Sabina Çudiq dëshmoi! Tani e ka radhën Vlora Çitaku të rrëfehet!

Nga Enver Bytyçi

Politikania e Bosnjë-Hercegovinës, Sabina Çudiq, ka zbuluar një episod të asaj çfarë ka ndodhur gjatë viteve 2018-2020 me atë që ne e kemi denoncuar si ndarje të Kosovës. Ajo ka shkruar se Mattew Palmer i kishte thënë asaj në prill të vitit 2019 gjatë një një konference në Uashington se “Ndarja e Kosovës ka marrë fund. Palët kanë rënë dakord. Thjesht po presim një moment të përshtatshëm për ta nënshkruar marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhë, duke e konsideruar atë si një ngjarje historike”.

Kjo deklaratë në fakt nuk na thotë diçka të re. Të gjithë ata që kanë kundërshtuar një marrëveshje të tillë e kanë ditur se Hashim Thaçi po shkonte në Uashington për të nënshkruar marrëveshjen në fjalë në zyrën ovale të presidentit Trump. Të gjithë e dinë gjithashtu se jo vetëm Palmer, por edhe Bolton, Grenell e të tjerë ishin involvuar fort për realizimin e kësaj marrëveshjej. Ata nuk ishin të interesuar për efektet në terren, kishin vetëm një objektiv: Ta paraqisnin presidencën e zotit Trump si të aftë për të zgjidhur konfliktet lokale në botë! Por Thaçit i ndodhi si Zhukovit. Ia komunikuan në avion akuzën e Gjykatës Speciale. Nuk është I panjohur as fakti që Sali Berisha ishte aktori dhe faktori kryesor shqiptar i kësaj kundërshtie, ndërkohë që marrëveshja në fakt dështoi falë Angela Merkel. Vetem ajo mund ta zbriste Hashim Thacin nga avioni!

Po atëherë pse deklarata e zonjës Çudiq tërhoqi vëmendjen dhe u bë virale në rrejtet e informimit publik? Sepse na zbuloi bashkëpunimin e Vlora Çitakut me aktorët që punonin për shkëmbimin e territoreve, ndryshimin e kufijve dhe ndarjen e Kosovës. Sipas politikanes boshnjake, gjatë bisedës me Pamer, Vlora Çitaku i ka dalë në mbrojtje diplomatit amerikan dhe i ka adresuar asaj pyetjen se “Përse po ndërhyn në marrëveshjen që Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë”? Sabina Çudiq i përgjigjet drejtpërdrejt: “Sepse ndikimet për Bosnjë-Hercegovinën do të ishin të pashmangshme, madje dhe për Ballkanin”!

Në rrëfimin e saj Çudiq shpjegon se të nesërmen ishte parashikuar që ajo dhe ambasadorja Çitaku të kishin një takim në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve, por axhenda kishte ndryshuar në minutën e fundit dhe ajo nuk kishte marrë pjesë në takim. Unë bësoj fort se shkak i këtij anullimi ishte biseda e një dite më parë me Mattew Palmer dhe Vlora Çitakun. Megjithatë opinioni publik ka nevojë për disa shpjegime më të gjkera dhe më të sakta:

– Deri në çfarë mase ishte involvuar ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, në projektin për ndarjen e Kosovës? A ishte ajo pjesë e mekanizmit të lobimit pro-serb për këtë ndarje? Pse ajo ishte dakord që marrëveshja midis Kosovës e Serbisë të përfundonte me ndryshimin e kufijve? Pse e mbështeti këtë ide? Çfarë roli i kishte caktuar asaj Hashim Thaçi për të realizuar tjetërsimin e territorit të Kosovës? Cilat janë bisedat, rekomandimet, premtimet dhe angazhimet e saj para ish-presidentit të vendit në funksion të realizimit të idesë së Serbisë së Madhe?! Çfarë ishte parashikuar në takimin në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe pse dështoi pjesmarrja e përfaqësues së Bosnjë-Hercegovinë në atë takim, nëse është bërë? Dhe së fundi, çfarë loje tjetër është bërë në margjinat diplomatike për të realizuar një marrëveshje me humbje territoresh me Serbinë?!

Ne e kemi ditur ose parashikuar, madje ndonjëherë e kemi thënë se lidhjet e Vlorës me Hashimin janë të rrezikshme për Kosovën. Por të gjitha këto pyetje dhe enigma rrjedhin natyrshëm pas kësaj dëshmie të Sabina Çudiq. Shpjegimet i shërbejnë opinionit publik për të mësuar se me cilët politikanë ballafaqohen ata: Me Vlorën “patriote dhe të guximshme” në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, apo me Vlorën e intrigave në prapaskenë për tjetërsimin në favor të Serbisë të territorit të Kosovës?! Me Vlorën që në opinionin publik shqiptar ka fituar pikë pozitive, pavarësisht flirteve politike të dëmshme me Hashim Thaçin, apo me Vlorën e vërtetë në shërbim të Aleksandër Vuçiq, Edi Ramës dhe Hashim Thaçit?!

Kush është në të vërtetë Vlora Çitaku? Kjo që na paraqitet në dëshminë e zonjës Çudiq, apo ajo që na shfaqet në ekranet televizive?! Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA dhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës e ka për detyrë të shpjegohet. E ka obligim t’u thotë taksapaguesve të Kosovës se kujt i ka shërbyer në të vërtetë. U ka shërbyer këtyre taksapaguesve, apo me taksat e qytetarëve të Kosovës ka bërë punën e Beogradit në Uashington?!

Rrëfimi i Sabina Çudiq është ndër të parat rrëfime që po na sjell të vërtetën e hidhur për përpjekjet e politikanëve dhe diplomatëve shqiptarë për ndarjen e Kosovës. Përveç për Vjosën, hije dyshimi bien edhe mbi Shpend Ahmetin. Ndërsa ministrja e Thaçit dhe e Haradinajt, Dhurata Hoxha, paguante me taksat e qytetarëve kosovarë lobimin për këtë ndarje të territorit të vendit! Asgjë nuk mbetet e fshehtë në këtë botë! Gjithçka do të dalë gradualisht sheshit dhe opinioni publik shqiptar e jo shqiptar do ta mësojë të vërtetën e hidhur. Do të mësojnë gjithashtu edhe se si janë ndëshkuar politikanët patriotë të vendit për qëndrimet e tyre kundër ndryshimit të kufijve, shkëmbimit të territoreve dhe ndarjes së Kosovës! Ky është vetëm fillimi! Rrëfime, dëshmi e fakte të tjera do të dalin pa fund!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube