Rexhep Qosja dhe Edi Rama, këta përçarës të mëdhenj të kombit shqiptar!

Nga Enver Bytyçi

Para një jave kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dekoruar me medaljen “Yllin e Mirënjohjes Publike” akademikun kosovar, Rexhep Qosja. I pranishëm në ceremoni ishte gjithashtu kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të cilin Qosja e porositi që takimet me shefin e ekzekutivit të Tiranës t’i kishte më të shpeshta, duke fajësuar tërthorazi Kurtin për ftohjen e marrëdhënieve të tij me Edi Ramën.

Që midis Edi Ramës dhe Rexhep Qosjes ka një kimi të përbashkët të pazgjiidhshme, kjo është bërë e ditur së paku në vitin 2014, kur kryeministri i Shqipërisë vizitoi Kosovën dhe nuk vizitoi memorialin e Ibrahim Rugovës. Madje në fjalimin e tij në parlament asokohe ai nuk e përmendi presidentin historik, duke bërë që grupi parlamentar i Lidhjes Demokratik të lëshonte sallën. Dhe e gjitha ndodhi, sepse Edi Rama në vend të Rugovës preferoi të nderonte Qosjen.

Të njëjtën gjë bëri ai edhe pas 6 vitesh. Takoi kryeministrin Kurti, por jo edhe presidenten e vendit, Vjosa Osmani. Dekoroi Rexhep Qosjen dhe refuzoi të nderojë Ibrahim Rugovën! Madje këtij të fundit refuzon t’i ngrejë monument në Tiranë, ndërkohë që Rexhep Qosjes planifikon t’ia ngrejë përmendoren të bahçja e vilës 31 të diktatorit! Akademiku kosovar beson se me ndihmën e kryeministrit të Shqipërisë do ta fitojë garën me Ibrahim Rugovën! Por përveç Zotit nuk ka shqiptar me dy këmbë, dy sy dhe dy veshë që mund ta arrijë liderin historik të shqiptarëve, Dr. Ibrahim Rugova. As nga pikëpamja politike, as nga ana morale, as nga sakrificat personale e familjare në shërbim të kombit, as nga filozofia kombëtare, as nga virtytet njerëzore, as nga maturia, mençuria dhe lidershipi, as nga dija dhe këmbngulja për të mbrojtur vlerat, besimet dhe mendimet e veta! Rexhep Qosja në këto fusha përballë Ibrahim Rugovës është dhe do të jetë një humbës i pashpresë! Po ashtu dhe Edi Rama!

Rexhep Qosja dhe Edi Rama njihen si përçarësit e mëdhenj të kombit shqiptar, ndërkohë që Ibrahim Rugova pa ushtri, pa polici, pa gjyqëso, por me moral dhe etikën e tij politike homogjenizoi dhe unifikoi dy milion shqiptarë, si askush tjetër në historinë e kombit shqiptar! Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe! Kur Ibrahim Rugovën e pyesnin gazetarët se “Çfarë mendimi keni për kritikat fyese të Qosjes ndaj tij, ai përgjigjej qetë, qetë: “Ani, ani në demokraci jemi, gjithkush ka mendimin e vet”! Asnjëherë nuk i tha Qosjes se “Ti Rexhep Qosja më ke lënë shtatë muaj pa rrogë në Institutin Albanologjik”! Kurrë nuk ia përmendi Qosjes deklaratat e tij për “protestat armiqësore të shqiptarëve të vitit 1981”! Nuk ia përmendi as dekoratën e 7 korrikut të akorduar në vitin 1974 nga qeveria e Repuvlikës së Serbisë për shërbime të shquara të Qosjes ndaj saj! Edhe pse akademiku Qosja nuk e ka kthyer atë mbrapsht së paku pas çlirimit të Kosovës prej Serbisë!

Pas asaj dekorate të Serbisë, Qosja ka marrë më 3 mars 1999 edhe dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” nga ana e Presidentit të Shqipërisë, Rexhep Meidani. Ishte koha kur Qosja ishte vendosur në vilën 31 të ish-diktatorit shqiptar, Enver Hoxha dhe bashkë me autoritetet shqiptare e krerët e lëvizjës së UÇK-së, të cilët ishin me rezidencë në Rogner, planifikonin likuidimin së paku politik, të Ibrahim Rugovës! Edhe atë kohë ai u dekorua me “Nderin e Kombit” de facto jo për shërbimet e ndershme ndaj kombit, por për kontributet e tij në luftën kundër Rugovës! Aq i obsisionuar ishte ai ndaj presidentit historik të Kosovës, sa e donte atë “në arkivol”! Për këtë shkak, vetëm dy javë më vonë Rugova nuk pranoi që ta takonte në Rinas presidentin Meidani! E la në pritje te salla e aeroportit dhe nuk zbriti nga avioni që do ta çonte në Prishtinë!

Ndërsa Edi Rama i dha Rexhep Qosjes dekoratën tjetër, “Ylli i Mirënjohjes Publike”! Pse? Sepse Edi Rama dhe Rexhep Qosja ndajnë të njëjtat mendime e pozicione politike. Kryeministri Rama i urren Sali Berishën dhe Ibrahim Rugovën. Të njëjtin sentiment shpreh edhe Rexhep Qosja. Në diskursin e të dyve  gjen vetëm sharje dhe mallkime kundër Berishës! Nga ana tjetër, Qosja kishte propozuar i pari oas Dobrica Qosiq dhe vazhdon të mbrojë ndryshimin e kufijve, shkëmbimin e territoreve dhe ndarjen e Kosovës! Të njëjtën gjë ka bërë dhe përpiqet ende të bëjë Edi Rama me Kosovën! Rexhep Qosja përkrah idetë e Beogradit për Minishengen, Ballkan të Hapur, pra synimet e Beogradit për të krijuar një Jugosllavi të Re, ose Serbi të Madhe! Edi Rama i implementon këto ide së bashku me Aleksandër Vuçiq.

Rexhep Qosja propagandon dhe ngre lart lidershipin e diktatorit shqiptar, Enver Hoxha. Edi Rama ndërton skemat dhe skenarët e nderimit të vazhdueshëm të kësaj figure të urryer të kombit shqiptar. Ja se çfarë shkruan Rexhep Qosja në vitin 2016 për diktatorin: “Enver Hoxha ishte atdhetar i madh, atdhetari më i madh shqiptar, që ia kishte kushtuar jetën Shqipërisë shtet dhe popullit shqiptar komb. Këta të sotmit, të gjithë së bashku s’i vijnë atij as deri te nyja e poshtme e këmbës”.[…]  Rexhep Qosja (2016). Dëshmitar në kohë historike vëllimi VII. Tiranë. fq. 619.

Këto jaë kontributet publike të Rexhep Qosjes për të cilat ai mori dekoratën e Edi Ramës. Në fakt në Shqipëri kryeministri Rama është I pari që ndan dekorata. Sepse historikisht kjo përgjegjësi dhe kompetencë I takonte presidentit ose kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor në periudhën e komunizmit. Por me ardhjen e Ramës çdo gjë ndryshoi për së mbrapshti! Edhe protokolli I shtetit! Ndërsa dekoratat e tij u shndërruan në qoka për njerëz që mbartin ide dhe pozicione përçarëse anti-kombëtare si Rexhep Qosja! Gjithçka në funksion të pushtetit të tij personal!

Një ditë prej ditësh Edi Rama, për hatër të Rexhep Qosjes, do ta sulmojë edhe Ismail Kadarenë! Vetëm se ia prish këtë lojë miqësia e Kadaresë me Erion Velinë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube