët e tjera. Ne, qeveri e popull bashkë, i injoruam ato, me injorancën tonë tradicionale: Hajt more se kalon edhe kjo!

Qeveria nuk u lodh hiç, që krahas atyre kontingjenteve të vogla të vaksinave të falura, të siguronte blerjen e sasive të tjera, në mënyrë që shkalla e vaksinimit të rritej. Për më keq ajo as nuk mori masa që njerëzit të bindeshin të vaksinoheshin. Përkundrazi, ajo hoqi dorë nga të gjitha masat parandaluese. Në anën tjetër, populli nisi të sillej sikur pandemia kishte kaluar krejt dhe askush më nuk e çante kokën për t’i respektuar masat mbrojtëse. I madh e i vogël, burra e gra, politikanë e qytetarë, ia krisëm dajrave e valleve në të katër anët e Kosovës. Profilet në facebook u vërshuan nga fotografitë e dasmave dhe ahengjeve. Kështu, qeveri e popull, e filluam festën e fitorës mbi pandeminë para kohe dhe tani po i korrim frytet e hidhura të këtij budallaku kolektiv.

_________

Kur e shikojnë nga jashtë një betejë, njerëzit janë të prirur ta marrin atë si një film western dhe po qenë mendjelehtë ata do ta krijojnë edhe iluzionin se po të ishin brenda betejës do ta bënin kërdinë.

E njëjta gjë ndodhë edhe me institucionet: kur janë jashtë institucioneve njerëzve u duket i lehtë menaxhimi i tyre dhe pastaj nga kjo e sajojnë iluzionin se po të ishin ata në krye të institucioneve do t’i drejtonin ato më mirë se gjithkush tjetër.

Vetëm kur hyjnë në beteja të vërteta, njerëzit e kuptojnë se trimnitë folklorike janë thjesht hajgare, dhe vetëm kur futen në mekanizmat e ndërlikuar të jetës institucionale, e kuptojnë se premtimet populiste për t’i zgjidhur problemet sa çel e mshel sytë, janë thjesht folklor politik.

Por pse iluzionet shiten gjithmonë, edhe pse realiteti i përgënjështron vazhdimisht?

Sepse, siç thotë Volteri, iluzionet janë kënaqësia më e madhe në mesin e kënaqësive të jetës.

_________

Filozofia tradicionale mbrojtëse e shqiptarit është “me mbrojtë pragun e shpisë”. Që do të thotë se ne e marrim seriozisht rrezikun veç kur na prekë neve personalisht. E njëjta vlenë edhe për Covidin.Veç kur na e ngjet personalisht e besojmë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube