Shqipëri: Rihapet çështja e Prokurorit të Përgjithshëm

Emri i prokurorit të përgjithshëm Theodhori Sollaku i lakuar në të gjithë format gjatë dy viteve të qeverisjes nga e djathta, mbetet sërish në tryezën e politikës shqiptare.

Në fillim të muajit korrik, çështja e kreut të prokurorisë u bë shkak për prishjen në momentet e fundit të konsensusit të arritur për një president të përkarhur nga të gjitha krahët, gjatë negociatave politike të dështuara për kreun e ri të vendit. Por tani gjërat duket se kanë ndryshuar.

Presidenti Bamir Topi mundi të zbusë shumë shpejt zemërimin fillestar të opozitës për zgjedhjen e tij. Ai ka takuar të gjithë drejtuesit e së majtës të cilëve u ka garantuar një qëndrim mbi palët, larg veshjes së tij të dikurshme partiake. Presidenti duket se do ta shfrytëzojë këtë klimë të favorshme për të duke mos u nxituar në veprimet e pritshme, e po ashtu pa u ngutur në zgjidhjen e cështjes delikate të prokurorit të përgjithshëm për të cilën shumica së cilës ai i përkiste luftoi pa rezultat për një kohë të gjatë.

Në ndihmë të tij është fakti se edhe opozita ka shprehur pakënaqësi ndaj kreut të prokuorisë, por kërkon për këtë një zgjidhje institucionale. Këtë e ka shprehur edhe kryetari socialist Edi Rama i cili ka kërkuar garanci për realizimin e paketës së reformave që e majta ka propozuar , por edhe përfaqësuesit e tjerë të së majtës me të cilët ai është takuar.

Edhe sot drejtuesit e dy forcave të tjera opozitare kryetari i demokracisë sociale Paskal Milo dhe kryetari Aleancës demokratike Neritan Ceka pas bisedimeve me presidentin Topi mbështetën idenë e një reforme në sistemin e drejtësisë. Sipas zotit Milo “reformë do të ketë në sistemin e Drejtësisë dhe si pjesë përbërëse dhe në prokuorinë e Përgjithshme dhe Prokurori i përgjithshëm është ftuar të jetë pjesë e reformës që dotë fillojë të zbatohet në vjeshtë. Jam për kufizimin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm”. Ndërsa zoti Ceka tha se “E sigurova presidentin se do të ketë mbështetjen për çdo reformë që krijon drejtësi të pavarur”

Shenja nguti nuk janë shfaqur as nga e djathta, e cila më shumë se sa një provë të re force, duket se është pajtuar me idenë e një ndërhyrjeje ligjore për të realizuar ndërrimin e kreut të prokurorisë.

Edhe kryetari demokristian Nard Ndoka i qëndron kësaj linje: "Reforma në sistemin e Drejtësisë është komplekse dhe nuk lidhet me një emër të përvecëm. Reforma do të prekë edhe prokurorinë e përgjithshme duke patur një mandat të kufizuar për prokurorin dhe të shihet mundësia nëpërmjet ligjit që të kemi dhe një zëvendësprokuror të përgjithshëm”

Në gjithë këtë situatë, presidenti Topi realizoi dy ditë më parë një takim kokë më kokë me prokurorin e Përgjithshëm. Takim i cili u mbajt i fshehtë duke i dhënë sot krah, hamëndjeve të shumta të shtypit i cili e bëri publik atë. Një takim i zhvilluar në pozicione të reja, jo më nën hijen e përballjes së fortë të shumicës me kryeprokuorin ku edhe presidenti aktual, në atë kohë, ishte protagonist, si drejtues i grupit demokrat, dhe përpara ndërmarrjes së një reforme për të cilën publikisht edhe prokuori i përgjithshëm ka pranuar se është e nevojshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube