Rugova hyri në politikë për t’i shërbyer kauzës fisnike për liri

Nga Ndue Ukaj

Ibrahim Rugova kurrë s’ka bërë demagogji me popullin e tij, por e ka dashtë, i ka folë me sinqeritet dhe i ka shërbyer me dije, shumë dashuri dhe dinjitet të lartë. Kjo është arsyeja pse shqiptarët e kanë ndjekë atë dhe rrugën e tij e jo të atyre që kanë gjuajtë gurë e kanë tentuar të pështyjnë mbi të.

Rugova s’hyri në politikë me ide dosido, për të rrëmbyer pak pushtet e për pak famë, e as për hir të ideologjive proletare, por hyri në politikë me një ide të madhe dhe me ideale të larta e shumë fisnike.  Dhe në çdo punë ishte i vërtetë e njerëzor: prej kohës kur filloi t’i çirrte maskën hegjemonisë serbe si kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës e deri kur dha shpirt.

Shqiptarët janë mësuar me melodinë e keqe të atyre që turfullojnë kundër Rugovës, por kurrë s’ janë joshë nga zëra të përçartë e të këqij. Përkundrazi, shqiptarët kurrë s’i kanë dëgjuar mësimet e këqija të kundërshtarëve të Rugovës e as të dishepujve të tyre proletarë, që kanë dashur e duan t’ i ndajnë shqiptarët edhe njëherë nga demokracia dhe vlerat perëndimore në emër të disa dokrrave pa sens politik e historik.

Shqiptarët as sot s’do t’i gëlltisin broçkullat e përditësuara kundër Rugovës, sepse për ta tashmë ato janë gulçima njohura dhe dihet se kanë për frymëzues e sponzorizues do farë figura të degraduara në Kosovë.

Turfullimet e fundit kundër Rugovës janë do gërvallje të shkreta dhe s’ka sesi të mbijetojnë as tri ditë çudie, kurse vepra letrare, intelektuale dhe politike e Ibrahim Rugovës, tashmë ka zënë vend ballor në panteonin e vlerave më të fisme kombëtare.

Këto sulme të pështira, mbase mund të jenë ngushëllim i vetëm i të mundurve në raport me triumfuesin, ylli i të cilit shkëlqen përditë e më shumë në qiellin shqiptar.

Dihet, kundërshtarët marksisto-leninistë të Rugovës, dukë mos mundur t’ i rrinin përballë si politikanë e as si intelektualë, tentuan ta shpallnin armik. Sepse, doktrina komuniste, për t’i justifikuar përrallisjet e veta, gjithmonë ka kërkuar një armik të fortë, mbi bazë të cilit ka sajuar kauza publike dhe i ka fshehë paudhësitë e veta.

Por, përballë kësaj mendësi destruktive e të pafrytshme kombëtare, rri Rugova dhe vepra e tij e frytshme politike dhe kulturore, si blatim i dashurisë së tij të pafund për popullin dhe shtetin që e krijoi.

Rugova sa ishte gjallë dhe aktiv, në kulturë dhe në politikë, ishte ana e kundërt e batakçinjve: ai ishte tipiku i intelektualit të urtë perëndimor, që kujdeset për popullin e tij, që ndërton dhe s’rrënon, që mëson dhe përvetëson dije, ndaj edhe programi i tij kulturor, letrar e politik, ishte ndërtues dhe jo rrënues.

Kësisoj, ai në hartën politike shqiptare është unik dhe i pashoq përreth.

Rugova hyri në politikë si shkrimtar dhe intelektual i dëshmuar, me një formim shpirtëror e intelektual të pasur, si dhe me një vepër të vlerësuar letrare dhe diturore.

Dhe politikës, s’ i mori asgjë, por i dha shumë dije, etikë dhe humanizëm.

Duke refuzuar estetikisht, ai e estetizoi edhe politikën. U bë shumë dashur për popullin e tij dhe u admirua nga të gjitha forcat përparimtare demokratike të  perëndimit, në bashkëpunim me të të cilat e çliroi dhe pavarësoi popullin e tij.

Pra, Rugova s’hyri në politikë që të fitonte pushtet, famë, por për t’i shërbyer kauzës fisnike për liri, pavarësi dhe demokraci. Sepse ai kishte ide të qartë, që ta demokratizonte shoqërinë, prandaj gjithmonë u tregua i butë dhe i dashur edhe me kundërshtarët e tij të ashpër.

Rugova kishte një ideal të madh, që Kosovën, kryeqendrën e Dardanisë Antike, ta largonte nga kthetrat e shtypjes dhe të robërisë shekullore dhe ta bënte vend të lirë, demokratik dhe perëndimor. Dhe e dinte se kjo punë nuk mund të bëhej pa dije, pa përkushtim, ndjenja altruiste dhe pa miq.

Prandaj mësimet e tij janë të domosdoshme për Kosovën e sotme dhe të nesërme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube