SHQIPËRIA – ZGJEDHJET E 25 PRILLIT

0

Nga Xhelal Zejneli

Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri të 25 prillit të vitit në vazhdim u realizuan në një atmosferë tejet të tensionuar. Midis Partisë Socialiste, në një anë dhe Partisë Demokratike e LSI-së, në anën tjetër, pati një polarizim të skajshëm. Fushata parazgjedhore ishte një luftë politike e ashpër, e paparë në ndonjë vend tjetër të Ballkanit. Midis liderëve të partive politike u përdorën fyerje dhe ofendime të rënda ndaj njëri-tjetrit. Fyerje të tilla ndaj oponentëve politikë nuk janë pas as dëgjuar në asnjë vend të rajonit.

Fushata parazgjedhore nuk kaloi pa viktima. Në Elbasan u vra një person, ndërsa në Kavajë një tjetër u plagos. Të vritet njeriu në një fushatë parazgjedhore, në një vend evropian, në shekullin XXI, është absurde, është e turpshme për shtetin dhe për kombin. Politikanët shqiptarë duhet ta dinë se shqiptarët nuk jetojnë as në Afrikë dhe as në Amerikën Latine. fajtorë dhe përgjegjës për vrasjen në Elbasan dhe për plagosjen në Kavajë janë politikanët, janë udhëheqësit politikë, janë udhëheqësit partiakë.

*   *   *

Në asnjë vend perëndimorë nuk ka militantë apo ushtarë partiakë. Në botën shqiptare ndërkaq, nuk ka parti politike që nuk i ka militantët apo ushtarët partiakë. Kjo flet për shkallën e ulët të zhvillimit ekonomik të botës shqiptare. Kjo tregon prapambetjen – në shkallë kombi – të shoqërisë shqiptare. Aty ku s’ka zhvillim ekonomik, demokracia është utopi dhe iluzion, është koncept fiktiv. S’ka demokraci pa zhvillim ekonomik. Kur ekonomia është në shkallë të ulët të zhvillimit, aty nuk mund të flitet për shtet ligjor, për shtet të së drejtës. Aty ku s’ka shtet ligjor, lulëzon korrupsioni në radhët e politikanëve dhe të pushtetarëve. Në vendet e prapambetura kemi abuzime marramendëse të pasurive të shtetit. Në shtetet e pazhvilluara politikanët dhe pushtetarët pasurohen brenda natës. Pasurohen brenda natës dhe pa asnjë meritë edhe djemtë, vajzat dhe dhëndurët e politikanëve, të liderëve partiakë, të pushtetarëve. Në një vend të tillë ka papunësi, ka probleme sociale, morale, veprime të paligjshme, tendenca për shpërngulje.

*   *   *

Përkundër tensioneve të larta midis partive politike oponentë, dita e zgjedhjeve apo e votimit kaloi disi qetë. Nuk u vërejtën mbushje kutish me fletëvotime, nuk pati thyerje kutish të partisë kundërshtare, nuk u shënuan raste që një person të votojë për krejt familjen apo fisin, nuk pati parregullsi në listat e votimit, nuk pati raste “të votojnë” edhe persona të vdekur, nuk pati votim sipas modelit të “trenit bullgar”. Nuk u shënuan as fotografime të fletëvotimeve. Ditën e votimit nuk u vërejtën as probleme teknike. Vendvotimet në mbarë Shqipërinë u hapën dhe u mbyllën në kohë të përcaktuar me akte juridike. Nuk kishte mungesë fletëvotimesh. Nuk pati ankesa të theksuara prej komisionerëve të cilësdo parti. Votimi elektronik në një njësi zgjedhore të Tiranës, i zbatuar për herë të parë në Shqipëri, u realizua pa asnjë problem. Përpos një zënke në një vendvotim, nuk pati konflikte apo ushtrim dhune midis militantëve të partive apo komisionerëve. Krahasuar me zgjedhjet parlamentare të së kaluarës, mund të thuhet se këto zgjedhje ishin më të qeta.

Rezultatet e zgjedhjeve të 25 prillit KQZ-ja i shpejt i bëri publike, si asnjëherë më parë. Kjo tregon se Shqipëria dhe shqiptarët kanë kapacitet për të qenë në krye të detyrës.

Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor u angazhuan edhe miqtë amerikanë dhe ambasadorja e ShBA-së në Tiranë, Juri Kim.

*   *   *

Shitblerja e votave – Votat mund të shiten dhe të blihen në shumë mënyra: Blerja e votës nuk bëhet vetëm me para në dorë. Partitë blejnë vota duke ia shlyer “votuesit” detyrimet e rrymës elektrike, të ujit, detyrimet komunale. Gjatë periudhës së pluralizmit apo të tranzicionit votat janë blerë edhe duke ia shlyer “votuesit” ndonjë padi gjyqësore apo edhe ndonjë gjobë. Gjatë fushatës zgjedhore apo edhe ditën e votimit partitë dhe kandidatët për deputetë blejnë vota edhe duke u ndarë “ndihma” personave apo familjeve nevojtare. Votat blihen edhe duke ua kompensuar shtetasve, kuptohet në masë minimale, dëmet e shkaktuara nga vërshimet apo nga përmbytjet, disa ditë para votimit.

Votat blihen apo sigurohen edhe nëpërmjet shantazheve dhe trysnive të ndryshme ndaj votuesve. “Voto për ne, ndryshe do të humbësh vendin e punës!” “Po qe se nuk voton për ne, do të ta ndërrojmë vendin e punës, do të të dërgojmë diku larg, aty ku ha pula gur!”

Vota blihet edhe me premtime: “Voto për ne që të ta punësojmë gruan (djalin, vajzën, renë, vëllain).

*   *   *

Kryetari i PS-së, përkatësisht kryeministri Edi Rama doli para elektoratit me arritje të caktuara, si:

– angazhimi i qeverisë së tij për kapërcimin e pasojave të tërmetit; dhe

vaksinimi i një numri të konsiderueshëm të qytetarëve për t’u mbrojtur nga virusi vdekjeprurës Covid-19.

Muajt e fundit kryeministri Rama bërë çmos dhe i shfrytëzoi të gjitha lidhjet e veta në skenën ndërkombëtare për të siguruar vaksina për qytetarët e Shqipërisë. Dhe ia doli.

Vaksinimin nuk duhet ndërlidhur me zgjedhjet e 25 prillit. Megjithëkëtë, punën më të madhe për ditën e zgjedhjeve kryeministri Rama e bëri me anë të vaksinimit të qytetarëve. Ditën e votimit, në Shqipëri ishin vaksinuar mbi 350 mijë vetë. Pjesa më e madhe e të vaksinuarve duhet të kenë votuar për PS-në. Ndryshe s’ka sesi shpjegohen 74 mandate. Përveç kësaj, vaksinimi i qytetarëve të Shqipërisë shkon edhe në favor të ekonomisë së turizmit. Me përqindje të madhe të vaksinimit të popullatës, stina turistike në Shqipëri do të jetë frytdhënëse.  Sot në Shqipëri janë vaksinuar gati gjysmë milion njerëz.

*   *   *

Edi Rama doli para zgjedhësve edhe:

– me spitalin e Fierit të ndërtuar për tre muaj dhe të financuar nga Turqia, përkatësisht të mbështetur nga Rexhep Taip Erdogani; dhe

– me aeroportin e Kukësit.

Rama nuk la pa e shfrytëzuar për qëllime zgjedhore edhe:

– zhvillimin e punimeve në rrugën e Arbrit; dhe

– zhvillimin e punimeve në hyrje të Tiranës, te unaza e Shqiponjës.

Rama doli para zgjedhësve edhe me premtimin se:

porti i Durrësit do të jetë një prej porteve më të mëdha në rajonin e Mesdheut; dhe

– në Vlorë do të fillojnë punimet për ndërtimin e aeroportit.

Kryeministri Rama ka mbajtur raporte të mira me vijën Romë-Athinë-Ankara. Ai e çon mirë me kryetarin e Turqisë, Erdoganin, me kryetarin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqin. Pohon se është në raporte të mira edhe me presidentin francez, Emanuel Makronin. Rama po ashtu është përpjekur të ndjekë një politikë që është kompatibile me politikën apo me interesin amerikan.

Partitë politike shqiptare janë parti liderike. Në një parti liderike nuk mund të flitet për demokraci. Me fjalë të tjera, partitë politike shqiptare janë organizma dhe grupe interesi jodemokratikë. Edhe PS-ja edhe PD-ja janë parti liderike.

Rama është një politikan autoritar. Duke qenë autokrat, ai e udhëheq PS-në në mënyrë autoritare. Vendimet e një politikani autoritar s’ka sesi të mos jenë edhe arbitrare. E tërë PS-ja është në duart e tij.

Për t’i fituar zgjedhjet e 25 prillit, Rama vuri në lëvizje:

– vetveten;

– tërë infrastrukturën dhe makinerinë e PS-së;

– pushtetin vendor;

– pushtetin qendror;

– aparatin shtetëror; dhe

– administratën publike.

Shfrytëzimi i pushtetit vendor, i pushtetit qendror dhe i aparatit shtetëror në fushatën zgjedhore është akt antikushtetues, i paligjshëm dhe jodemokratik.

Kur është fjala për punonjësit e administratës publike duhet thënë se në vendet me demokraci të pakonsoliduar partia në pushtet i shantazhin ata duke u thënë: “Po qe se nuk votoni për ne, prishni punën tuaj, rrezikoni vendin e punës apo pozitën në punë”.

*   *   *

Sa i përket PD-së, mund të thuhet se në zgjedhjet e 25 prillit ajo ka kaluar mjaft mirë. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha nuk është një lider karizmatik. Sidoqoftë, ai ia doli të sigurojë apo të fitojë 59 mandate deputetësh. Ky është një numër impozant, është një arritje që meriton konsideratë.

Gjatë fushatës parazgjedhore, PD-ja dhe L. Basha u ndeshën me pushtetin vendor dhe atë qendror të PS-së, u ndeshën me aparatin shtetëror të kontrolluar nga pozita (mazhoranca). Shikuar nga kjo pikëpamje, në zgjedhjet e 25 prillit, midis PS-së dhe PD-së, përkatësisht midis pozitës dhe opozitës u zhvillua një garë e pabarabartë.

Qëkur opozita u tërhoq nga Kuvendi i Shqipërisë dhe nuk mori pjesë në zgjedhjet vendore, Lulzim Basha ditë për dite ka vepruar në terren. S’ka lënë vend pa vizituar. S’ka lënë tregtizë pa hyrë në të, s’ka lënë qytetar pa komunikuar. Si rezultat i këtij angazhimi të tij të pakursyer, Basha ia doli të sigurojë 59 mandate. Ai e ka ditur se po qe se do t’i humbë zgjedhjet, dorëheqjen e ka të pashmangshme. Largimi i opozitës nga Kuvendi dhe mospjesëmarrja e saj në zgjedhjet vendore nuk ka qenë vendim i qëlluar. Ky vendim radikal ishte akt i gabuar.

Ka opinione sipas të cilëve kryetar në hije i PD-së është lideri historik i saj, Sali Berisha. Një parti politike që funksionon në atë mënyrë nuk është serioze. Është më se e qartë se në PD nuk ka demokraci. Kush mendon ndryshe nga lideri mbetet jashtë radhëve të partisë. Si në PS, ashtu edhe në PD, çdo gjë është në duart e liderëve partiakë.

Liderët rëndom janë njerëz me ambicie të theksuara, arrogantë, megalomanë dhe egocentrikë. Qëllon të jenë edhe ekscentrikë dhe narcisoidë. Në raste të tilla, lideri nuk parapëlqen të ketë pranë vetes njerëz që janë më të aftë se vetë ai. Lideri parapëlqen të ketë pranë vetes njerëz të dëgjueshëm, oportunistë dhe konformistë. Poltronët ndërkaq, gjithmonë u vardisen liderëve. Pushteti afatgjatë dhe i pakontrulluar mund ta shndërrojë politikanin në udhëheqës autoritar dhe autokrat.

*   *   *

Në zgjedhjet e 25 prillit, 5 për qind e numrit të përgjithshëm të fletëvotimeve ishin të pavlefshme. Me fjalë të tjera, 80 mijë vota qenë të pavlefshme. Disa mund të mos kenë ditur ta plotësojnë fletëvotimin, por pjesa më e madhe e qytetarëve që kanë futur nëpër kuti fletëvotime të pavlefshme, janë votues të zhgënjyer dhe të pakënaqur. Shumë prej tyre kanë dalë të votojnë nga frika dhe jo me dëshirë të vet.

*   *   *

Në vendet me demokraci të konsoliduar, kur një parti i humb zgjedhjet, udhëheqësi i saj jep dorëheqje të parevokueshme. Në shtetet me shkallë të ulët të demokracisë, kjo nuk ndodh. Në Shqipëri japin dorëheqje kryetarët e partive që s’kanë marrë vota dhe që nuk kanë siguruar asnjë mandat deputeti. Lulzim Basha ka humbur katër palë zgjedhje.

Dorëheqja e kryetarit të partisë që i humb zgjedhjet është akt moral, është përgjegjësi. Dorëheqja në rast të tillë është akt pozitiv dhe demokratik, ndihmon në uljen e tensioneve në skenën politike mbarëkombëtare, ndikon në zvogëlimin e polarizimit midis pozitës dhe opozitës. Partitë nuk janë prona private të individëve, qofshin ata edhe liderë partiakë, apo edhe themelues të tyre. Partitë janë struktura me interes të gjerë shoqëror dhe me interes shtetëror. As shteti nuk është pronë e kryetarit apo e kryeministrit. Luigji XIV ka thënë: ”Shteti jam unë” (L’état c’est moi). Por, në Evropën e shekullit XXI një gjë e tillë nuk mund të thuhet.

Dorëheqja e një kryetari që nuk i ka fituar zgjedhjet, i ndihmon edhe demokratizimit të partisë që drejton. Por nuk duhet harruar se për t’u ngritur një lider i ri nevojiten katër deri tetë vjet. Në vendet jodemokratike lideri i partisë apo i shtetit, duke rrëmbyer dhe duke përqendruar tërë pushtetin në duart e veta, e parandalon shfaqjen e një lideri potencial që do ta zëvendësonte atë.

*   *   *

Ripërtëritja e partive politike – Gati gjysma e numrit të përgjithshëm të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, janë emra të rinj. Kjo është një gjë pozitive dhe për t’u mbështetur. Bie në sy se në legjislaturën e re të Shqipërisë do të ketë individë që janë tri dekada në organin ligjvënës. Sali Berisha dhe Gramoz Ruçi do të jenë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë për të tetën herë. Fatmir Xhafa ndërkaq, për të gjashtën herë.

Të jesh tetë herë deputetë apo tri dekada deputet, nuk është punë për t’u përshëndetur. Politikanët e vjetër, pavarësisht meritave që mund të kenë pasur, është mirë të largohen nga skena politike, për t’ua lënë vendin të rinjve të shkolluar. Për bëmat e tyre le të flasin historianët, ndërsa ata vetë le të shkruajnë kujtime apo memoare. Politikës shqiptare i nevojiten energji të reja, ide bashkëkohore dhe vizione të reja, që i shkojnë shekullit XXI, kohës së kompjuterit, të internetit, të telefonisë celulare dhe të komunikimit satelitor. Të rinj të shkarkuar nga atavizmat dhe hipotekat e së shkuarës, që do të sjellin kulturë të re politike dhe diskurs të ri politik.

Duhet shtuar se 64 emra të rinj në Kuvendin e Shqipërisë nuk do të thotë se paraqesin ide dhe vizione të reja. Që të gjithë janë përfshirë nëpër listat e kandidimit sipas preferencave të kryetarëve të partive, pra sipas liderëve të tyre autoritar dhe autokrat. Ai që nuk i është nënshtruar vijës së liderit autokrat, nuk ka mundur të jetë i parapëlqyeri i tij.

*   *   *

Në zgjedhjet e 25 prillit garuan edhe do parti të sapoformuara. Asnjë prej tyre nuk mori as edhe një mandat të vetëm deputeti. Nuk ia dolën partia Bindja Demokratike e Rudina Hajdarit dhe e Astrit Patozit, Lëvizja për Ndryshime e Jozefina Topallit etj. Duhet ditur se për të hyrë në skenën politike dhe për të qëndruar në të, nuk mjafton vetëm ambicia. Njeriu ambiciet e veta duhet t’i harmonizojë me mundësitë që ka. Po të ishte lehtë të formosh parti, çdokush do ta kishte bërë një gjë të tillë. Partitë politike lindin në momente historike dhe në rrethana krizash të thella politike, ekonomike, sociale dhe morale.

*   *   *

Pjesëmarrja e VV-së së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit në zgjedhjet e 25 prillit, në rrethanat ekzistuese nuk mund të merret si akt i qëlluar. Tre kandidatët e VV-së morën gjithsej 3541 vota. Kosova ballafaqohet me probleme të shumta ekonomike dhe sociale, përfshi edhe pandeminë Covid-19.

*   *   *

Humbëse e zgjedhjeve të 25 prillit është LSI-ja. Prej 19 deputetëve të zgjedhjeve të vitit 2017 ajo ra në katër deputetë. Në zgjedhjet e 25 prillit, LSI-ja humbi më shumë se gjysmën e votave që i kishte marrë në zgjedhjet e vitit 2017. Një parti që synon të forcohet dhe të rritet nëpërmjet punësimeve, kryesisht në administratën publike, nuk ka perspektivë. Partia duhet të synojë, jo punësimin e anëtarëve apo të militantëve të vet, por të punojë për zhvillimin e shtetit dhe për mirëqenien e mbarë shoqërisë. Partitë e njëmendta zhvillohen dhe shtrihen në bazë të platformave politike nga të cilat burojnë programet zhvillimore, ekonomike, sociale, kulturore, ekologjike etj., të hartuara nga specialistë dhe të bazuara në gjendjen reale të hapësirës dhe kohës. Programet e tilla i kushtojnë rëndësi të tashmes dhe kanë vizion të qartë për të ardhmen. Në një platformë politike të mirëfilltë nuk përfshihen ëndrra të parealizueshme.

*   *   *

Ndonëse kryetar shteti, Ilir Meta ishte mjaft i gjallë gjatë fushatës zgjedhore. Vështirë të gjesh edhe një vend tjetër në botë në të cilin gruaja e kryetarit të shtetit të jetë kryetare e një partie opozitare. Të jesh kryetar shteti dhe ta kesh gruan kryetare të një partie opozitare, është një akt, sa bizar, aq edhe grotesk. Ilir Meta gjatë mandatit të tij si kryetar shteti nuk doli të jetë në krye të detyrës. Detyrë e kryetarit të shtetit është:

të respektojë kushtetutën e vendit; dhe

të jetë faktor integrues në shoqëri.

 

Për të qenë faktor integrues, kryetarit të shtetit duhet të jetë njeri me integritet. Për të qenë faktor bashkues, atij i duhet të jetë i paanshëm. Kryetari i shtetit duhet të arrijë simetrinë e interesave të kundërt të faktorëve politikë apo të komuniteteve në shoqëri. Ilir Meta nuk rezultoi të jetë i paanshëm. Ilir Meta gabimisht pandehte se e ka me vete pjesën më të madhe të qytetarëve të Shqipërisë. I përfshirë në fushatën zgjedhore, tanimë s’kuptohej në ishte kryetar shteti apo përfaqësues i opozitës. Angazhimi i Metës në fushatë është veprim i paligjshëm. Në të shumtën e rasteve Meta anoi kah opozita shqiptare, kah LSI-ja dhe PD-ja.

Nuk është detyrë e kryetarit të shtetit të përdorë retorikë patriotike. Atdhetarizëm i udhëheqësve politikë është sendërtimi i interesit kombëtar apo i  interesit shtetëror. Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk u duhen politikanë që përdorin fjalor pezhorativ (përçmues), trivial dhe vulgar. Diskursi parapolitik i Metës si kryetar shteti, e diskrediton Shqipërinë ndër vendet e rajonit, para BE-së, ShBA-së dhe mbarë botës.

Ka kohë që Rama dhe Meta janë në konflikt. Midis tyre ka edhe animozitet. Kjo nuk i bën nder Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kjo e diskrediton Shqipërinë dhe shqiptarët. Kjo nuk i shërben Kosovës e cila synon njohje dhe afirmim ndërkombëtar.

Shqipëria dhe shqiptarët kanë halle më të mëdha se ç’është animoziteti midis Metës dhe Ramës. Në rrethanat në të cilat jetojnë shqiptarët, konflikti midis Ramës, Metës, Bashës dhe Berishës është një luks. Ata dhe fëmijët e tyre flenë në qindra mijë euro, në mos dhe miliona. Një grua shqiptare që jeton jashtë Shqipërisë, e që nuk voton në Shqipëri ngase është shtetase e huaj, nuk mund t’i dijë, as mund t’i ndjejë problemet e botës shqiptare.

Sjelljet e politikanëve shqiptarë nuk i shërbejnë Shqipërisë si një vend evropian, anëtar i NATO-s, e që synon të bëhet pjesë e familjes perëndimore.

*   *   *

Shqipërisë i duhen politikan që e çojnë shtetin para, që e zhvillojnë atë ekonomikisht, që sjellin investime të huaja, që krijojnë dhe çelin vende të reja pune, që e luftojnë korrupsionin në radhët e politikanëve, që ndërtojnë shtet ligjor, që i zhvillojnë proceset demokratike.

Për korrupsionin në Shqipëri nuk mund t’u flasin qytetarëve shqiptarë as Ilir Meta, as Monika Kryemadhi, as Lulzim Basha, as Edi Rama dhe as Sali Berisha. Shumë prej tyre, në mos të gjithë, janë pasanikë. Askush s’bëhet dot milioner me një rrogë deputeti, pagë ministri apo edhe kryetari shteti. Janë pasuruar edhe fëmijët e ndonjërit prej tyre – djali, vajza, dhëndri.

*   *   *

Gjatë fushatës zgjedhore ishin në veprim edhe mediumet – gazetat, studiot televizive, portalet. Një pjesë e madhe e mediumeve ishin në shërbim të PS-së, të pushtetit apo të pushtetarëve. Në botën shqiptare vështirë mund të flitet për mediume të pavarura. Shumë prej tyre kontrollohen prej pushtetarëve, prej oligarkëve, prej partive opozitare të forta, prej qendrave të jashtme apo faktorëve të huaj.

Gjatë fushatës ishin të angazhuar edhe pseudo-analistët politikë të të ashtuquajturave debate politike. Një pjesë e madhe e analistëve politikë qenë në shërbim të PS-së. Për mendime apo për opinione të pavarura dhe asnjanëse as që mund të bëhet fjalë.

Mercenarizmi në radhët e mediumeve flet për shkallën e ulët të demokracisë në Shqipëri dhe në botën shqiptare. Në shtetet me demokraci të brishtë e mbyll gojën edhe inteligjencia. Në shtetet e tilla inteligjencia është oportuniste dhe konformiste. Një inteligjencie e tillë nuk ka shumë dallim prej poltronëve të partive.

*   *   *

Shumë shqiptarë që jetojnë në trojet jashtë Shqipërisë, anojnë ose nga Rama, ose nga Basha apo Sali Berisha. Është mirë që shqiptarët të cilët jetojnë në trojet e veta jashtë trungut kombëtar, të anojnë nga Shqipëria dhe jo nga Rama, Basha, Berisha. Të anojnë nga ai faktor që e çon para Shqipërinë. Pavarësisht se cili është ai faktor.

*   *   *

Megjithëkëtë, dallimi midis PS-së dhe partive opozitare në zgjedhjet e 25 prillit është 38000 vota. Kemi një skenë politike mjaft të baraspeshuar. Për hir të interesit shtetëror, në përbërjen e re të Kuvendit mazhoranca duhet të tregojë konsideratë ndaj opozitës. Shqipëria duhet të hyjë në një fazë të re të ndërtimit të shtetit ligjor, në një fazë të re të zhvillimit të proceseve demokratike.

Për ecurinë e procesit zgjedhor në Shqipëri si dhe për rezultatin e zgjedhjeve u prononcua edhe OSBE-ODHIR-i. PD-ja dhe LSI-ja nuk kanë thënë se e pranojnë rezultatin e zgjedhjeve. Opozita “e bashkuar” mund të kërkojë krijimin e një qeverie teknike dhe zgjedhje të parakohshme. Pak gjasa ka të ndodhë një gjë e tillë. Shqipëria ka nevojë për qëndrueshmëri politike, për zhvillim ekonomik dhe për konsolidim demokratik. Shqiptarët janë vonuar shumë, ndaj s’kanë më kohë për të humbur.

Shqipëria do të bëhet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok