26/04/2024

SAGA TRAGJIKE E FAMILJES SË  ALEKSANDRIT TË MADH

0

Shkëputur nga libri – ese

”Aleksandri i madh i  Maqedonisë – miti dhe njeriu”

Nga Resmi Osmani

Njohja me pjesëtarët e familjes të Aleksandrit të Madh dhe fundin e fatit të tyre, nuk është vetëm kërshëri por edhe një rast për të mësuar sesa e egër,e pamëshirshme, çnjerëzore dhe mizore, ishte lufta për pushtet dhe trashëgimin e fronit mbretëror, në kohën për të cilën bëhet fjalë( vitet 316-295 e. v. )Oborret mbretërore kanë qenë të zhytura në pellgjet e gjakut të derdhur për sundim, pa kuesyer as gratë as fëmjët ende kërthi e të pafajsëm. Shembulli që e rrëfen më mirë, është fundi I pjestarëve të familjes së Aleksandrit të Madh, që I përkasin dinastisë së vjetër maqedonase Argeide.

I kapërcejnë përmasat e teagjedive shekspiriane.

Filipi II, mbret, babai i Aleksandrit. Vdiq në kulmin e fuqisë së tij, i vrarë nga oficeri i tij truprojtës, Pausaniu, më 316 e. v.  gjatë ceremonisë së martesës së vajzës së tij, princeshës Kleopatra me mbretin epirot Aleksandër Molosi.  Ishte në moshën 48 vjeç.

Olimpia, nëna e Aleksandrit.  U vra me urdhër të diadokut Kasandër, në luftën për trashëgimin e fronit të mbretërisë, në moshën 58 vjeçe, pas një rrethimi të gjatë në kështjellën e Pidnës.  U ndalua nga vrasësit që të varrosej me ceremonialin mbretëror që i takonte rrangut të saj.

Aleksandri i IV; bir i Aleksandrit dhe princeshës afgane Roksana,i lindur në Babiloni dhe i shpallur mbret që në lindje të tij. U vra me urdhër të diadokut Kasandër, në Maqedoni më 309 e. v.  në moshën 14 vjeç, që të mos ishte mtues për fronin që e pretendonte Kasandri.

Barzina(363-309 e. v. ). Grua pa kurorë e Aleksandrit, bijë e satrapit Artabaz, sundimtarit të Frigjisë në Azi të Vogël.  Ajo ra robinë në kampin e Damaskut më 333 e. v. Ishte 30 vjeçe kur Aleksandri e mori si Konkubinë.  Më 327 i lindi djalin Herakliun.  Pas martesës së Aleksandrit me Statirën, bijën e Darit, u tërhoq në Frigji të Azisë së Vogël. Në luftën për trashëgimin e fronit, u vra me gjith të birin nga gjenerali Polisperkon.

Herakliu, bir i paligjshëm i Aleksandrit me konkubinën Barzina, u vra me urdhër të diadokut Polisperkon, më 309 e. v. ,në moshën 18 vjeç në Frigji të Azisë së Vogël.

Roksana, gruaja e parë e ligjshme e Aleksandrit, me prejardhje Baktriane(Afgane), nëna e Aleksandrit IV. U vra pas të birit, në qytetin e Amfipolit të Maqedonisë, me udhër të Kasandrit më 309 e. v. .

Statira, gruaja e dytë e Aleksandrit, e bija e mbretit Dar të Persisë.  Pas vdekjes së Aleksandrit ajo ishte shtatzënë. U vra në Babiloni, pas vdekjes së Aleksandrit, për shkak të xhelozisë nga Roksana, që edhe ajo ishte shtatzënë. E mbyti në pus, me gjithë të motrën e saj më të vogël, Dripetidën, të venë e Ifestionit, shokut të ngushtë të Aleksandrit.  E bëri që i biri që do të lindej të mos kishte pretendet për trashëgimin e fronit të Aleksandrit.

Kleopatra;e motra e Aleksandrit. Gruaja e Aleksandër Molosit, u vra me urdhër të Antigon Gonates, më 308 të e. v.  pas vrasjes së Olimpias, u internua në Sardi të Lidisë në Azi të Vogël dhe kaloi dhjetë vjetët e jetës në arrest shtëpie.  Në tentativë për tu larguar te Ptolemeu(Atë kohë mbret i Egjyptit),që kishte zbarkuar në Traki, u kap dhe u vra. U varros me nderime mbretërore.

Thesalonika; motra e Aleksandrit nga i ati, bijëe Nikesipolës ilire. U quajt me këtë emër me rastin e një fitoreje të Filipiot në Thesali. U martua me Kasandrin, birin e Antipatrit.  Me emrin e saj, Antipatri quajti qytetin e sotëm të Selanikut.  Lindi tre djem: Antipatrin e Ri,Filipin dhe Aleksandrin.  U vra nga I biri, Antipatri i Ri, pasi mori anën e djalit Aleksandër për trashëgimin e fronit, midis tij dhe të vëllait më 295 e. v.

Aminta IV dhe Kinana; Aminta IV, ishte djali i mbretit Perdika, vëllai i Filipit. I takonte trashëgimi I fronit, por Ishte i mitur kur i vdiq i ati, dhe Filipi II e shpalli veten mbret.  Më von, Filipi e martoi me te bijen princeshën Kinana,(motër e Aleksandrit nga i ati), bijë e  Audatës.  Trime,gjuetare dhe lufrërare.  Lindi një vajzë Euridiçen.  Amintën IV, në luftën për fronin, e vrau Aleksandri dhe Kinana mbeti e ve.  Nuk u martua dhe iu përkushtua rritjes së të bijës. Vajzën, Euridiçen e martoi me Filip Arrideun, por më parë ia kishte premtuar regjentit Perdika.  Ky i fyer, u hakmorr dhe Kinana u vra në luftë kundër Alketit, vëllait të diadokut Perdika, më 323 të e. v.

Filip Arrideu; vëlla i Aleksandrit nga babai, djali i balerinës Filina.  U shpall mbret pas vdekjes së Aleksandrit në Babiloni me emrin Filip Arrideu.  Ishte i metë nga mendja dhe epileptik, ishte më tepër një mbret kukull dhe në vend të tij, mbretëronte e shoqja Euridika dhe regjenti Kasandër.  Mbretëroi gjashtë vite.  U burgos me gjithë të shoqen nga Olimpia.  U vra që t’i hapte rrugën për mbretërim Aleksandrit IV, më 317 e. v.

E shoqja vari veten.

Evropa, motra e Aleksandrit nga babai, vajza e gruas së fundit të Filipit,Euridiçe –Kleopatra.  U vra bashkë me të ëmën me urdhëer të Olimpias më 336 e. v.

Sikundër shihet, askush nga familja mbretërore nuk ka pasur vdekje natyrore, ose janë vrarë me njeri-tjetrin ose nga diadokët pretendentë  për fronin e Maqedonisë.  Dinastia e vjetër mbretërore Argeide, që për katërqind vjet i kishte dhënë Maqedonisë  njëzet e katër mbretër, pas vdekjes së Aleksandrit të Madh, u zhyt në një pellg gjaku. Fundi i saj qe një tragjedi rrëqethëse, e llahtarshme, me shumë akte, me krime të përbindshme, që nuk kursyen as gratë as fëmijët e pa fajshëm.  Nuk mbeti asnjë trashëgimtar dhe u shua.  Në vend të saj mbretëruan dy dinasti: Antipatride dhe Antigonide, që vazhduan mbretërimin deri në pushtimin romak.

Tiranë,2008-2009

Botim i “Luma grafik”, Tetovë 2010

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok