ROMAN KRIMINALISTIK ORIGJINAL (KOSOVAR)

(Ibrahim Kadriu: “Vdekja e Anilës”, botoi KOHA, Prishtinë, 2020; 173 fq.)

Nga Adil FETAHU

Titulli i këtij vështrimi për romanin “Vdekja e Anilës” nuk është i rastësishëm dhe pa qëllim. Sepse në letërsinë shqipe në të Dardanisë (Kosovës), romane origjinale të zhanrit të kriminalistikës  janë të paktë, sado që raste të krimeve dhe tema për romane të tilla ka pasur me shumicë, sidomos aso të kryera  ose të nxitura nga pushteti okupues i Serbisë. Një roman i tillë është ky i shkrimtarit të mirënjohur Ibrahim Kadriu – “Vdekja e Anilës”.

Fabula e romanit, e shtjelluar me mjeshtri artistike është si vijon: Sigurimi i brendshëm i shtetit serb, përdorte metoda e mënyra të ndryshme për të krijuar pretekste e situata për të terrorizuar,  ndjekur, rrahur, burgosur e vrarë shqiptarët, madje edhe nxënës të shkollave të mesme e studentë të fakulteteve. Për arritjen e qëllimeve të veta, organet e shtetit serb gjenin bashkëpunëtorë-spiunë edhe në mesin e shqiptarëve të mashtruar.  Një ndër ta ishte Gani Shyti, maturant i një shkolle të qytetit. Sipas porosisë së organeve të sigurimit, Ganiu u jepte shokëve dhe shoqeve të klasës e të shkollës libra nga ato të ndaluarat për t’u lexuar, i lajmëronte organet e policisë dhe ata pastaj  i arrestonin, maltretonin e dënonin “fajtorët”. Gani Shyti, si “patriot dhe trim”, organizonte protesta “kundër” regjimit që kishte arrestuar nxënësit. Në protesta merrnin pjesë shumë qytetarë, e në to folësi kryesor  ishte kush tjetër pos spiunit të atij regjimi. Ganiu ishte zhytur aq thellë në spiunim, sa që edhe vëllaun e vet (Dautin) e kishte spiunuar, se ka një automatik të fshehur nën dërrasa të kulmit të dyerëve të oborit. Për punën e spiunimit, Ganiu paguhej nga Sigurimi. Bile, kur e spiunoi vëllain e vet, i kishin thënë se do t’ia rrisin shpërblimin, ngase është bërë aq i besueshëm ndaj shtetit sa që edhe vëllain e spiunon. Me paratë që merrte, Ganiu vishej e kapërdisej si askush  tjetër në shkollën e tij, ndërsa me fjalimet e zjarrta që fliste “kundër” organeve të sigurimit, kishte fituar simpatinë jo vetëm të nxënësve të shkollës, por edhe të shumicës së popullsisë së qytetit,  ndonëse kishte edhe prej atyre që dyshonin në te.  Si më të shquarin në kapërdisjen e tij, e simpatizonin edhe vajzat e shkollës. Njërës  nga vajzat më të bukura dhe nxënëse-maturante e shkëlqyer, e cila nuk interesuohej shumë për Ganiun,  ia kishte dhënë librin e Hamit Kokallarit: “Kosova djep i shqiptarizmës”  dhe  policia e informuar për këtë, ia kishte gjetur librin në çantë dhe e kishte arrestuar. Ganiu e kishte përcjellur pas lirimit nga policia dhe i kishte premtuar se nuk do të kishte pasoja dhe se kishte edhe një kopje tjetër të  librit  që ia kishte marrë policia, por për këtë  ai kërkonte prej Anilës të shoqëroheshin e shetisnin bashkë. Anila nuk ishte këthyer në shtëpi 3-4 ditë. Prindët e kishin shpallur të zhdukur.

Endrit Potoku e kishte parë një kufomë të zënë në rrënjët e shelnjës në lum. E kishte nxjerrë prej lumit dhe i kishte vajtur mendja te shpallja e vajzës së humbur. E thërret një njeri që po kalonte rrugës afër lumit, i thotë ta  ruajë kufomën sa të shkonte ta lajmëronte  familjen sipas adresës së shpalljes, por edhe policinë. Obduksioni i kufomës tregonte se vdekja ishte nga helmimi. Tash lindi dyshimi, a ishte vetëhelmim apo vdekje e dhunshme.  Dyshohej se organet e sigurimit kishin dorë në vrasjen (helmimin) e saj. Në varrimin e Anilës kishin marrë pjesë shumë nxënës e qytetarë, ndërsa Ganiu kishte mbajtur një fjalim të zjarrtë dhe emoionues. Në protestën e organizuar  për shkak të vdekjes së Anilës, kishin folur edhe tre të tjerë,, por fjalmi i Ganiut ishte më emocnues dhe më i ashpër kundër organeve të brendshme. Kishte intervenua policia, duke rrahur e ndjekur protetuesit, ndërsa Ganiun dhe tre folës tjerë i kishte arrestur. Në lokalet e sigurimit Ganiun, “si më të rrezikshmin” e veçojnë prej shokëve, ndërsa ata tre të tjerët, pas torturimit fizik, i lirojnë të nesërmen të dërmuar,  por Ganiun e mbajnë edhe më tutje “në arrest”. Që ta bindin popullin se Ganiu ishte  “i rrezikshëm për shtetin”, Sigurimi vendos ta mbaj për një kohë larg syve të masës. Në ndërkohë, në adresë të shtëpisë së Ganiut arrinë një letër anonime, prej një personi i cili e kishte parë Ganiun ditën kur ishte përpjekur ta dhunonte Anilën dhe aktin e vrasjes me helm. Vëllai i Ganiut, Dauti, me letrën anonime shkon te fqiu Nikolini, që ishte inspektor i Sigurimit, i tregon për përmbajtjen dhe ia jep letrën atij. Nikolini e informon shefin e Sigurimit për këtë.  Identitetin e autorit të letrës anonime (Sadri Grepci) e zbulojnë në bazë të ekspertizës së dorëshrimit. Sadriun e shantazhojne me frikën se Ganiu mund ta vriste, prandaj i ofrojnë mbrojtje, nëse pajtohet të  bashkëpunojë me Sigurimin.

Pas letrës anonime, Ganiut ia ndërrojnë identitetin dhe angazhojnë në punë tjera,  për të vepruar në emigracion, dhe njëkohësisht e shpallin si person në kërkim, si kriiminel që e paska vrarë Anilen.  E qojnë në Beograd, në një kurs pesëmujor për të mësuar gjuhën gjermane dhe shkathtësitë e veprimit konspirativ në mesin e migrantëve shqiptarë, me  detyrë që të kryejë edhe atentate kundër njerëzve që i thotë Sigurimi.  Në Beograd  i  bëjnë një operacion plastik për t’ia ndërruar  pamjen e fytyrës dhe i japin pashaportë me emër e mbiemër tjetër (Genc Plepi, i lindur më 28 nëntor 1978).

Pas lajmërimit  prej disa barinjëve se (në  Pyllin e Shkozës) kishin parë një grup i prej tetë vetash emigrantë ilegalë afganë, prej të cilëve njeni ishte i vdekur,  Sigurimi i kishte arrestuar të gjallët, ndërsa të vdekurin e kishin çuar në obduksion, e kishin veshur  me rrobat e Ganiut  dhe kishin shpallur se Gani Shyti, i arratisur nga  burgu, paska vdekur në mal, nga kafshimi dhe helmimi i gjarpërit. Bile, kishin thënë se ky i paska kontrabanduar emigrantët afganë. “Vdekja  e tij”  mbetet enigmë dhe temë për thasheme, se Sigurimi vet e ka mbytur. Kur kishte dëgjuar nga radioja për”vdekjen e vet” dhe për djegëjen e shtëpisë familjare, Ganiu ishte dëshpruar shumë, ngase me identitetin e ndërruar kurrë më nuk do të mund të ishte Gani Shtyi as të kthehej në vendlindje.  Ishte penduar për veprimet dhe krimin që kishte kryer, por tashmë ishte vonë.

Para se ta nisnin për Shtugart, e kishin inçizuar një deklartë të tij, me identitetin e ri (Genc Plepi), kinse  po kërkohej nga policia për shkak të aktivitetit të tij patriotik. Deklarata ishte emituar disa herë në Radio-Zagrebi në gjuhën shqipe.  Sipas porosisë së Sigurimit, në harkun kohor prej një muaji duhej të kryente atentat dhe ta vriste Dren Deliun. Sipas adresës së dhënë nga sigurimi, Ganiu (alias Genc Plepi) shkon në banesën e Deliut, gjoja për një intervistë për gazetë. Duke dëgjuar tregimet e Deliut për vuajtjet e tij dhe të burgosurve tjerë politikë në burgjet serbo-jugoslllave, dhe duke krahasuar jetën dhe veprimet e veta me to, Ganiu (as.Genci) ndërron mendjen, heqë dorë nga qëllimi i atentatorit, e nxjerrë revolen prej xhepi, e venë në tavolinë dhe i tregon Dren Deliut rrugën e tij jetësore, qëllimin e shkuarjes në Shtugart dhe shprehë pendiimin për gjithë çka ka bërë, por me që nuk kishte mundësi të kthehej më në atdhe,  do të ikë e humbë sa më larg, ndoshta në Argjentinë. Drenit ia jep librat që kishte me veti: “Sulm e lot” (të Dhimitër Pashkos) dhe “Kosova djepi i Shqiptarizmës” (të Hamit Kokallarit) dhe disa të tjera që ishin të ndaluara, të cilat ia kishte dhënë Sigurimi serb për t’i mashtruar emigrantët tanë në Gjermani.

** *

Epilogu i romanit kriminalistik të Ibrahim Kadriut “Vdekja e Anilës” përfundon në atë mënyrë që personazhi kryesor, Gani Shyti, vetëdijësohet dhe pendohet për veprimet e tij kriminale të spiunimit dhe të vrasjes së shoqes së klasës, veprime këto që ia kishin ndryshuar rrjedhën e jetës dhe të identitetit  personal, deri në atë shkallë sa nuk i mbetej shteg të kthehej në vendlindjen e tij, por duhej të degdisej sa ma larg, ku nuk e njeh askush.

Kriminalistika është një degë shkencore që studjon gjurmët, motivet dhe provat e krimit; zbulimin dhe identifikimin e akterëve të krimeve dhe të gjitha këto duke i lidhur me aspektet politike, sociale, ekonomike, psiqike e psikologjike, duke identifikuar elementet: ku ka ndodhur ngjarja, kur është kryer krimi, me çfarë mjetesh dhe si është kryer, kush është viktima e kush kryesi dhe motivet e kryerjes së krimit. Lexuesi i vëmendshëm dhe që ka njohuri të përgjithshme, lehtë mund t’i gjejë të gjitha këto karakteristika, aspekte dhe elemente të kriminalistikës në romanin “Vdekja e Aniës”. Ky roman nuk është ndonjë triler i rëndë për lexim, por lexuesin e lë “në terr” deri në faqen e fundit, kur Gani Shyti vendos të bëjë kthesë pozitive nga veprimet e tij kriminale, nuk kryen atentatin e porositur, por e porositë “viktimën” të ruhej se është në rrezik, ndërsa angazhimin e vet prej spiuni, nuk e pagoi me kokë, por shumë më keq: me humbjen e identitetit, atdheut dhe farefisit të vet.

Me narracionin e shtruar në këtë roman, autori Ibrahim Kadriu është dëshmuar se njeh shumë mirë logjikën dhe psikologjinë, duke paraqitur personazhe me karaktere diametralisht të ndryshme, madje edhe të vet vëllezërve Gani e Daut Shyti, si dhe të një pjese të popullit që mashtrohej e ngazëllehej nga “patriotizmi dhe trimëria” e Ganiut nga fjalimet e tij në protesta, dhe pjesa tjetër që dyshonte në veprën  e tij dhe në konspiracionin e organeve të Sigurimit.

Në romanin “Vdekja e Anilës”, sikurse përgjithësisht në romanet kriminalistike dhe detektive, shtjellimi ecën linearisht, duke përparuar deri në aksionin e fundit dhe secila pjesë është një tendosje e pritjes se çka vjen pas saj. Në të nuk ka monotoni. Tregimi zhvillohet në vetën e parë, të dytë dhe të tretë; ka monologje dhe dialogje dhe nuk ka ndonjë digresion të gjatë.

Sikurse edhe në romanet tjera kriminalistike, viktima, në këtë rast Anila, shërben vetëm për  të zhvilluar aksionin e zbulimit dhe nuk është më në fokus të lexuesit as të romanit. Fokusi në romanin “Vdekja e Anilës “ është  te veprimi i Sigurimit të shtetit serb kundër shqiptarëve.  Sekreti i vrasjes së Anilës zbulohet heret, por enigma e fatit të vrasësit (Ganiut)  vazhdon deri në funt. Këtu rasti është individual, por në vete ngërthen dramën kolektive të shqiptarëve. Përmes personazhit të Lorik Lozës, autori paraqet dramën e rasteve të dhembshme që iu kanë ndodhur shqiptarëve nga regjimi serb. Lorik Loza, një profesor i historisë, i burgosur politik, kur informohet nga drejtori i burgut (të Zenicës), se i është djegur  shtëpia, me gruan dhe vajzën brenda, që ishin fjetur, çmendet nga tmerrimi dhe lirohet nga burgu e përcillet në vendlindje. Nga gjësendet e shtëpisë, kishte gjetur një çadër (obrelë) të cilën e mbante gjithnjë, qoftë diell  ose shi. Ai përcillte anash çdo protestë, e pas shpërndarjes së protestuesve mblidhte këpucë, çanta e gjësende që kishin mbetur nga protesta. Në një çantë kishte gjetur fotografinë e një vajze, dhe mendonte se ajo është fotografia e vajzës së tij, Greta.

Për më tepër, lexonie vet romanin e Ibrahim Kadriut, “Vdekja e Anilës” dhe do bindeni në mprehtësinë e penës së autorit  edhe në këtë zhanër të lertësisë, krahas më se 60 veprave tjera letrare të gjinive dhe zhanreve të ndryshme të botuara deri më tash, prej të cilave 27 romane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube